Po nxehet atmosfera, betejë e fortë mes partive shqiptare

Kanë ngelur edhe pak ditë deri në përmbylljen e fushatës zgjedhore për balotazhin për zgjedhjet lokale që do të mbahet të dielën më 29 tetor. Heshtja zgjedhore hyn në fuqi të premten në mesnatë, ndërsa partitë po shfrytëzojnë ditët e fundit të fushatës. Gara kryesore është mes partive shqiptare, gjegjësisht BDI-së e cila përkrahet nga LSDM përballë koalicionit ASH – BESA, të arritur pas raundit të pare të zgjedhjeve.
Beteja ASH-BESA me BDI
Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale kanë bërë marrëveshje për koalicion, që nënkupton mbështetjen e kandidatëve të njëra-tjetrës në raundin e dytë zgjedhor më 29 tetor, kur dhe do të bëhet e ditur se kush do të drejtojë komunat me shumicë shqiptare, siç janë dy komunat e Shkupit, Saraji, Çairi dhe komunat e tjera si Tetova, Gostivari, Dibra, Struga, Likova e të tjera.
Bashkimi Demokratik për Integrim, në balotazh do të përballet me Lëvizjen Besa në 7 komuna dhe me Aleancën për Shqiptarët në 5 komuna të tjera. Pas publikimit të koalicionit midis Aleancës dhe Besës për raundin e dytë, nga BDI kanë theksuar se ata do të vazhdojnë koalicionin e tyre me socialdemokratët e kryeministrit Zoran Zaev.
Njohësit e çështjeve politike thonë se koalicionet janë demokratike pavarësisht mënyrës së arritjes së tyre, në veçanti tek shqiptarët të cilët në vazhdimësi kanë kërkuar unifikim të opozitës shqiptare. Duke e pasur parasysh se nga ana tjetër kemi bashkëpunim parazgjedhor të BDI-së dhe LSDM-së, bashkëpunimi mes Aleancës dhe Besës është i nevojshëm për të dy subjektet, thotë për RTK, analisti Albert Musliu.
Analistët vlerësojnë se bashkëpunimet mes partive duhet të ndërtohen për një afat sa më të gjatë kohor bazuar në programet e tyre për të dëshmuar, se nuk janë bërë për interesa personale, por të votuesve që përfaqësojnë. Ndërkohë, lidhur me raundin e pare, pritet që Gjykata Administrative të vendos për paditë e bëra nga partitë, pasi që ankesat e tyre u refuzuan në KSHZ. Balotazhi zhvillohet gjithsejt në 35 komuna.
Gara mes LSDM dhe VMRO-DPMNE
Në raundin e dytë LSDM dhe VMRO-DPMNE do të garojnë në 19 komuna.
Sipas të dhënave të përpunuara të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në raundin e parë LSDM fitoi 37 mandate të kryetarëve të komunave, ndërsa kandidatët e tyre për kryetarë janë në avantazh para VMRO-DPMNE-së në komunat e Shkupit, Kisella Vodë, Butel dhe Gazi Babë, si dhe në Vinicë, Gradsko, Demir Kapi, Jegunovc, Karbincë, Makedoska Kamenicë, Makedonski Brod, Rosoman, Nagoriçan, Probishtip, Çeshinovë-Obleshevë dhe Çashkë.
VMRO-DPMNE në raundin e parë fitoi tre mandate për kryetar komune edhe atë në Ilinden, Petrovec dhe Sopishte, ndërsa kandidatët e tyre udhëheqin në gjashtë komuna – Zërnovcë, Kavadar, Novaci, Probishtip, Çeshinovë-Obleshevë dhe Shtip.
Më i ngushtë është dallimi midis kandidatëve të VMRO-DPMNE dhe LSDM në Shtip dhe Çeshinovë-Obleshevë, si dhe në komunat e Gazi Babës dhe Kisella Vodës, është më e vështira.