Aktuale

Qendra e Struganëve në Amerikë parashtron disa kërkesa në adresë të Qeverisë së Maqedonisë

Çështja e votës së diasporës shqiptare po avancon drejt trajtimit institucional. Kërkesa e Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane (QKSHA) – Struga tashmë është shndërruar në propozim zyrtar dhe ndodhet në shqyrtim në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Më 3 dhjetor të vitit të kaluar, zëvendëskryeministri Arben Fetai zhvilloi një takim zyrtar në New Jersey me drejtuesit e QKSHA-Struga, ku u diskutuan çështje që prekin drejtpërdrejt komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe zhvillimet aktuale në vend.
Në emër të QKSHA-Struga, kryetari Sinan Alimi dhe përfaqësuesi Jeton Abduramani parashtruan disa kërkesa konkrete, me theks të veçantë në garantimin e votës së diasporës, problematikat rreth shërbimeve konsullore të Maqedonisë së Veriut në New Jersey, si dhe nevojën për një mbështetje më të strukturuar dhe institucionale për qytetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut që jetojnë në SHBA.
Përfaqësuesit e QKSHA-Struga kërkuan angazhim serioz dhe konkret nga institucionet shtetërore, duke rikujtuar edhe përvojat e mëparshme jo të suksesshme, me theks se një qasje joserioze dhe e paqëndrueshme institucionale nuk mund të prodhojë rezultate reale.
Sipas një shkresë zyrtare të dërguar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, zëvendëskryeministri Arben Fetai ka njoftuar QKSHA-Struga se kërkesat dhe propozimet e kësaj organizate janë futur në proces institucional dhe po shqyrtohen nga instancat përkatëse shtetërore. Veçanërisht, çështja e votës së diasporës është bërë edhe temë diskutimi në tryezën e përbashkët të liderëve politikë, e mbajtur së fundmi në Shkup.
QKSHA-Struga bën të ditur se së shpejti do të publikohet edhe një intervistë ekskluzive e zëvendëskryeministrit Arben Fetai për televizionin Zëri i Drinit, ku pritet të jepen më shumë detaje mbi këtë proces.
Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane – Struga vazhdon të afirmohet si një zë i rëndësishëm dhe me ndikim i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, duke shprehur mirënjohje për faktin që kërkesat e saj janë bërë pjesë e agjendës zyrtare institucionale dhe duke shpresuar në konkretizimin e tyre sa më të shpejtë, në dobi të diasporës dhe të shtetit.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button