Pranvera ”Gjermane” e shqiptarëve të Maqedonisë
Shkruan: Valon Abdulhamidi
Pranvera e 2018-tës të cilën unë kam vendosur ta quaj “pranvera gjermane” është prova më e qartë se durimit të njeriut patjetër se i vije fundi një ditë, se durimi nuk qenka një kategori kaq konstante sa që pandehin këta që po na udhëheqin, pra vjenka një ditë dhe njeriu vendos të mos durojë më asnjë sekondë më shumë, vendos të protestoj për herë të fundit, kësaj radhe duke ikurnga këtu.
Ky njeri që është lodhur duke numëruar sukseset individuale të klasës udhëheqëse dhe dështimet e një pas njëshme kolektive të popullit të udhëhequr (lexo: sunduar) vendosi të hakmerret,..duke u larguar, duke ikur apo për të qenë më preciz, duke u arratisur nga ky burg i hapur në të cilin është shndërruar (për shumicën dërmuese) kjo hapësirë prej rreth 25.000 km/2 e cila emërohet si “Republika e Maqedonisë”( të paktën për momentin).
I RIU DHE PLAKU U BËNË BASHK DHE…..IKËN QË KËTU
Ky i ri që u lodh duke mësuar,duke studiuar, duke u përpjekur por pa asnjë rezultat, u lodh duke parë bashkëmoshatarin e tij të cilin në shkollë të mesme vetëm punëtori teknik që se notonte me “1sh”, duke ia zënë vendin e punës, u lodh duke pritur që ti jepet mundësia që ta ushtroi profesionin e tij, por më kot sepse vendin e tij të punës prej kohësh e kishte zënë dikush i cili paraprakisht ishte punësuar dhe tek pastaj kishte filluar dalëngadalë të mësoi “shkrim-leximin”. U lodh duke duruar por iku për të mos duruar më edhe i sapo-diplomuari si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe i cili refuzoi të jetë vegël partiake. Iku për tia lënë vendin e tij të punës dikujt që nuk është në gjendje as emrin e vet ta shkruaj. Iku edhe ai i mjeku i sapo-diplomuar me rezultate të shkëlqyeshme, iku për tia lënë vendin atij djalit të atij mjekut të njohur në qytet i cili as diti e as deshi ta hap qoftë edhe një herë librin gjatë gjithë kohës sa “studioj” dhe i cili do të na mbys me diagnozë të gabuar nesër apo pasnesër, mua (autorin e shkrimit) apo ty (lexues i nderuar).
U lodh së turpëruari vetëm për faktin se zgjodhi të jetë i ndershëm edhe ai prind i cili kurrë spati mundësinë tia plotësoi as dëshirat minimale fëmijëve të vet dhe rrjedhimisht nuk arriti ti bind ata se të jesh i ndershëm është gjëja e duhur në jetë, ndërkohë që shoku i tij që vendosi të serviloset dhe të prostituohet mori epitetin “prind hero”. Vërtet u lodh së duruari por iku, ..more nuk e bëri fare hesap as faktin se i ka pesëdhjetë e kusur vite. Iku duke lënë pas fëmijët të cilët nuk arriti ti bind se nderi është i shenjtë, duke lënë pas fëmijë të cilët nuk arriti ti bind se atdheu është i shenjtë, për shkak se varfëria nuk i dha leje tiu mbaj leksione morali as fëmijëve të vet, e së fundi nuk e la që as fizikisht të gjendet afër fëmijëve të vet.
Të rinjtë dhe plaku që i përmenda më sipër, ikën ndoshta me të njëjtin autobus, ndoshta me të njëjtin avion të linjës “lowcost”,e së bashku me to edhe shumë të rinj e pleq të tjerë të cilët kanë prerë biletat njëdrejtimëshe drejt të njëjtit destinacion, u nisën për të mos u kthyer më kurrë këtu, në vendin ku u mbjell e u korr korrupsion e krim, ku u kultivuan antivlerat siç janë servilizmi e imoraliteti e ku u shkelën dhe u nëpërkëmbën vlerat e tilla si nderi e morali.
HAKMARJA INTELIGJENTE PO VJEN
Shumë prej nesh e kemi dëgjuar atë frazën që sugjeron se mbrojtja më e mirë është sulmi, ndërsa dyshoj ta keni hasur deri më tash frazën që sugjeron se ikja nganjëherë është sulmi më inteligjent, e ky është rasti me Maqedoninë, këta që po ikin,largohen, arratisen (si të doni quajeni) po e sulmojnë kastën udhëheqëse në formën më intelegjente të mundshme, sepse duke ikur po ua shembin dheun nën këmbë kastës udhëheqëse, sepse pa popull këta udhëheqëssdo kenë më me kë të udhëheqin, që i bie se shumë shpejtë të njëjtët do të jenë “përtokë”, që i bie se shumë shpejtë të njëjtët do ti kthehen “habitatit natyral” të cilit i përkasin e në të cilin urrejnë të gjenden. Fundja gjatë gjithë jetës përpjekja e tyre ka qenë që të ngjiten sa më lartë, në mënyrë që ti ikin sa më larg thellësisë të cilës i përkasin. E si duket edhe pas gjithë përpjekjeve këta përsëri do të dështojnë, sepse disa njerëz janë të destinuar të dështojnë.
Këta të ngratët që deri dje i gënjyen nga një muaj për çdo katër vite (me raste edhe më shpesh se kaq gjatë fushatave elektorale), erdhi një moment dhe nuk janë më…jo jo nuk kanë vdekur as zhdukur, përkundrazi këta tek tash kanë filluar të jetojnë, sepse njeriu jeton me plotë kuptimin e fjalës vetëm atëherë kur është i vyeshëm dhe produktiv..e këta të cilët në sytë e pushtetarëve u panë gjithmonë vetëm si numra (lexo: vota) e kurrë si qenie njerëzore, tash janë shumë të vyeshëm, shumë produktiv si për veten ashtu edhe për rrethin, atje diku në Gjermani ku kanë gjetur “vendlindjen” për shkak se vendlindja e tyre natyrale vendosi të shndërrohet në ferr për ta, ua mbylli të gjitha rrugët, të gjitha dyert por haroi hapur vetëm një derë dhe një rrugë, derën e daljes dhe rrugën për në Gjermani.
Të jemi të sinqertë, apo siç thotë populli “të rrimë shtrembër e të flasim drejtë”, hakmarrja inteligjente sdo të mund të ishte as hakmarrje e as inteligjente nëse sdo të ishte për “babën gjerman” i cili vendosi të na hap derën. Pak për shkak se ai pat nevojë për ne e shumë për shkak se ne patëm nevojë për të, ndodhi e bukura dhe kësaj popullate të lënë pas dore gjithë këto vite i buzëqeshi fati, arritën të shkelin në “tokën e premtuar”, në Gjermani, kësaj radhe me një vizë pune në xhep.