Aktuale

Promovohet libri i ambasadorit slloven “Bazat e diplomacisë”

 

6 Korrik 2017
Në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup, të enjten (6 korrik 2017), u promovua libri i përkthyer në shqip i ambasadorit të Sllovenisë në Shkup, Prof. Dr. Milan Jazbec, me titull “Bazat e Diplomacisë”. Në promovim morën pjesë, ambasadorë, ish ambasadorë, profesorë dhe studiues të diplomacisë.

 

Universiteti ynë gjithmonë do t’i mbështesë dhe do t’i nxisë të gjitha nismat, idetë dhe projektet që si synim përfundimtar e kanë zhvillimin e dijes profesionale dhe shkencore, tha në fjalën e tij përshëndetëse rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika.

“Kur për herë të parë e pata në duar librin “Bazat e diplomacisë”, të cilin po e promovojmë sot, thash “po, këtë libër duhet ta kenë të gjithë studentët, të gjithë studiuesit edhe në shqip”. Kështu edhe ndodhi, kurse rezultatin po e shohim sot në këtë amfiteatër dhe në këtë universitet. Diplomacia është fushë e gjerë dhe për të kanë shkruar, kanë hulumtuar dhe kanë kontribuuar shumë autorë, por mendoj se libri i prof. Jazbec paraqet një kontribut origjinal shkencor për diplomacinë, i cili i plotëson dhe pasuron bibliotekat tona universitare në këtë fushë”, tha mes tjerash rektori Dika.

Prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare, ish-ambasadori Prof. Dr. Blerim Reka, në recensionin e tij vuri në pah rëndësinë e librit si burim praktikash dhe informatash për studentët e diplomacisë, por edhe të studiuesve të tjerë, që diplomacinë e kanë si pjesë të kërkimeve të tyre.

Prof. Dr. Ylber Sela, në vështrimin e tij rreth librit, duke e vlerësuar atë si shumë të arrirë në fushën e diplomacisë, tha se libri ka një metodologji të qartë, është lehtë i kuptueshëm dhe mund të shërbej si burim i rëndësishëm gjatë studimeve të diplomacisë.

Doc. Dr. Demush Bajrami, e theksoi bashkëpunimin që ambasadori ka me Universitetin dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi, siç u shpreh ai, u realizua edhe botimi nga UEJL i versionit shqip të librit “Bazat e diplomacisë”.

Autori i librit, ambasadori Prof. Dr. Milan Jazbec, tha se ndjehet i nderuar për këtë ngjarje të organizuar nga Universiteti i Evropës Juglindore, pa ndihmën e të cilit ndoshta ky libër nuk do të gjente rrugën e botimit.

“Jam munduar që librin ta shkruaj jo vetëm si tekst shkollor, por edhe si udhëzues praktik se si duhet të krijohet dhe organizohet vetë diplomacia”, tha prof. Jazbec.

Versioni shqip i librit është botuar nga Universiteti i Evropës Juglindore.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

 
Back to top button