Përse ne shqiptarët nuk ecim me kohën?

Ta kërkojmë të drejtën tonë, ta kërkojmë ndryshimin, por edhe ta gjejmë mënyrë më të përshtatshme për ta bërë atë. Protesta është një nga mënyrat. Ato kanë ndryshuar shumëçka këtu dhe në gjithë botën

Nga Delvina KËRLUKU

Shpresat e ne – shqiptarëve në tërësi, dhe sidomos e ne – shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për çdo ditë po marrin përmasat e iluzioneve, se NESËR do bëhet më mirë se sot. Kjo gjendja jonë bie ndesh me çdo ligj të përparimit shoqëror. Kur e gjithë bota e përparuar u ka shpallur luftë sfidave më të vështira që i dalin transformimeve epokale në shkencë e teknologji, ne ende merremi me tekstet skandaloze të nxënësve tanë, me orenditë prej dërrase të mësonjëtoreve tona, me ujin e pijshëm për qytetet tona, me kanalizimet dhe rrugicat e fshatrave tona, me cilësinë asfare të rrymës elektrike, me problematikat më banale të jetës sonë të përditshme.

Defektet e skajshme në administratën tonë, si rrjedhojë e paaftësisë dhe servilizmit tonë, janë problem më vete, problem që shkakton padrejtësi, nënshtrim, ofendim, përdhunim, shfrytëzim etj., etj., pa fund.

Mospërmbushja e kërkesave elementare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, e acaron këtë popullatë, kur e sheh veten të pabarabartë me të tjerët, kur partitë e saj nuk i dalin Zot, edhepse janë zotuar gjatë fushatave elektorale se do t’ua sjellin parajsën para dere ditën e përfundimit të tyre. Një parajsë ata sjellin vërtet, por për vete, familjet e tyre, familjet dhe shoqëritë tyre klienteliste. Dhe rolet dhe sjellja ndryshon me ndërrimin e pozitave: pozitë – opozitë. Është e çuditshme se, kur janë në pozitë heshtin, pastaj bëhen të zëshëm, kritikues “konstruktivë”, e kështu pa fund. E vërteta është se, pas luftës së vitit 2001, kërkesat e shqiptarëve nisën të zgjidhen. Ndryshimet ndodhnin ngadalë, por ishte një lëvizje më cilësore se të mëparshmet. Arritjet duken. Por, këto transformime nuk u përgjigjen kërkesave, nevojave dhe nivelit të kohës. Ky hapërim me ecjen e breshkës i brengos shqiptarët, përveç trajtimit ndryshe nga administrata dhe organet shtetërore. Rastet janë të shumta dhe s’duhet përsëritur. Por nuk është e drejtë që të gjithë fajin t’ia hedhim atyre që vendosin dhe atyre që zbatojnë ligjet. Edhe ne duhet të jemi më aktivë e më të zëshëm.StrugaLajm

Ta kërkojmë të drejtën tonë, ta kërkojmë ndryshimin, por edhe ta gjejmë mënyrë më të përshtatshme për ta bërë atë. Protesta është një nga mënyrat. Ato kanë ndryshuar shumëçka këtu dhe në gjithë botën. Shkas për këtë shkrim ishte ngjarja në Kumanovë lidhur me vendimet arbitrare të një drejtoreshe maqedonase ndaj nxënësve shqiptarë, apo situata në shkollën e mesme të muzikës në Strugë, mosndërtimi i objekteve shkollore në Idrizovë, Vizbeg të Shkupit.

Pastaj pozita e mjerueshme e arsimit dhe kulturës në ekstremet e kufijve tanë etnikë, siç janë Manastiri, Krusheva, Prilepi, Velesi etj. Kapitull më vete përbëjnë vonesat ekstreme, të paarsyeshme (mendoj të qëllimshme) të ndërtimit dhe meremetimit të teatrove të Shkupit dhe Tetovës dhe mungesa e tyre në Kërçovë, Dibër, Strugë. Nga shumica e shqiptarëve perceptohet si e qëllimshme edhe vonesa e ndërtimit të infrastrukturës rrugore (autostradat Elez Han-Shkup, Tetovë-Gostivar-Kërçovë-Strugë-Qafë Thanë) nëpër viset shqiptare, pasi në pjesë të ndryshme të vendit ndërtohen edhe rrugë paralele.

Shpërndarja e buxhetit nëpër komuna dhe bashkëpunimi i pushtetit qendror me atë lokal kërkon një qasje tjetër më serioze. Dhe se, synimi i menaxhmenti (të shtetit) është të largojë pengesat. (koha.mk)








Loading…


loading…