Përurimi i bibliotekës së Konsullatës së Kosovës në Strugë

Përurimi i bibliotekës së Konsullatës së Përgjithshme në Strugë

   Në vigjilje të 22 Nëntorit Ditës së Alfabetit Shqip, në hapësirat e Konsullatës së Përgjithshme në Strugë u inaugurua biblioteka e Konsullatës. 
   Në këtë ngjarje modeste morën pjesë shumë krijues të artit letrar, profesorë universitar, shkrimtarë, poetë, drejtorë të shkollave të Strugës dhe rrethinës së saj, studentë dhe nxënës. 
   Fjalën e rastit e mbajti Konsulli i Përgjithshëm z. Agim Krasniqi, i cili foli për rëndësinë e bibliotekës që do të ndikojë në krijimin e një mjedisi të pasur kulturor dhe edukues për komunitetin.
  Ai potencoi se përmes kësaj biblioteke do të shpërndahet dija dhe pasioni për librin tek rinia shkollore, universitare dhe për komunitetin e gjerë.
   Z. Krasniqi i njoftoi pjesëmarrësit se ngritja e bibliotekës është realizuar përmes donacioneve  dhe do të vazhdojë të pasurohet në këtë mënyrë. Ai informoi se biblioteka posedon hapësirë dhe kapacitet prej 3000 librash, nga ku rreth 1500 libra janë dhuruar nga Shoqata Humanitare Bëmirëse “Nënë Tereze” në Strugë me kryetar z. Jashar Pollozhani. Ndërkaq libra dhuruan edhe Instituti i Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore të Shqiptarëve- Shkup me kryetar z. Skender Asani, Litera Group- Shkup, etj. 
  Fjalën e morën edhe disa krijues të Strugës, të cilët përgëzuan dhe përkrahën projektin duke dhuruar librat e tyre si dhuratë për bibliotekën.
  Nxënës të shkollës së mesme “Ibrahim Temo” recituan poezi të shkruara nga vet ata kushtuar festave të Nëntorit si dhe prezentuan pikturat e tyre kushtuar ngjarjeve historike dhe  figurave të shquara të kombit. 

Ministry of Foreign Affairs and Diaspora – Republic of Kosovo

In : Aktuale

Loading...
loading...