Prof.dr. Agim Vinca për 85-vjetorin e lindjes së Profesor Rexhep Qosjes

Nga Agim Vinca

Të flasësh për Profesor Rexhep Qosjen është punë e lehtë dhe e vështirë njëkohësisht. “E lehtë”, sepse për të dhe veprën e tij ke çka të thuash në çdo kohë dhe “e vështirë”, sepse çkado që të thuash për këtë vepër dhe autorin e saj, përsëri do t’u mbetesh borxh.
E kanë quajtur “figurë poliedrike” dhe “korife i kritikës shqipe”, por ai është shumë më shumë se kaq. Rexhep Qosja ka luajtur, me veprën dhe krijimtarinë e tij, rolin e një institucioni në jetën tonë kulturore dhe jo vetëm.
Kritik letrar, historian i letërsisë, publicist, polemist, prozator, dramaturg, eseist dhe intelektual i angazhuar në kuptimin sartrian të fjalës, Rexhep Qosja është krijues dhe intelektual që e karakterizon dija, guximi, erudicioni dhe vizioni historik. Si i tillë, ai është pozicionuar drejt në situatat nëpër të cilat kanë kaluar Kosova dhe shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe sidomos pas vitit 1990, kur çështja kombëtare u bë lajtmotiv i veprës së tij[1] .
Rexhep Qosja është në radhë të parë shkrimtar dhe studiues me një opus të gjerë krijues, gati të paparë në letrat shqipe.
Pothuajse nuk ka formë letrare që s’e ka provuar deri më sot. Vetëm poezi, me sa dimë, nuk ka shkruar, jo pse e nënçmon poezinë, por pse e konsideron veten të patalentuar për të shkruar poezi, edhe pse në dramat dhe romanet e tij ka pasazhe lirike që tingëllojnë si poezi. Poezi nuk ka shkruar, por ka shkruar për poetët më të shquar shqiptarë dhe ka hartuar të parën antologji të poezisë shqipe “me kritere estetike”: Antologjia e lirikës shqipe prej De Radës e këndej (1970).
Profesor Qosja është historian i letërsisë dhe kritik letrar, për të cilin mund të thuhet se ka themeluar një shkollë të vetën historiko-letrare ndër ne. Disa e quajnë kritikë integrale, por në fakt, siç thuhet në parathënien e veprës Historia e letërsisë shqipe-Romantizmi (1-3), që mund të shërbejë si model si shkruhet historia e letërsisë, ajo “heton ligjësoritë e brendshme të strukturës letrare në raport me marrëdhëniet jashtëtekstore” dhe ”kombinon rrafshin diakronik me atë sinkronik”.
Prej pozitash të tilla teorike ky studiues i është qasur veprës së shkrimtarëve më të shquar shqiptarë të Rilindjes Kombëtare: Naum Veqilharxhi, Jeronim de Rada, Anton Santori, Thimi Mitko, Jani Vreto, Pashko Vasa, Gavril Dara i Ri, Kostandin Kristoforidhi, Zef Serembe, Naim Frashëri, Ndue Bytyçi, Sami Frashëri, Filip Shiroka, Zef Skiroi dhe Ndre Mjeda; të shkrimtaërve të periudhës mes dy luftërave botërore: Çajupi, Asdreni, Fishta, Konica, Noli, Lasgushi, Migjeni etj., si dhe krijimtarisë së shkrimtarëve bashkëkohorë: Esad Mekuli, Hivzi Sulejmani, Josip Rela, Enver Gjerqeku, Din Mehmeti, Adem Demaçi, Rrahman Dedaj, Anton Pashku, Jakov Xoxa (Lumi i vdekur), Ismail Kadare (Kështjella), Sabri Godo (Skënderbeu) etj.
Rexhep Qosja është kritik letrar, i cili, sidomos në fillimet e tij krijuese, ka ndjekur zhvillimin aktual të letërsisë shqipe, duke e zhdukur kufirin artificial që ndante letërsinë që krijohej në Shqipërinë shtetërore me atë që krijohej në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Mund të thuhet lirisht, prandaj, se me daljen e tij në skenën letrare në gjysmën e dytë të viteve ’60 fillon procesi i integrimit shpirtëror të shqiptarëve, sidomos në planin gjuhësor, letrar e kulturor, proces ky që do të ndërpritet dhunshëm pas vitit 1981.
Rexhep Qosja si studiues i letërsisë, por edhe si publicist dhe intelektual, mund të konsiderohet artikuluesi i parë dhe kryesor i vetëdijes mbi ekzistimin e një kulture dhe letërsie shqipe, qasje kjo që do të ndiqet edhe nga studiues të tjerë më vonë, kryesisht vazhdues të tij.
Përveçse kritik letrar dhe historian i letërsisë, Rexhep Qosja është edhe eseist, kulturolog dhe polemist i shquar. Ai konsideron se detyrë, obligim moral i një krijuesi është të kujdeset për shëndetin mental të kulturës kombëtare dhe këtë rol, aspak të lehtë, është kujdesur ta luajë dhe e ka luajtur, me sukses, edhe në periudhën e socializmit, edhe në erën postkomuniste. Në qoftë se para vitit 1990 është angazhuar për zgjerimin e kufijve të lirisë krijuese, duke iu kundërvënë formave të kufizimit të kësaj lirie nga sistemet totalitare, në periudhën e tranzicionit, i është kundërvënë keqpërdorimit të lirisë së fjalës në jetën publike.
Kundërshtar i realizmit socialist si teori dhe praktikë krijuese, madje edhe në kohën kur ky përcaktim tërhiqte me vete konsekuenca të ndryshme, ai do të konstatojë me keqardhje se edhe pas përmbysjes së sistemit komunist, do të vazhdojë në jetën letrare dhe kulturore shqiptare, mendësia e vardisjes pushtetit e pushtetarëve, një lloj partishmërie e re, pa atributin “proletare”, që frymëzohet nga politika autokratike, e cila fjalën demokraci e ka stoli, por jo edhe përmbajtje.
Diskutimi në Kongresin e Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Novi Sad kujtohet edhe sot si një akt guximi intelektual. Ky ishte zëri i një intelektuali shqiptar, që i kundërvihej propagandës (dhe politikës) antishqiptare. Njeriu që në vitin 1985, në kohën e heshtjes së madhe, pati guxim t’i thoshte në sy kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë, famëkeqit Bullatoviq dhe krejt opinionit jugosllav, se pretendimi se shqiptarët bëjnë presion mbi serbët për shpërngulje nga Kosova është “fantazi zhylverniane”, do t’u kundërvihet, më vonë, me forcë e guxim si gjithmonë, tendencave çintegruese e prapavajtëse në kulturën dhe jetën e shqiptarëve; ringjalljes së paragjykimeve të vjetra krahinore e fetare; idesë së marrë të krijimit të “identitetit kosovar”; kërkesës absurde për rishikimin e gjuhës standarde shqipe dhe sa e sa anomalive të tjera, që mund të lexohen e dëgjohen për çdo ditë jo vetëm në media dhe në të të ashtuquajturat “rrjete sociale” dhe, jo rrallë, edhe në institucione shkencore, kulturore e arsimore, si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë.
Nuk e di a e pati më lehtë atëherë kur duhej ta luante, pothuajse i vetëm, rolin e “gjahtarit të frikës” apo më vonë, thuajse gjithmonë, të “gjahtarit” të marrëzive të shumta në jetën tonë?
Nga perspektiva e sotme mund të themi se në qoftë se deri në vitet 2000 për Rexhep Qosjen është folur në radhë të parë si për kritikun dhe historianin e shquar të letërsisë shqipe, çfarë vazhdon të jetë edhe më tutje, pas botimit të veprave në prozë: Një dashuri dhe shtatë faje (2003), I ringjalluri i penduar (2002), Nata është dita jonë (2007), romanit të madh në dy vëllime Bijtë e askujt (2010) dhe, së fundi, romanit Të fshehtat e treguara (2020), me nëntitullin: Roman omnibus me dokumente reale dhe imagjinare, duhet të flitet gjithnjë e më seriozisht dhe, madje, detyrimisht, për Rexhep Qosjen shkrimtar. Rexhep Qosja është sot pa dyshim njëri nga romancierët më në zë dhe më të rëndësishëm shqiptarë.
Romanet e tij trajtojnë tema të patrajtuara më parë në prozën shqipe dhe sjellin forma të reja shprehëse dhe struktura të reja narrative, që e thyejnë linearitetin e romanit tradicional, por pa hequr dorë krejtësisht nga tradita e madhe e romanit evropian të shekullit XIX dhe XX.
Nuk mund të flitet për Rexhep Qosjen si shkrimtar pa përmendur romanin Vdekja më vjen prej syve të tillë (1974), që është vepra e tij më e njohur dhe më e suksesshme letrare (e përkthyer në disa gjuhë botërore: frëngjisht, holandisht, italisht, greqisht etj.), botimi i së cilës 40 e sa vjet më parë qe një befasi për lexuesin shqiptar.
Në një nga tregimet e këtij romani me strukturë specifike, personazhi kryesor, Xhezairi i Gjikës, që jeton në qytetin e Vajazanit, duke përsiatur për rolin e letërsisë dhe misionin e shkrimtarit, thotë: “shkrimtari ose duhet t’i flasë gjinisë së vet për gjëra të rëndësishme ose nuk duhet të shkruajë fare” dhe se ajo që krijon ai, pavarësisht nga zhanri që i përket, duhet“të ketë domethënien e vet tronditëse”.
Ky mendim, që shpreh thelbin e konceptit estetik të Qosjes si shkrimtar, shqiptohej në një kohë kur letërsia shqipe, në njërën anë, notonte në ujërat e dogmës ideologjike, që lustronte realitetin dhe rrafshonte kontradiktat shoqërore, kurse, në anën tjetër, mbyllej në kullën e fildishtë të një modernizmi e hermetizmi shterp, që abstenonte nga çdo realitet konkret historik ose fliste përçart për të.
Tipi i parë i letërsisë, ai socrealist, që krijohej në Shqipëri, ofronte idilën e realitetit, kurse i dyti, ai folklorik dhe estetizant, që krijohej në Kosovë, ofronte iluzionin e tij.
Vdekja më vjen prej syve të tillë, vepër e një autori që më parë se në krijimtarinë letrare imagjinare kishte dhënë prova në studimin e letërsisë dhe që kishte asimiluar traditën e madhe letrare evropiane, sidomos nga Renesansa e këndej, me theks te letërsia moderne, vinte si një vepër që do t’u kundërvihej këtyre dy modeleve anakronike të letërsisë shqipe dhe që do të inauguronte ndër ne prozën që flet për realitetin jetësor në plan historik dhe për shpirtin e njeriut si individ, duke përdorur mjete dhe teknika të artit modern e postmodern.
Ky koncept për romanin, sikurse dhe përvoja e shkrimit të tij, do të zgjerohet në romanet e mëvonshme të Qosjes, që përbëjnë një korpus të rëndësishëm të prozës shqipe të kohës sonë. Konform idesë se romani i sotëm: “është një thes ku gjen gjithçka: prozë, poezi, dramë, sprovë, ditar, shkencë, filozofi, parashikime, mitologji, astrologji”, romanet e Rexhep Qosjes, sikundër edhe veprat e tij të tjera letrare e shkencore, ofrojnë të dhëna të shumta nga të gjithë këta lëmenj të jetës dhe dijes, gjë që është rezultat i natyrës së tyre të hapur si vepra, por edhe i kulturës së gjerë të autorit të tyre si krijues erudit.
Le të theksojmë se edhe dramat e tij (Mite të zhveshura) e thellojnë konceptin mbi artin letrar si mjet për çmistifikimin e traditës dhe historisë nëpërmjet zhveshjes së miteve të rreme dhe mekanizmave të tyre shtypës.
Nga sa u tha më lart, mund të përfundojmë se vepra e akademik Rexhep Qosjes është e madhe jo vetëm si vëllim, por edhe si vlerë. Ajo i flet lexuesit për probleme të rëndësishme shoqërore, sociale, etike e ekzistenciale, kombëtare e universale, përfshirë edhe dimensionin metafizik të jetës njerëzore, aq deficitar në letërsinë shqipe.
Rexhep Qosja është krijues i mëvetësishëm jo vetëm me temat që trajton, me problemet që ngre, me idetë që shpreh dhe mesazhet që transmeton, por edhe me mënyrën si i kompozon veprat e veta, qofshin ato letrare a shkencore, si dhe me kujdesin që tregon për gjuhën dhe stilin, i bindur se idetë vdesin, vjetrohen, por stili jo. Të shkruash vepra që nuk harrohen është porosia e madhe e këtij autori, vepra që si tip shkrimi i takojnë shkrimit modern, në të vërtetë gjedhes kritike të të menduarit, e jo shkrimit ideologjik dhe folklorik.
Në vitin 2010 u botua vepra e plotë e akademik Rexhep Qosjes në 29 vëllime. Në këtë komplet, veprat e Profesor Qosjes janë radhitur sipas këtij kriteri: 1. Vepra historiko-letrare, 2. Vepra letrare, 3. Vepra historike dhe historiko-dokumentare, 4. Vepra publicistike dhe 5. Vepra polemike.
Vetë kjo strukturë flet mjaft për vëllimin, laryshinë, peshën dhe rëndësinë e veprës së Akademik Rexhep Qosjes dhe për punën e madhe që ka bërë dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë ai në fusha të ndryshme të dijes.
Në vitet e fundit (nga viti 2014 e këndej) bibliografisë së gjerë të Rexhep Qosjes iu shtua edhe një vepër kapitale: ditari i tij në nëntë vëllime Dëshmitar në kohë historike. Ky ditar, që përfshin një periudhë gjysmëshekullore, e pasuron opusin krijues të Rexhep Qosjes, veprën e tij, duke i dhënë asaj një dimension të ri, që ajo e ka pasur gjithmonë, por tani e mbithekson: vetinë e të dëshmuarit për historinë. Fjala është për një vepër me një regjistër jashtëzakonisht të gjerë temash, ngjarjesh, personazhesh, idesh, përjetimesh e përsiatjesh dhe me një shumësi qasjesh, stilesh e diskursesh, që e bëjnë atë një vepër të madhe dokumentare dhe letrare.
Pas 29 vëllimeve të Kompletit, më të madhit në kulturën shqiptare, ja edhe 9 vëllime të ditarit Dëshmitar në kohë historike (tetë të parat tashmë janë në duart e lexuesve, kurse i nënti në duart e autorit, që po e përgatit për botim, me makinën e tij legjendare “Olivetti”, me të cilën punon pa pushim). Duket e pabesueshme se si ka mundur të krijohet kjo vepër, ky opus gjigant, gjatë një jete njerëzore, aq më shumë në një mjedis provincial çfarë është Prishtina jonë përballë metropolave evropiane.
Me veprën e tij të madhe letrare e shkencore, publicistike e intelektuale, por edhe kombëtare, Profesor Rexhep Qosja, i ka ngritur vetes një monument të pavdekshëm. “Exegi monumentum”, tamam ashtu siç pat thënë Horaci i lashtë dhe pas tij, shekuj më pas, Pushkini i madh: “Një monument i ngrita vetes/ më të qëndrueshëm se bronzi dhe më të lartë se piramidat mbretërore…”.
Edhe në moshën që ka, vazhdon të zhvillojë luftë në dy fronte, duke gjetur kohë që, krahas punës së madhe krijuese, letrare e shkencore, që është vokacioni i tij kryesor, të flasë edhe për proceset nëpër të cilat kalon shoqëria shqiptare dhe problemet me të cilat përballet ajo, si korrupsioni, nepotizmi, pasurimi i paligjshëm, abuzimi me pushtetin e të tjera, të cilat i ka trajtuar jo vetëm në intervistat e shumta dhe shkrimet e botuara në shtyp, por edhe në librin Pushteti i korruptuar (2016). Fjala është për një krijues me mendim të pamposhtur dhe me energji të pashtershme krijuese. “Ushtoni o bori të mendimit përjetë!” – do të thoshte gjeniu Viktor Hygo.
Dhe, në fund, duke e përshëndetur nismën e Kolegjit AAB dhe të Institutit Albanologjik, që ta shënojnë bashkërisht 85-vjetorin e lindjes së Profesor Rexhep Qosjes, më lejoni, të nderuar miq dhe kolegë, që Profesorit dhe mikut tonë të dashur t’i urojmë jetë të gjatë e shëndet të plotë, si dhe punë të frytshme krijuese edhe në të ardhmen.
Ju falemnderit!StrugaLajm

(Fjalë e mbajtur në shënimin e 85-vjetorit të lindjes së Profesor Rexhep Qosjes, më 24 qershor 2021, në Kolegjin AAB në Prishtinë)StrugaLajm


Loading...
loading...