Aktuale

PROF. AGIM VINCA NË MESIN E BUZËDRINASVE NË NJU XHERSI

PROF. AGIM VINCA NË MESIN E BUZËDRINASVE NË NJU XHERSI

Shkruan
Bexhet Asani

                    Në gusht të vitit 1990 prof. Agim Vinca me kolegët e tij Rexhep Qosja, Ali Aliu, Mahmud Hysa dhe Azem Shkreli kanë vizituan Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë vit bëhen 35 vjet nga vizita e profesorëve të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë qëndrimit të tyre në Amerikë ata vizituan “Fondin e Përbashkët Shqiptar” në qytetin Paterson të Nju Xhersit, sot “Qendra Kulturore Shqiptaro – Amerikane në Riverdell të Nju Xhersit. Profesorët e nderuar i ka pritur Faik Istrefi Kryetari i atëhershëm i “Fondit të Përbashkët Shqiptar”. Fondin e Përbashkët Shqiptar e themeloi mësuesi Nazmi Demishai në vitin 1977. 
            Të gjithë profesorët kanë shkruar mbresat e tyre në Librin e përshtypjeve të Fondit të Përbashkët Shqiptar. Ata kanë qenë të befasuar me mikpritjen dhe me arritjet e Fondit të Përbashkët Shqiptar në arsim dhe në kulturë. Le të lexojmë nga Libri i përshtypjeve mbresat e prof. Agim Vincës për “buzëdrinasit” e tij. Proesorët i ka ngazëllyer mikpritja e struganëve në Paterson të Nju Xhersit. 
           Midis tjerash prof. Agim vinca shkruan:  
  
  1. VIII.1990
    Vizita në Fondin e Përbashkët Shqiptar qe për mua një befasi e këndshme. Më vjen mirë që b u z ë d r i na s i t e mi kanë ditur ta gjejnë mënyrën më të mirë si ta organizojnë jetën e tyre kulturore, arsimore dhe kombëtare këtu në mërgim. Lokalet e Fondit dhe të Shkollës, të stolisura me fotografitë e shëmbëlltyrave të Rilindjes sonë Kombëtare, janë me të vërtetë frymëzuese. Ky është ambienti më shqiptar që kam hasur deri tash në mesin e bashkatdhetarëve tanë këtu në SHBA.
    Uroj që të vazhdoni kështu: ta vazhdoni veprimtarinë Tuaj për ruajtjen e gjuhës, të shkollës dhe të fjalës shqipe.
    Uroj që fëmijët tuaj ta flasin dhe ta shkruajnë shqipen tonë të bukur. Sepse gjuha është tipari themelor i kombit. Ajo është, si thotë L(asgush) Poradeci “zemra e kombësisë”.
    Qofshi shëndosh dhe të gëzuar! Qofshi gjithmonë degë e njomë dhe e fortë e trungut tonë të përbashkët kombëtar!
    Mirë u pafshim në Kosovë dhe në vendlindjen (vendlindjet) tonë – a të bukur-a, atje buzë liqenit dhe Drinit të Zi!
    Juaji
    Agim Vinca

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button