
Riverdel, Nju Xhersi – Një nga figurat më të dashura për shqiptarët në Shtetet e Bashkuara, Joe DioGuardi, zhvilloi një vizitë të veçantë në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane të Struganëve në Riverdel, duke sjellë me vete një valë emocionesh dhe frymëzimi.
I pritur ngrohtësisht nga kryetari i qendrës, Sinan Alimi, drejtues të organizatës dhe nxënës të përkushtuar, DioGuardi u njoh nga afër me aktivitetet kulturore dhe edukative që zhvillohen në këtë vatër shqiptare në diasporë. Gjatë vizitës, ai ndau momente të ngrohta me të rinjtë shqiptarë dhe u shpreh thellësisht i impresionuar nga përkushtimi dhe përparimi që ka shënuar kjo qendër.
Në një intervistë ekskluzive për kanalin zyrtar të qendrës, DioGuardi theksoi rëndësinë jetike të ruajtjes së gjuhës, identitetit dhe kulturës shqiptare në diasporë, duke vlerësuar rolin që luan kjo organizatë në mbështetje të brezit të ri.
“Jam thellësisht i prekur nga energjia dhe puna që po bëhet këtu. Kjo qendër është një model për të gjitha komunitetet shqiptare në SHBA,” u shpreh DioGuardi, duke shtuar se planifikon të rikthehet së shpejti me bashkëshorten e tij, znj. Shirley DioGuardi, për një vizitë më të gjerë dhe për të takuar nga afër të gjithë komunitetin shqiptar të zonës.
Për Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane, kjo vizitë ishte një moment historik dhe një nxitje e fuqishme për të vazhduar misionin në forcimin e identitetit kombëtar dhe bashkimin e komunitetit shqiptar në Amerikë – një mision që Joe DioGuardi e ka mbështetur që prej ditës së parë.(Strugalajm.com)

































