Aktuale

Prindërit në Maqedoninë e Veriut shpenzojnë deri 200 mijë denarë në vit për rritjen e një fëmije

Prindërit në Maqedoninë e Veriut shpenzojnë deri 200 mijë denarë në vit për rritjen e një fëmije

Rritja e një fëmije në Maqedoninë e Veriut po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme. Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra për Barazi dhe Drejtësi, një prind mesatarisht shpenzon nga 150 deri në 200 mijë denarë në vit, ose rreth 12–16 mijë denarë në muaj, vetëm për të siguruar kushte elementare jetese.

Këto gjetje bazohen në një anketë të realizuar me 650 prindër të fëmijëve të moshave të ndryshme. Sipas hulumtimit, më të prekurat financiarisht janë familjet me foshnja dhe tinejxherë, pasi këto dy grupe kërkojnë më shumë shërbime dhe investime.

“Rezultatet tona përputhen me studimet ndërkombëtare. Shpenzimet janë dukshëm më të larta për periudhat më të hershme dhe më të vonshme të fëmijërisë, ku nevojiten më shumë resurse për arsim, shëndet dhe aktivitete”, theksoi Katerina Shapkova-Kocevska, profesoreshë dhe hulumtuese.

Megjithëse arsimi zyrtarisht konsiderohet falas, prindërit vazhdojnë të përballen me një sërë shpenzimesh të fshehura. Përmes hulumtimit është konstatuar se familjet paguajnë uniforma, libra, materiale higjienike për kopshtet dhe shumë shërbime të tjera që nuk mbulohen nga shteti.

“Analiza tregoi se pas termit ‘falas’ fshihen shumë kosto që rëndojnë buxhetin familjar. Prindërit paguajnë për çdo gjë, nga materiali shkollor deri te shërbimet bazë në kopshte”, u shpreh Neda Çallovska-Dimovska nga Qendra për Barazi dhe Drejtësi.

Sipas prindërve të anketuar, mbështetja e shtetit mbetet e pamjaftueshme, veçanërisht për familjet me dy ose më shumë fëmijë, të cilat rrezikojnë të bien nën vijën e varfërisë.

Organizata kërkon që institucionet të revidojnë politikat demografike, të rrisin subvencionet dhe të krijojnë programe të qëndrueshme mbështetëse për familjet, në mënyrë që rritja e fëmijëve të mos bëhet barrë e papërballueshme.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button