Prof. Dr. Vullnet Ameti rizgjidhet Rektor i Universitetit të Tetovës

Prof. Dr. Vullnet Ameti u rizgjodh Rektor i Universitetit të Tetovës

Në Universitetin e Tetovës, sot u organizuan zgjedhjet për Rektor për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Kryetari i Komisionit zgjedhor për zgjedhjen e Rektorit, Prof. Dr. Ejup Ajdini, i shoqëruar edhe nga anëtarët e Senatit të Universitetit të Tetovës dhe dy kandidatët për Rektorë, në një takim me gazetarët bëri të ditur përmbylljen me sukses të këtij procesi.“Në fillim, Ju falënderoj për interesin e treguar për aktivitetet e Universitetit të Tetovës, për çka, në këtë drejtim, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit zgjedhor për zgjedhjen e Rektorit të Universitetit të Tetovës, kam nderin e veçantë të Ju informoj se në Universitetin e Tetovës sot u zgjodh Rektori i cili do të udhëheqë me Universitetin në katër vitet e ardhshme. E shfrytëzoj rastin që shkurtimisht të Ju informoj për masat e ndërmarra dhe aktivitetet në lidhje me procedurën e zgjedhjes së Rektorit të Universitetit të Tetovës, në pajtim me Ligjin për Arsimin e lartë dhe Statutin e Universitetit të Tetovës, edhe atë: Këshilli i Rektoratit, në mbledhjen e mbajtur më 18.05.2017 solli Vendim për inicimin e procedurës për zgjedhje të Rektorit të Universitetit të Tetovës; Senati i Universitetit, në mbledhjen e mbajtur më 19.05.2017 solli Kriteret për propozim dhe zgjedhje të Rektorit të Universitetit të Tetovës; Në pajtim me Kriteret për propozim dhe zgjedhje të rektorit, këshillat mësimorë-shkencorë të fakulteteve dhe këshillat e instituteve shkencore në përbërje të Universitetit propozuan kandidatë për rektor nga përbërja e tyre, me arsyetimet përkatëse; Kandidatët për rektor të Universitetit dorëzuan deri te Këshilli i Rektoratit programin për punën me Universitetin për periudhën 4 (katër) vjeçare dhe mënyrën e realizimit të programit; Kandidatët, po ashtu dorëzuan pëlqim me shkrim për pranimin e kandidaturës nga këshillat mësimorë-shkencorë të fakulteteve të Universitetit; Këshilli i Rektoratit në mbledhjen e mbajtur më 20.06.2017 solli Vendim për përcaktimin e dy kandidatëve për zgjedhje të Rektorit të Universitetit të Tetovës, edhe atë: Dr. Vullnet Ameti – profesor i rregullt, dhe Dr. Alifeta Selimi – profesor i rregullt. Procedurën për zgjedhje të kandidatëve e zbatoi Komision zgjedhor i zgjedhur nga Këshilli i Rektoratit”, tha Prof.Dr. Ejup Ajdini, kryetar i Komisionit zgjedhor.

Po ashtu, ai më tej shtoi se Senati i Universitetit të Tetovës, në bazë të propozimit të Këshillit të Rektoratit, në mbledhjen e mbajtur sot, më 21.06.2017, në të cilën morrën pjesë më shumë se 2/3 e anëtarëve të Senatit, me çrast ishin të plotësuara kushtet themelore ligjore dhe statutare, vazhdoi me procedurën e zgjedhjes së Rektorit të Universitetit të Tetovës. “Procedurën për zgjedhjen e Rektorit e zbatoi Komisoni zgjedhor, i emëruar nga Senati i Universitetit, në këtë përbërje: 1. Prof. Dr. Ejup Ajdini – kryetar, 2. Prof. Dr. Naser Ademi – anëtar, 3. Nora Adili anëtare – studente. Pas votimit të fshehtë, Komisioni zgjedhor përcaktoi se kandidati Dr. Vullnet Ameti – profesor i rregullt, ka marrë gjithsejt 22 vota, ndërsa kandidati Dr. Alifeta Selimi – profesor i rregullt, ka marrë gjithsejt 3 vota.
Në bazë të rezultateve të votimit, për Rektor të Universitetit të Tetovës për periudhën e ardhshme katërvjeçare është zgjedhur Dr. Vullnet Ameti – profesor i rregullt, të cilit i dëshirojmë sukses në zbatimin e Platformës së pasur programore për punën e Universitetit. Është e vlefshme që të përmendet se, e tërë procedura, falë shërbimeve profesionale-administative e udhëhequr nga Sekretari i përgjithshëm, është realizuar në pajtim me normat pozitive ligjore dhe normat statutare, dhe është realizuar në kornizat e afatit të përcaktuar ligjor”, theksoi mes tjerash kryetari i Komisionit zgjedhor, Prof.Dr. Ejup Ajdini.StrugaLajmStrugaLajm

Më pas, gazetarëve, senatorëve, dekanëve, studentëve dhe mbarë opinionit publik ju drejtua edhe Rektori Prof.Dr.Vullnet Ameti, i cili u rizgjodh në këtë detyrë edhe për një mandat katërvjeçar. Sipas tij, verdikti i sotëm i Senatit të Universitetit të Tetovës për rizgjedhjen e tij në postin e Rektorit në mandatin 4-vjeçar, paraqet një privilegj dhe një detyrim njëkohësisht. “Është një privilegj, sepse të të besohet posti i Rektorit i këtij Universiteti të lindur dhe rritur nga populli, për të cilin është derdhur gjak dhe është ndarë kafshata e gojës e shumë familjeve nga Tetova dhe mbarë trevat shqiptare, është vërtet një nder i madh, bekim nga Zoti, megjithatë ky post ndërlidhet me detyrimin jo vetëm profesional, por edhe moral e kombëtar, sepse gjithë këtë korpus vlerash, duhet ta mbrojmë dhe ta çojmë përpara për të mirën e gjeneratave të reja dhe mbarë shoqërisë. Besimi i dhënë nga ana e profesoratit, studentëve, Këshillit të Rektoratit, Senatit të Universitetit të Tetovës dhe mbarë komunitetit akademik, më impenjon mua edhe më shumë që t’i përvesh mëngët dhe, së bashku me bashkëpunëtorët e mi të afërt, të vihem në shërbim të komunitetit akademik, studentëve dhe profesorëve, si dhe mbarë shoqërisë, por edhe të shënojmë hapa të rëndësishëm në konsolidimin sa më të mirë të Universitetit, në krijimin e kushteve infrastrukturore, avancimin e procesit të mësimdhënies dhe krijimit të një ambienti të volitshëm për hulumtime shkencore, që do të shpie në avancimin edhe të politikave shtetërore, kulturës, qytetërimit, kohezionit ndëretnik, tregut të punës dhe mirëqenies qytetare”, u shpreh Prof.Dr. Vullnet Ameti, Rektor i Universitetit të Tetovës.
Ai, gjithashtu i falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur kandidaturën e tij edhe për një mandat të ri, duke shtuar se besimin e tyre do ta materializojë në të mirë të vet Universitetit të Tetovës dhe mbarë shoqërisë shqiptare në përgjithësi. “Me këtë rast, dua t’i falënderoj të gjithë Këshillat mësimorë-shkencorë të njësive akademike të Universitetit të Tetovës, të cilët pa hezitim e mbështetën kandidaturën time, Parlamentin studentor, Këshillin e Rektoratit dhe Senatin e Universitetit të Tetovës, të cilët me votën e tyre njëzëri ma besuan postin e Rektorit, duke ua dhënë fuqimisht fjalën, se unë, Vullnet Ameti, do ta materializoj votën e tyre për të mirën e Universitetit të Tetovës, gjeneratave të reja dhe mbarë popullatës së këtyre trevave. Këtë e kam dëshmuar edhe në mandatin e parë dhe, do ta dëshmoj edhe më fuqishëm, edhe në mandatin tim të dytë.
Populli ynë, rinia jonë, pret nga ne dhe ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër, përpos, që edhe nëse duhet, ta sakrifikojmë veten tonë për mirëqenien e tyre fizike dhe shpirtërore. Zoti e bekoftë Universitetin e Tetovës!”, shtoi më tej Rektori i UT-së, Prof.Dr. Vullnet Ameti.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof.Dr. Vullnet Ameti në krye të UT-së për herë të parë u zgjodh më 13 shtator të vitit 2013, ndërsa sot Senati i Universitetit ia besoi edhe një mandat katërvjeçar për ta udhëhequr Universitetin e Tetovës.StrugaLajm

Zyra për informim

In : Aktuale

Loading...
loading...