BLENDI PETROL
Aktuale

Post festum:Fshatarit dhe kali (fabul).

Post festum
Fshatarit dhe kali (fabul).
– I. Varianti i parë:
Druvari, rrugës për në mal, ndëshkonte kalin për të ecur më shpejt se ngutej. Meqë kali kish para tij gomarin e ngathtë, tha:
Lëshomë rrugën nga gomari dhe ti vazhdo të merresh me të!
(sipas të madhit Dritëro Agollit të ndjerë).
Tani, kur në çdo familje shqiptare brenda – përbrenda vëllezërve e të afërmve tjerë, ende gumëzhinë dialogu paszgjedhor, këshillohet mos bëhen vizita e të zhvillohen bieseda për të mos plasur sherri, ndaj të pritet derisa të zbuten gjakrat. Vlen të kujtojmë edhe variantin e dytë të fabulës për sa më lartë:
II. Pasi u plak kali, pronari vendosi ta nxirrte në pazar duke i kërkuar ndjesë për mundimet që i kish bërë ndër vite. Falë i ke të gjitha i tha kali përveç njërës: më vinte rëndë kur nxirrje gomarin të më printe mua rrugës për nga pazari.
Kur degjoi këtë rrëfim satirik, fshatari (si puna jonë) i tha rrëfimtarit:
– Po ne që s’kemi patur kal asnjëherë në shtëpi pos gomarit?
– Është lehtë të flitet me ju se gjithmonë familje gomerësh keni qenë, ju s’dini të logjikoni ndryshe, rrini se jeni mirë. Lum ne që ju kemi. Kështu keni qenë e të tillë ju duam. Vazhdoni të sorrollateni sa majtas aq djathtas, hani sapunin për djath e mos e lodhni trurin. Vraponi pas nesh si delet sepse edhe ato i takojnë të njejtit grup – kafshë shtëpiake (dalloni nga numri i këmbëve, ata me katër, ju sa gjysma e tyre). Në mesin tuaj, dominon isoja e zërit të gomarëve në unison, ndërsa hingëllima e atit (kalit) humbet e mbytet nga të parët.
– I nderuari lexues i paktë që ke mbetur i virgjer nga sindroma e të votuarit, ndjesë nga ndonjë keqkuptim, janë thumba pa helm, na pëlqen të jemi të tillë. Dhashtë zoti të kemi sa më shpesh raste të tilla që të shfrymë dufin ndaj njëri – tjetrit në gjirin familjar, për të mirën e telallëve që premtojnë.
Disa qajnë për kalin e eliminuar nga maratona, të tjerët festojnë. Mos u mërzitni për ngjyrën e thesit të qymyrit, një ngjyrë kanë. Mos harro lexues i nderuar maska që mbahet për një kohë të gjatë, zëvendëson besnikërisht fytyrën e maskaradës. Rëndësi ka të vazhdojnë aktivitetet sa në Kuvend aq në Qeveri, rishtas në seli për të lëpirë gishtat në kazanin e hallvës që aq shumë ia kanë zili për lezetin, si puna e “Imam efendiu-t” të Ali Asllanit, kur radha për në luftë i takonte “rajasë”(turmës si kope delesh), që shkojnë pas “prijësve” (të verbër) të R. Domanoviqit.

P.S.
Seç m’u kujtua puna e demave që ndiqnin lopën, ndërsa “kau” vraponte mos po hante ndonjë lakër përtej gardhit të thyer, sado që ndër ne nuk le baloja të hajë laroja. Ndaj ne që gjithë jetën patëm gomerë, prore kështu do ta kemi sepse s’na pëlqen zëri i “Atit”, mbetemi gjithmonë pranë detit të pa larë, pranë dritës së pa parë, pranë sofrës të pa ngrënë (o Noli ynë i madh) sa mirë e ke thënë por kujt??!… Mos qani hallin e “humbësit” se ka copën rezervë të mishit po shihni “delet” e qethura nga bariu,- ata (ne) janë (jemi) humbësit e abonuar për jetë. Zoti na bekoftë. Amin!

Tahir Hoda/Strugalajm.com
Nëntor 2017

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

 
Back to top button