BLENDI PETROL
AktualeOpinion

Plasaritjet e shpirtit

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Një njeri i dëshpëruar e i humbur ishte ankuar vazhdimisht ndër njerëz se edhe Zoti e paska harruar atë dhe asnjëherë nuk po e viziton shtëpinë në të cilën po jetonte.Një ditë kishte hasur në një njeri të mençur të cilit ia kishte përsëritur ankesën e vetë të përhershme. “O njeri, jam i bindur se Zoti është mysafir i shpeshtë në shtëpinë tënde por si duket ti nuk po qëllon asnjëherë aty kur Ai po të viziton”, i kishte thënë njeriu i urtë dhe e kishte lënë të humburin të mendojë më seriozisht për raportin që kishte ndaj Zotit dhe besimit.

Mjerisht, bukuria dhe kënaqësia e besimit që Krijuesi i ka krijuar si ndjenja të përhershme, sikur kanë filluar të anashkalohen nga pakë prej vetë njeriut i cili, duke u zhytur në dimensionin e kotësisë që po ia lëndon dukshëm gëzimin e ekzistencës dhe fuqinë e mbështetjes në Zot, po e mbytë mundësinë për të konceptuar botën dhe jetën si diçka që duhet shijuar në tërë kompleksitetin e vetë.Lumturia e rrejshme, në fakt, është fatkeqësi, kurse ikja nga Zoti është rrënim që njeriun e ndanë nga qenësia e tijë, është shkatërrim i shpirtit. Vetëm rikthimi i sinqertë te besimi ndaj Zotit i krijon njeriut mundësinë e të kënaqurit me vetvehten, me mjedisin, me familjen dhe miqtë, me fqinjtë dhe me njerëzit me të cilët bashkëjeton.

Në këtë vazhdë unë e shoh edhe fatin dhe ardhmërinë e shtetit në të cilin po jetojmë e për të cilin shpeshëherë po thonë se “është vend i harruar nga Zoti”. Dhe, po mendoj,mos vallë është duke ndodhur e kundërta nga ajo që e thonë skeptikët dhe pesimistët, mos ndoshta një kategori njerëzish të këtij vendi kanë filluar të harrojnë Zotin ? Fakte që dëshmojnë një gjë të këtillë keni me bollëk ngado që e ktheni shikimin, ani pse ato fakte jo domosdoshmërisht në shikim të parë lidhen drejtëpërdrejtë me besimin .

T’a zëmë, kur dikush i jep vehtes të drejtë dhe merr guximin të deklarojë publikisht se “ngritja e minaresë në xhaminë e Carshisë në Ohër paraqet ndryshim flagrant të dukjes të qytetit dhe provokim që do të shkaktojë tensione te qytetarët…”, lehtë mund të konstatoni se deklaruesi ka filluar të harrojë Zotin. Vetëm të mendosh një gjë të këtillë, do të thotë mohim i Zotit sepse minaretë shërbejnë për t’i ftuar njerëzit pikërisht për të madhëruar Zotin. Dhe, xhamitë e kishat duhet të afrojnë njerëzit, jo të tensionojnë marëdhëniet mes tyre.

Poashtu, barbarizmi i pashoq i njerëzve që prishën qetësinë e varrezave muslimane në rrethin e Shtipit dhe bënë një akt makabër duke i përdorur gurët e varrezave si zgarë dhe duke djegur dërrasat shenjuese të varreve, nuk është gjë tjetër përveç ikje nga Zoti.Nëse një grusht kriminelësh aq lirshëm bëjnë veprime të cilat, për dallim nga rasti i Ohrit, vërtetë mund të shkaktojnë tensionime e të destabilizojnë marrëdhëniet edhe ashtu të brishta ndërfetare e ndërnacionale, a thua faji qenka te Zoti që e paska “harruar” Maqedoninë? Jo, faji është te ata që po e harrojnë Zotin, e besa edhe te ata që nuk po e shohin se këto shkëndija të urrejtjes mund të shkaktojnë flakë që do gllabërojnë çdo gjë përpara vehtes.

Kuptohet, shembujt që i përmenda kurrsesi nuk mund të ndahen nga atmosfera dhe ambienti që po tentojnë t’a krijojnë fantazuesit dhe somnambulët që jetojnë me mitet për Maqedoninë si vend biblik dhe për maqedonasit si popull hyjnor dhe nismëtar i racës njerëzore. Përkundrazi, incidentet e këtilla janë segment i një strategjie të planifikuar mirë për të rrënuar përpjekjet e Maqedonisë që të lëvizë nga pozita zero.

Sidoqoftë, Zoti nuk harron dhe Ai sheh që njerëz të caktuar po tentojnë në këtë copë tokë të vrasin bukurinë, harmoninë,shpresën,ardhmërinë,mirëqenien. Zoti i sheh ata që nuk duan të shohin veprat e Tijë, Ai i sheh ata që dëshirojnë të shkaktojnë huti dhe çregullime. Dhe, siç kishte thënë njeriu i urtë nga fillimi i këtij teksti, Zoti na viziton vazhdimisht por kushedi se ku jemi ne gjatë atyre vizitave.Plasaritjet në shpirtin e njeriut mund t’i shërojë vetëm Zoti

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button