BLENDI PETROL
Aktuale

Pse babai im e vrau majorin Pavle?

Shkruan Nafi ÇEGRANI

(E vështirë është të jesh njeri i drejtë dhe i vërtetë )

Kur Brigada e VII shqiptare që kthehej nga Fronti i Sremit duke bërë spastrime të hordhive çetnike në malet e Shumadisë të anëve të Çaçakut, babait tim Tekiut, edhe dy shqiptareve te tjerë, njëri nga fshati Rakovec, emrin e kanë quajtur Xhevit, dhe tjetri nga Zhelina, u është dhënë urdhër i prerë ushtarako-luftarak që të bënin roje të ashtuquajtur “mrtva strazha” (roja e vdekjes), në një grykë malesh mbi fshatin e quajtur Zabllaçe, ku ka qene e vetmja rrugëz ku do të kalonin një grup i armatosur çetnikësh të Drazha Mihajloviçit…. Shqiptarët si gjithnjë, që kanë qenë trima e të guximshëm, të besës dhe të pushkës, asaj nate të errët skëterre u nisën përpjetë grykës së maleve me shkëmbinj të thepisur e të zinj, pa kurrfarë frike….Këtë urdhër e ka dhënë njëri nga komandantët e Brigadës Nafi Sulejmani i Manastirit. Por, Pavlja, një oficer tjetër i kësaj Brigade, i cili ishte në turnin e kujdestarisë së asaj nate të tmerrshme, dhe sipas rrëfimeve të bashkëluftëtarit Mazar Lena nga Struga, e fliste shqipen më mirë se shqiptari, ishte nga Dibra, por i njohur si antishqiptar i hatashëm dhe kryeneç, dhe që kishte dëshirë t’i nënçmonte dhe keqtrajtonte shqiptarët-luftëtarë të kësaj Brigade me qëllime të caktuara shoviniste. Ai e kishte përgatitur skenarin për tre shqiptarët e “Rojës së vdekjes”, duke e caktuar roje Tekiun e Çegranit, Zabedinin e Zhelinës dhe një nga Rakoveci, emri i të cilit nuk më kujtohet për momentin, duke e vënë Tekiun në grykën ku do të sulmonin çetnikët dhe dy shqiptarët e tjerë anash, sipas strategjisë luftarake. Majori Pavle ia kishte dorëzuar mitralozin Tekiut, por me municion qorr- manovrash, ndërsa dy të tjetër ishin furnizuar me municionin e duhur. “Pasi u vunë në vendin e caktuar, rrëfen Mazar Lena, Tekiu u habit disi duke menduar: mos vallë është ndonjë gabim i rastësishëm dhe ua kishte qarë hallin dy bashkëluftëtarëve të vetë, Zabedinit dhe djaloshit nga Rakoveci….Por ata pa e bërë dysh, siç e ka zakon shqiptari në frontin e luftës ndanë prej municionit të tyre dhe i dhanë Tekiut dy gjerdanë, të cilat ky i fundit i vendosi në mitralozin e tij, duke bërë roje sipas urdhrit”, -do të thoshte Ferit Elezi, major Brigade nga Çajla. Dhe, ndërsa vazhdonte rrëfimin Mazar Lena, ky burrë fisnik dhe i zgjuar, një enciklopedi vërtet e madhe në rrëfimet e tij mbi fatet tragjike dhe sagat e shqiptarëve, mua me vinte ndër mend kënga tipike e Arif Sinanit, të cilën shpesh babai im e këndonteme aq adhurim në odat e burrave në Çegran, kur vinin miq gjatë dimrit dhe bëhej muhabet sipas traditës….dhe pleqtë i thoshin: Aferim, të lumtë or Teki! Ndoshta ata burra si Emerlla Sallaku, Sefe Peçi e shumë të tjerë e kanë ditur përse babai im e ka kënduar këtë këngë….-“Aty rreth mesnate, – vazhdon rrëfimin rrëqethës Mazar Lena, -Majori Pavle i shoqëruar edhe me dy oficerë të tjerë, pasi e kishin marrë me vete shishen me Shlivovicë, me qëllime provokuese, ishin marrë vesh që të shkonin e ta gjenin në gjumë Tekiun edhe t’ia merrnin armën. Kur u nisën përroit përpjetë hëna sapo kishte dalë gjysmë e plotë, duke bërë të mundur që hijet e njeriut të dukeshin mirë edhe në një largësi prej 150-200 metrash. Pavlja i hypur në kal të bardhë i cili shkëlqente në dritë të hënës dhe dy oficerët që e shoqëronin ecnin duke qeshur dhe kënduar këngë serbe. Kur u afruan 200-300 metra (këtë e dëshmojë edhe Abdurahim Sinani nga Çellopeku si edhe Çelë Xhaferi nga Çegrani), babai im edhe pse urdhri ishte që në rast kalimi të Çetnikëve, të mos ndaloheshin, siç më tregonte edhe vetë kur unë u rrita, bërtiti me një zë kumbues në gjuhën serbo-kroate: “Stoj pucam”, (ndal se do të qëlloj!), ata nuk ndaluan por vazhduan rrugën e përroit me gurë, madje edhe duke sharë në gjuhën serbe. Babai im i habitur kishte menduar me vete: “Po këta sikur e ditkan që ne rojet jemi shqiptarë. Ai i kishte futur objektivat në shënjestrën e mitralozit, gati për të hapur zjarr. U kishte thirrur edhe njëherë që të ndalonin dhe menjëherë qëlloi me breshëri. Përroi u mbush me flakë, malet oshtinë nga të shtënat, dhe bashkë me oshtimën u përzien zëra dhe rënkime: “Ne pucja, mi smo, nashi oficiii… rrriii” (Mos gjuaj, jemi ne oficerët). Mitralozi pushoi për disa çast, por malet ende gjëmonin nga oshëtima. Ndoshta edhe Zabllaça dhe fshatrat malor përreth të Shumadisë, duhet të ishte zgjuar nga ëndrrat e pambaruara prej atyre të shtënave, të cilat trishtueshëm përplaseshin nëpër shkëmbinj theporë, duke formuar një kurorë të madhe përtej pellgjeve, deri në horizont. Majori Pavle dhe dy oficerët që e shoqëronin mbetën të vrarë në vend. Dhe përsëri më kujtohej kënga e Arif Sinanit, të cilën e këndote edhe sot populli: (kënga përshkruan se si komandanti serb që i urrente shqiptarët shkon t’i marrë pushkën atij gjatë shërbimit pasi e gjen në gjumë). Mendoj se kjo ka ndodhur në “koha e Serbisë së vjetër”, dhe ja që gjërat përsëriten sërish gjatë historisë.

,,Po, ashtu është!,,- do të kenë thënë luftëtarët shqiptarë të Brigadës, duke hudhur armët e tyre në tokë në shenj proteste kur e kishin nxjerr komandantat tjerë të Brigadës si Nafi Sulejmani, Hasan Tuhini etj. që ta pushkatonin babain tim, Tekiun e Çegranit.

Majori Ferit Elezi nga Çajla e Gostivarit edhe sot deklaron:

,,Disa nga Brigada shqiptare, duke zhvilluara luftëra kundër bandave çetnike të Shumadisë, ishim derdhur që nga Piroti, Nishi, Leskoci , Toplica e Vraja, ne që gjendeshim në gykat e maleve Zabllaçe të Çaçakut dhe Uzhicës, bashkë me komandantët kishim bërë plane lufte, dhe u besatuem, mos me lëshue asnjë çetnik të gjallë. Atë natë kur hëna shkëlqente si ditë, yjet vezullonin në qiell, 3 shqiptarë të caktuar në përroin e Zabllaçes, në vendin ROJE VDEKJE, kishin zënë pozitat, duke bërë rroje mos kalonin hordhi çetnikësh, sepse ata shpesh i kalonin këto shullerre dhe Grykë të Zabllaçes. Dhe, sipas asaj që kanë dhënë deklaratat e tyre, personat e armatosur në vendin e ngjarrjes, kanë rrëfyer:,,Ne pritshim të na ofroheshin deri në nishan të pushkomitralozit! Majori Pavle, me një shishe raki, hypur mbi një kali të bardh i printe duke kënduar këngë çetnike. ,,Ia njoha zërin, dhe pasi i bërtita që të ndalonte, edhepse ishte rroje vdekje, ai nuk ndaloi dhe nisi të më shante nënën shqiptare në gjuhën serbe.,,Po, nëse është çetnik, atëherë ku e di ai se unë jam shqiptar, që po më shanë nënën shqiptare,, mendova me vete,- thotë Tekiu dhe vazhdon me një seriozitet dhe I vrejtur në fytyrë:,,U çova në këmbë me pushkomitralozin në duar dhe dola në ledinë, bri një shkëmbi dhe ia dhash flakë 2-3 rrafale. Pavla nisi piskamën duke thënë që mos gjuaja se ishte komandanti vetë… Nga oshëtima u drridhën edhe mallet e asaj ane, kali hinglloi i trembur, duke e marë majorin nëpër këmbë. Pastaj, gjëmuan edhe armët e shokëve të mi, në të dy anët e përroit të Zabllaçes. Nata oshëtinte edhe më tepër , thuajse trishtoi e tërë Shumadia… Aty e kishim zënë pritën ashtu siç na e kishte dhënë urdhërin majori Pavle i cili asaj nate ishte kujdestar dhe kishte bërë planin e tij të tradhëtisë… !”

***

Kujtimet dhe rrëfimet e Çele Xhaferit, Mazar Lenës nga Struga, si edhe ato të xha Abdurahimit nga Çellopeku, dhe shumë të tjerëve, të cilët kanë qenë dëshmitarë të gjallë të kësaj ngjarjeje, ishin rrëfime trishtuese për babain tim dhe për shqiptarët e batalionit të Brigadës së Shtatë Shqiptare në malet e Shumadisë.

Në kujtimet e tij majori nga Çajla, Ferit Elezi shprehet: “Nisi të zbardhte agimi. Ishin mbledhur edhe shume oficerë të tjerë të Brigadës, serbë e shqiptarë, ndër ta edhe komisari politik Taip Taipi, oficeri Hasan Tuhini i Kërçovës. Komandantët serbë e malazezë kërkuan që Tekiu i Çegranit të pushkatohej ashtu i lidhur me zinxhirë! Por, luftëtarët shqiptarë, e gjithë brigada, duke e njohur majorin Pavle nga Dibra si antishqiptar të përbetuar, dhe si njeri që gjithnjë kishte provokuar shqiptarët e frontit njëzëri kërkuan që Tekiu të lirohej…..”.

-“Kështu kërkuan të gjithë dhe në shenjë proteste ndaj pushkatimit të Tekiut i hodhëm armët në tokë!” -thotë xha Lazami.

Ai mëngjes mbijetese ndërlidhej me zinxhirët që kishin shtrënguar shqiptarin, në këtë rast babain tim të pafajshëm. Çdo gjë është sqaruar fill e për pe në detaje. Dëshmitarët okularë dhe ata të lidhur direkt me këtë rast ruajtën dinjitetin e tyre si shqiptarë, në atë kohë delikate kur ato struktura serbo-malazeze, apo edhe sllavo-maqedonase, ishin kundër shqiptarëve edhe gjatë viteve të luftës.

E kështu mbeti gjallë babai im. Pas kthimit nga Fronti i Sremit, ai shkoi në Shqipëri,duke u vendosur fillimisht në fshatin Bicë të Lumës sepse aty para vitesh kishte kaloar një kohë bashkë me Muharrem Bajraktarin dhe Hamëz Rexhepin. I njihte mire këto anë, bujarinë dhe fisnikërinë e malësorve të Lumës. Pas disa muajsh shkon në Tiranë, ku u njoh personalisht edhe me Mehmet Shehun, duke qënë i punësuar në Furrën e bukës të xhaxhallarëve të tij Rushan dhe Rauf Rexhepit.

Kjo është një tjetër histori….. Në Jugosllavi u kthye në vjeshtë të vitit 1948, kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Titon, në kohën e informbyrosë. Babai im duhej të ecte i heshtur në rrugën e jetës së tij, si njeri i provokuar dhe me shumë halle e vuajtje në skamje kurbeti si të gjithë shqiptarët e kësaj ane të Pollogut të Gostivarit, atje ku flijimi i njerëzimit ka fijet e veta, shqetësimet dhe enigmën e jetës së shqiptarit në luftë dhe orvatje të vazhdueshme mes lindjes dhe vdekjes, plotë me baticat dhe zbaticat e saj, plot me acare e stuhi të çuditshme, në ecje gjithnjë dhe në kërkim të një fati dhe lumturie në shtigjet e një filli jete duke ecur sërish mes gëzimit dhe tragjikës për një mbijetesë njerëzore të bekuar prej NËNËS dhe ZOTIT… Tanimë, babai im duhej të ecte i heshtur në shtigjet e jetës dhe të ishte shumë i kujdesshëm edhe në përballje me UDB-në dhe shtetin jugosllav, sepse e dinte se ata e mbanin në ndjekje dhe survejim, sidomos për të kaluarën e tij në Shqipëri, në mallet e Sharrit dhe të Lumës bashkë me Muharrem Bajraktarin, Hamëz Rexhepin, Neshat Gorën dhe të tjerë burra të rezistencës për kauzën kombëtare, edhe si nip i haxhi Rushan Mujës i cili kishte qënë i vëllazëruar me Mefailin e Madh të Zajazit…Me inteligjencën dhe aftësitë nga natyra që ia kishte falë Perëndia, babai im gjatë tërë jetës së tij u bëri sfidë Udbës , kanxhave dhe informatorëve të saj ndjellakëqinj si Rrahim Kollarit,Garip Lleshit,Hazbi Poli, Zeqiri i Muje etj. të cilët babain tim e kishin spijunuar herë tek italianët e herë me UDB-në! Ai u bëri ballë dhe i sfidoi, duke arritur të mbijetonte dhe të mbetej i pathyer në ecjen dhe rrugëtimet e tij jetike!

( Marrë nga libri: “ UDBA SY DJALLI PËR SHQIPTARËT”)

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button