
Një tragjedi e rëndë hekurudhore ka tronditur mbrëmjen e djeshme Spanjën, pasi dy trena pasagjerësh u përplasën, duke shkaktuar bilanc tragjik me të paktën 39 viktima dhe 73 të plagosur, prej të cilëve 24 ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Mes të plagosurve rëndë raportohet se ka edhe katër të mitur.
Sipas autoriteteve, numri i viktimave mund të rritet, pasi një nga vagonët e dalë nga shinat është rëndë i dëmtuar, deklaroi kryetari i qeverisë rajonale të Andaluzia, Juanma Moreno, për mediat spanjolle. Mes viktimave fatkeqësisht është edhe makinisti i njërit tren.
Shumica e të plagosurve janë dërguar për trajtim në spitalin “Reina Sofia”, ndërsa autoritetet rajonale kanë kërkuar ndërhyrjen e Njësisë Ushtarake për Situata Emergjente, e cila tashmë është nisur drejt zonës së aksidentit për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit.
Aksidenti ndodhi rreth orës 19:45, në qytetin Adamas, në jug të Spanjës, kur një tren që udhëtonte nga Malaga drejt Madridit doli nga shinat dhe u përplas në linjën fqinje, ku po kalonte një tjetër tren nga Madridi drejt Huelvës, duke bërë që edhe ai të dalë nga shinat.
Segmenti i hekurudhës ku ndodhi aksidenti ishte rinovuar në maj të vitit të kaluar, ndërsa treni i përfshirë në aksident ishte relativisht i ri, rreth katër vjet në përdorim. Shkaqet e daljes nga shinat mbeten ende të panjohura.
Kryetari i komunës së Adamasit, Rafael Moreno, i cili mbërriti i pari në vendngjarje së bashku me policinë lokale, i tha gazetës El País se, sipas vlerësimit të tij fillestar, përplasja mund të ketë qenë anësore dhe jo ballore, pasi nuk janë vërejtur vagonë të copëtuar.
Si pasojë e aksidentit, qarkullimi i trenave të shpejtë mes Madridit dhe Andaluzisë është ndërprerë, ndërsa të gjitha trenat që ndodheshin në lëvizje janë kthyer në pikat e nisjes.
Autoritetet spanjolle vijojnë hetimet, ndërsa vendi është në zi për humbjen e jetëve njerëzore nga një prej aksidenteve më të rënda hekurudhore të viteve të fundit.




























