Punojnë në Zvicër, zhyten në luks jashtë kufinjve të saj

Për banorët ndërkufitarë gjermanë, francezë dhe italianë, Zvicra ofron një ekuilibër të përsosur punë-jetë. Një kufi që rrit pagat dhe ul çmimet do t’i bënte udhëtarët veçanërisht të tërhequr nga kjo zgjedhje

Zvicra, një parajsë pagash? Me sa duket për gjithnjë e më shumë europianë që kalojnë kufirin çdo ditë për të punuar në Zvicër. Paga më e lartë dhe kushte më të mira pune: këto janë përfitimet që tërheqin gjermanët në Zvicër, ndër të tjera, raporton “Spiegel”. Ata fitojnë në territorin zviceran pothuajse dy herë më shumë se në vendin e tyre të origjinës. Sipas disa raporteve, kushtet e punës janë gjithashtu më të mira.

Gjatë 20 viteve të fundit, numri i punëtorëve gjermanë ndërkufitarë në Zvicër është pothuajse dyfishuar. Në Bazel, pothuajse një e pesta e punonjësve janë tashmë punëtorë ndërkufitarë. Gjatë ditëve të javës, rreth 65 000 gjermanë kalojnë kufirin midis Zvicrës dhe vendit të tyre të origjinës dy herë në ditë. Më shumë se 380 000 qytetarë të BE-së në total, nga Gjermania, Franca, Italia dhe Austria, ndjekin të njëjtin model pune dhe jete. Ata e marrin rrogën në franga ndërsa pothuajse të gjitha shpenzimet janë në euro.

Një përkujdesëse nga rajoni i Freiburg im Brisgau thotë: “Financiarisht është shumë mirë, fitoj dy herë më shumë se nëna ime, e cila gjithashtu punon si përkujdesëse në një departament urgjence në Gjermani”. Sipas saj, vlerësimi për fushën e kujdesit është më i madh edhe në Zvicër, marrëdhënia mes mjekëve dhe përkujdesëve është më pak hierarkike dhe ka më pak presion. “Në Gjermani nuk do ta bëja këtë punë, kushtet janë shumë të këqija”.

Jeta e një banori 29-vjeçar që punon në një studio masazhi në Bazel dhe gjithashtu udhëton nga Freiburg ka ndryshuar rrënjësisht. Ndonëse punon vetëm tre ditë në javë, fiton afro 3 000 euro bruto: “Që kur punoj në Zvicër, zhytem në luks dhe nuk mendoj për një euro që shpenzoj”.

Siç thekson “Spiegel”, transmeton portali Shtegu: “Kushdo që punon këtu, por jeton në Gjermani, përfiton nga pagat e larta në Zvicër dhe çmimet relativisht të ulëta në shtëpi”. Nuk do të ishte pengesë as mosnjohja e gjuhës zvicerane-gjermane. Infermierja 35-vjeçare ka punuar për 15 vite në Zvicër. Vetëm një herë ajo u qortua nga një pacient që nuk fliste “schëyzerdütsch”. Përditshmëria bashkëjetesa po ecën mjaft mirë.

Duke qenë se kostoja e jetesës në Zvicër është shumë më e lartë se në Gjermani, shumica e punëtorëve ndërkufitarë kthehen në mbrëmje në vendin e tyre të origjinës, ku jeta është më e lirë. Megjithatë, këto vende duhet të luftojnë edhe emigracionin, i cili përforcon mungesën e personelit të kualifikuar.

Pavarësisht sfidave, puna në Zvicër dhe jetesa në vendin e origjinës mbetet një sistem që duket se funksionon mirë për banorët ndërkufitarë. Megjithatë, sfidat burokratike nuk duhen nënvlerësuar. Hapat për të paguar taksat, pensionin, sigurimet shoqërore dhe shtesat familjare mund të jenë të ndërlikuara për punëtorët ndërkufitarë.

“Në përgjithësi, sistemi funksionon veçanërisht mirë për banorët ndërkufitarë”, përfundon “Spiegel”. “Një vend për të punuar, një për të jetuar, ndarja e përsosur mes punës dhe jetës private. Shumë kohë dhe liri, sepse mes të dyjave ka një kufi që bën që pagat të rriten dhe çmimet të bien. Mjaft për të realizuar ëndrrat tuaja”.

In : Aktuale, Rajoni

Loading...
loading...