Prindërit e vetëm jetojnë me 25 denarë në ditë

Për vetëm 744 denarë shtesë fëmijësh nga shteti në muaj prindi duhet të kalojë një procedurë të shtrenjtë dhe të vështirë, duke grumbulluar dokumente nga dhjetëra institucione, thuhet në hulumtimin e bërë nga scoop.mk.

“Bija ime quhet Sena. Ajo jeton me mua. Tashmë një vit jam pa punë, ndërsa nga shteti nuk marr as pesë denarë. Përpiqesha tërë vitin, shkoja vazhdimisht t’i lus institucionet për të më ndihmuar disi shteti. Nuk ka institucion ku nuk kam qenë. Kam punuar në një spital privat pesë vjet. Më kanë larguar nga puna sepse fëmija ime e mitur, kur ishte shumë e sëmurë, nuk kishte kush të kujdeset për të. I jam drejtuar Qendrës për Punë Sociale me dokumentin në të cilin shihet se më kanë larguar nga puna. Nga atje më kanë thënë se nuk i intereson që nuk kam punë më, sepse fëmija ime ka marrë alimentacion prej 2.000 denarësh nga babai Suad. As nuk kanë ardhur as nuk kanë pyetur nëse unë me të vërtetë i marr ato 2.000 denarë”.

Kjo është storja e jetës e 34 vjeçares Tereza Hristova nga Shkupi, e cila bën apel për të ndihmuar me një ndihmë juridike falas nga një avokat, sepse ajo është e papunë dhe nuk mund t’i paguajë as faturat e saja. Një storje shumë e ngjashme me storjet e jetës të shumë nënave të vetme dhe familjet me një prind në Maqedoni. Të ngecur në labirintin e institucioneve vazhdimisht kërkojnë ndihmë. Ndihma sociale është e vogël dhe duhet të plotësohen disa kushte të caktuara. Kështu, për vetëm 744 denarë shtesë fëmijësh nga shteti në muaj, prindi duhet të kalojë një procedurë të shtrenjtë dhe të vështirë, duke grumbulluar dokumente nga dhjetëra institucione. Por, edhe nëse e fitojnë këtë shumë, shtesa për fëmijët nuk është e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet elementare.

Paratë nuk janë problemi i vetëm. Prindërit, të cilët janë pjesë e familjeve me një prind, janë të detyruar të punojnë në dy ndërrime sepse kopshtet e fëmijëve punojnë vetëm me ndërrimin e parë. Kjo ngushton zgjedhjen e vendeve të punës në të cilat prindi mund të konkurrojë në tregun e punës – para të gjithash për shkak se shumicat e vendeve të punës parashikojnë më shumë se një ndërrim. Pastaj, ditët për pushim mjekësor janë të pamjaftueshme, kurse punëdhënësit nuk kanë as tolerancë minimale nëse prindi nuk mund të paraqitet pa paralajmërim në punë as për një ditë. Përveç kësaj, këto familje ballafaqohen edhe me ndërprerjen e paparalajmëruar të sigurimit shëndetësor, kështu që janë të detyruar të mjekohen në institucione private, ku mjekimi është shumë i shtrenjtë dhe i paarritshëm për shumicat e këtyre familjeve.

Familjet me një prind, duke kërkuar ndihmë dhe duke i ndihmuar njëri-tjetrit, kanë themeluar shoqatën “Njëra mundet”. Këshillat falas, ndihma psikoterapeutike, ndihma juridike, zgjidhja e çështjeve të banimit, grumbullimi i mjeteve për të paguar llogaritë e bllokuara të anëtarëve, ruajtja e fëmijëve njëri-tjetrit, kërkimi dhe gjetja e punës janë vetëm një pjesë e ndihmave që ofron shoqata, e prindërit nuk e kanë fituar nga shteti.

“Vitin e kaluar kemi realizuar një hulumtim për shtesën e fëmijëve. Sipas hulumtimit, është dashur që gratë vetë të shkojnë nëpër të gjitha institucionet dhe sportelet e tyre në këtë vend, pastaj të nxjerrin dokumentet e tyre, të paguajnë shumë para dhe këto para të mos i marrin nga shteti as pas një viti të përdorimit të shtesës së fëmijëve. Familjet me një prind nga prindërit e divorcuar, kanë të drejtë për të marrë shtesën e fëmijëve kështu që nëse nëna është e papunë deri pak kohë më parë nuk kishte të drejtë të parashtronte dokumente për të marrë shtesën e fëmijëve. Por, nëse jeni të papunë, nëse jeni nënë e vetme dhe nuk e keni të drejtën t’i merrni ato 700 denarë, nuk e di për cilën barazi po flasim në këtë shoqëri”, thotë Doroti Paçkova, kryetare e shoqatës “Njëra mundet”, e cila numëron më shumë se 3000 anëtarë.

Në Maqedoni mungojnë shërbimet 24-orëshe për ndihmë, mungojnë kopshtet me më shumë ndërrime, si dhe regjistrimet me prioritet të fëmijëve në to nga familjet me një prind, por edhe përparësia në punësim. Nënat e vetme jo vetëm që nuk kanë prioritet në tregun e punës, por edhe stigmatizohen në kërkimin e punës, dhe shpesh janë edhe të degraduara. Punëdhënësit shpesh ndajnë qëndrimin se ato nuk mund t’i përkushtohen mjaftë punës për të qenë të suksesshme dhe të afta për t’i sjellë profit kompanisë.

“Unë jam një nënë e vetme e Ilonit, ​​një djalë i shkëlqyeshëm i cili në gusht do të mbushë dy vjet. Si një prind i vetëm, po ballafaqohem me shumë sfida, por nuk do ta kisha ndryshuar ndjenjën e të qenët prind për asnjë gjë tjetër në botë. Sfida ime më e madhe ishte punësimi. Gjatë shtatzënisë isha e siguruar në një kompani, në të cilën vetë i paguaja kontributet për të realizuar të drejtën e kompensimit të lehonisë. Pas skadimit të këtij kompensimi, filloi kërkimi im i punës. Edhe pse e kualifikuar dhe me studime të regjistruara për magjistër, ishte e vështirë të realizoj një intervistë. Në intervistat në të cilat isha shumë shpesh, ajo që je prind i vetëm nuk llogaritej si një arsye plus. Madje në një kompani, menaxherja, e cila ishte nënë e dy fëmijëve, më dha një arsyetim se ka gjasa të mëdha të fillojë ta urrejë punën e vetë, sepse ajo do të ma marrë kohën që duhet ta kaloj me djalin. Dhe nuk më pranuan. Në një mision ndërkombëtar, për të cilin kisha punuar më parë, njëri prej anëtarëve të komisionit në intervistë, ka pasur komente ironike të llojit: a mund ta vëmë beben në këtë qoshe. Është e tmerrshme që njerëzit nuk kanë kulturë dhe vetëdije në lidhje me fatin e njerëzve të tjerë”, na tha përvojën e saj qytetarja e Shkupit, Maja Veliçkova.

Savka Todorovska nga Këshilli Kombëtar i Grave thotë: “Në shoqërinë tonë numri më i madh i të papunëve janë nëna të vetme. Ndoshta ky është një stereotip dhe organizata jonë kujdeset për tejkalimin e stereotipave. Por, në një situatë ku nëna vetë kujdeset për fëmijët, nevojiten shërbime, nevojitet një ndihmë që të mund ajo t’i tejkalojë të gjitha këto probleme, të cilat në fakt janë të çdoditshme dhe ndodhin gjatë gjithë ditës. Prandaj, mesazhi im për shoqërinë është të hapen shërbime të të gjitha llojeve, të cilat do të mund t’ua lehtësojnë punën nënave që ta tejkalojnë problemin e  përkujdesjes së fëmijëve dhe në atë mënyrë të mund të fitojnë mjete dhe të mos jenë me ndihmën sociale”, thotë ajo.

Lobi i Grave i Maqedonisë ekziston që nga viti 2000 dhe përfshin disa shoqata. Edhe pse kanë njohuri të mira për të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen familjet me një prind, ata nuk kanë bërë shumë lidhur me këtë çështje në këto 17 vite. Në pyetjen se çfarë ka bërë deri më tani Lobi i Grave i Maqedonisë për nënat e vetme, kemi marrë këtë përgjigje:

“Deri më tani, një program direkt që merret me çështjen e nënave të vetme nuk kemi pasur. Por, në mënyrë indirekte ato ishin një grup qëllimor i të gjithë programeve tona, sidomos të programeve që janë marrë me diskriminimin e dyfishtë të grave. Së pari në bazë të gjinisë, e pastaj në bazë të nënave të vetme”, na ka shpjeguar Daniella Dimitrievska nga Lobi i Grave i Maqedonisë.

Liljana Popovska, ish-kryetarja e Klubit të Grave Deputete mendon se prindërit e vetëm kurrë nuk kanë pasur ndonjë trajtim të veçantë në shoqëri. “Ato vetëm pjesërisht e kanë fituar ndihmën në kuptimin e njohjes formale të pozitës së tyre dhe në drejtimin e programeve të veçanta shtetërore përmes të cilave kanë hyrë në ato grupe të rrezikuara të cilat fituan prioritetin gjatë ndarjes së banesave, granteve, vetëpunësimit ose për të filluar një biznes, si dhe në pjesën e mbrojtjes si viktima të dhunës në familje. Por, problemi me këto programe ishte se ato kishin një buxhet të vogël”, theksoi ajo. Sipas saj, numri i prindërve të vetëm që kanë hyrë në këto projekte nuk ka qenë i madh dhe shumë prindër kanë mbetur pa ndihmën shtetërore.

 

Loading...
loading...











Loading…


loading…