Politika jonë nën shijen e « tallavasë » !

nga Lirim BEGZATI

Sot për sot, duket se jetojmë më tepër nën hijen e iluzioneve të premtimeve se sa të asaj të shpresave për avancime konkrete dhe serioze ! Së paku, njëfarë përshtypje e dhënë e dëshmon këtë. Ndërrime politikash, kombinime koalicionesh, shpalosje ideshë « moderne », dhënie premtimesh ! Një rreth vicioz i pakapshëm, e vështirë i kuptueshëm !

Njëfarë triumfalizmi i parezervë i shprehur kohëve të fundit gjindet paralelisht përballë një defetizmi, qoftë ai i arsyeshëm apo jo ! Ndërkohë, edhe të shprehurit e ndjenjës së revanshizmit nuk e ka aspak ndërmend të fshehet.

E gjithë kjo i prekë fatëkeqësisht horizontet e ndryshme, pa mos kursyer gati se askend !

Nga e gjithë kjo, vërehet fakti se, për hirë të interesave të ngushta të caktuara, mbrenda një intervali kohor, bile aq të shkurtër, disa u ndanë, kurse disa u bashkuan, në mesin e të cilëve edhe ata që deri dje e mërzitnin aq shumë njëri tjetrin !

Kurgjë e befasishme nga kjo, pasi që sende të ngjajshme ndodhin në shumë vende të tjera të botës. Mirëpo, ajo që befason sadopak më tepër te na, lidhet me faktin se fenomenet e tilla ndodhin pak më shpejt se sa diku tjetër, ndodhin gati se « mbrenda natës », edhe ate në emër të kalkulimeve shpesh të çuditshme !

Ndëgjojmë fjalime të « rangut të lartë » të cilat mbajnë gjoja se ngjyrën e strategjive të mëdha ! E në realitet, jo aq të larta të ashtuquajturat programet politike që, tani për tani, mbajnë vetëm meritën të shpalosin gati se kryesisht vizionet mbi « ujërat, kanalizimet dhe asfaltimet » !

Gjithë ajo energji që humbet në diskursin politik të ditës për me bindur tjetrin, për me bindur se kush ka arsye e kush është fajtor. A humbet vallë po i njejti nivel i energjisë për me iu afruar pak më tepër nevojave të popullatës apo nevojave reale të një politike efikase dhe në shërbim të qytetarëve ?

Sa kohë humbim me u marrë me thash e theme, me u tallë me njëri tjetrin, me kritikuar dhe ofenduar ate që nuk e duam apo nuk na konvenon, me u treguar më i mençur se sa dikush tjetër ! E sa pak kohë « humbim » për me u marrë me punë që na duhen realisht.

Sa shpejt u anashkaluan edhe disa çështje madhore, e sa shpejtë u përqëndruan çështjet në emra individësh, personash, në emra që sot i shërbejnë dikujtë si një instrument për realizimin e një fitorje, dhe vetëm fitorje, aq e vlefshme kjo për ata që i gëzon termi i tillë, por jo vetëm kaqë !

Nuk gabohet nëse thuhet se zgjedhjet shoqërohen me një klimë të konfuzioneve, përfshirë edhe me një krizë të identitetit të vërtetë politikë të disa protagonistëve të ndryshëm, ndoshta shumë më tepër se sa në të kaluarën !

Përse ndodhë kjo ? Disa përgjigje do të dalin me siguri në shesh pas bilanceve që do të reflektohen nga kalkulimet e ndryshme, dhe jo aq të njohura në moment.

Filluan edhe përzierjet e roleve ! Megjithë se, aq është e këshillueshme, e së paku moralisht e ndalueshme, që njerëzit të cilët mbajnë poste specifike dhe të larta shtetërore të mos shprehin fjalorin e tyre që mund të ndikoi potencialisht në votën demokratike, që mos të « keqëpërdorin » me statusin e tyre! A jemi ndoshta përballë ndryshime fytyrash !?

Mbi të gjithat, le t’iu jepet kohë dhe hapësirë atyre që fuqishëm kanë shpalosur zërin e optimizmit për me iu përkushtuar një pune në favor të një jete më të mirë për qytetarët. E ndërkohë, le të mendohet pak më tepër për ata dhe ato që, me plotë arsye, nuk mund të kënaqen vetëm me stile politikash të llojit « tallava » !


Loading...
loading...