Shkruan: Bexhet Asani/Strugalajm.com
Viti 2017 është vit jubilar i dyzetëvjetorit të maturës së klasës sonë të gjimnazit. Një vit për t’u festuar, një vit për t’ u gëzuar! Klasa jonë numëronte tridhjetë e shtatë nxënës, ndërsa klasa tjetër njëzetë e pesë nxënës. Dhe të gjithë këta nxënës e këto nxënëse pothuaj e kryen fakultetin, disa u pajisën edhe me grada shkencore në lëmi të ndryshme. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është as viti jubilar e as mbrëmja e maturës, as numri i nxënësve..! Bile as edhe gradat shkencore..!
Shtrohet pyetja: pa profesorët tanë të dashur, e të shtrenjtë a do të mund të ishim këta që jemi..!? Natyrisht se jo. Ligjëratat e tyre ishin ushqim shpirtëror për ne. Ligjëratat e tyre ishin burim frymëzimi për ne. Ata ngritën moralin te ne, ata ngjallën atdhedashurinë në zemrat tona të njoma. Ata tërë diturinë, mundin dhe djersën e tyre e vunë në shërbim të dijeve tona. Ata me vetëdije të plotë sakrifikuan ardhmërinë e tyre. Ata ishin të “ashpër” kur e donte nevoja, ata ishin të dashur e parimorë dhe të ndjeshëm kur kishin punë me ne çamarokët e rinj.
Profesor Axhem Kica
Ne si të rinj që ishim asnjëherë nuk na vajti mendja, se me ndonjërin nga profesorët tanë nuk do të takoheshim plot dyzetë vjet! Ishte një kohë e pakohë…! Jo vetëm neve si të rinj që ishim, por edhe profesorët tanë, na degdisën valët e jëtës..!
Valët e jetës qenë të pamëshirshme me profesorin tim Axhem Kicën. Pas ngjarjeve revolucionare të vitit 1981, në Gjimnazin e Strugës si kudo ndër shqiptarët u bë diferencimi politik…! Të parët u diferencuan dhe u larguan profesorët tanë më të diturit, më të përgatiturit, më punëtorët, më të mirët. Nxënësit mbetën jetimë! U formuan paralelet e përziera…! Tridhjetë e katër nxënës shqiptarë një nxënës maqedonas në klasë, mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase…! Absurditet i kohës..! Ata pak profesorë që mbetën iu ndalua të ligjëronin para nxënësve në gjuhën shqipe dhe të komunikonin shqip në mes veti…! E rëndë, tepër e rëndë! Të të mohojnë gjuhën e nënës…!
Profesor Axhem Kica iku! Mori arratinë! Pa nam pa nishan! Valët e jetës e hodhën përtejoqeanit, në Amerikë.
Ne ishim të rinj. Mbase bënim dhe ndonjë çapkënllëk. Nuk ishim të vetëdijshëm se çfarë pedagogësh kishim..! Po si e kujtoj unë profesor Axhemin!? Një burrë i veshur mirë e me shije. Një profesor që për tre vjet nuk mungoi asnjë orë nga mësimi. Për tre vjet nuk mungoi as edhe një minutë nga mësimi. Profesor Axhem Kica ligjëronte dyzetë e pesë minuta pa u ndalur. Bile shpesh herë na merrte edhe pushimin..! Neve nuk na vinte “mirë’..! Po hajde dhe thuaj gjë..! Në klasë dëgjohej vetëm zëri i tij, i kumbueshëm. S’ kishte pëshpëritje, zhurmë hiç fare. Na bënte mësimet interesante, me shembuj që për ne të ishin sa më të qarta, sa më të lehta, nga lëndët që ligjëronte si: filozofi, sociologji, logjikë dhe psikologji.
Një nga ish kolegët e tij të punës kujton: – Kishim një seminar. U caktuan të lexonin referatet drejtoi i gjimnazit dhe professor Axhem Kica. I pari e lexoi drejtori, kush e dëgjonte kush nuk e dëgjonte! Mbaroi. Asnjë nuk e duartrokit. Radha i erdhi kolegut tonë të shtrenjtë. Të them të vërtetën, asnjëri prej nesh nuk e bënte dot atë referat. As unë. E lexoi në gjuhën maqedonishte. Kur mbaroi së lexuari, shpërthyen duartrokitjet frenetike nga shqiptarë e maqedonas. Në shenjë respekti të gjithë u ngritëm në këmbë. Dëgjoheshin urimet: Të lumtë! Bravo! Lum ajo nënë që të ka! etj., etj.
Erdhi koha e diferencimit, që mos ardhtë kurrë! Mbledhje, mbledhje dhe vetëm mbledhje. Mbledhje maratonike, gjer më ora katër të mëngjesit. Të lodhur të raskapitur. U ngrit një shërbëtor që i humbtë fara ishalla, iu drejtua prof Axhem Kicës në gjuhën maqedonase: Ti Axhem ke thënë se: Unë e ligjëroj marksizmin, po maksizmit s’ i besoj!? Një auuu, u dëgjua nga të gjithë. U ngrit Axhem Kica zemër luani, pa ia bërë tër syri: Po. Kam thënë. Dhe ja ku po e them përsëri. – Unë marksizmin e ligjëroj, por marksizmit, nuk i besoj..!
Profesor Axhem Kica në atë mbledhej famëkeqe, qëndroi i durueshëm, gjakftohtë, i palëkundur, i patundur nga mendimet e tij. Qëndroi stoikisht.
Pas diferencimit, mbeti pa punë të shtetit, Tanimë ai ishte armik i shtetit. Nuk e pranonte njeri në punë tjetër. Profesor Axhem Kica nuk ndenji duarkryq. Ai iu qep tokës. Mbillte arat e tij, vaditte, prashitte, kositte, i bënte të gjitha punët e bujqësisë, për dy vjet rresht. Pas dy vjetësh, pas punëve të rënda të bujqësisë, ai familjarisht shkon në tokën e premtuar, në Amerikë, si shumë mërgimtarë struganë, prespanë, dibranë, ulqinakë etj.
Profesor Axhemi iku! Struga mbeti pa profesorin e saj. Struga mbeti pa një intelektual të madh. Struga e bukur u shëmtua, I ra një nurzi!
Amerika një kontinent i ri, me halle të reja. Profesor Axhem Kicën e zuri të papërgatitur! Nuk e dinte gjuhën angleze, nuk kishte zanat. Punoi në ndërtimtari, punoi në fabrikë. Nuk u dorëzua edhe në mesin e njerëzve të pa arsimuar, nuk u dorëzua as edhe para provokimeve të dorës së zgjatur të UDB-së së atëhershme. Më falë profesor që të zgjova këto kujtime të hidhura pelin!
Dy vajzat e tij i shkolloi. Ato studiuan në Universitetin e Bostonit, për mjekësi. Ai është i lumtur sepse vajzat e tij studiuan po në atë Universitet që kishte studiuar Fan S. Noli ynë i madh.
Pas dyzet vjetësh pata kontakt me ish profesorin tim të nderuar professor Axhem Kicën. Biseduam gjatë, shumë gjatë. Kishim akumuluar për aq kohë gjithë ato kujtime, gjithë ato përjetime. Një mall i pashuar. Një mall e një hall që e kishim përjetuar që të dy. U çmallëm. Nga zemra i urova dhe i uroj shëndet, jetë të gjatë dhe pleqëri të mbarë! Populli ende ka nevojë për ty dhe për urtësinë tënde!
Profesor Axhem Kica si gjithmonë i pathyeshëm edhe sot ka qëndrim stoik!