Ministria e Financave ka llogaritur se rritja e pagave të zyrtarëve do t’u kushtojë qytetarëve të paktën 5 milionë euro në vit. Sipas një burimi të lartë nga Financat, nga 500 deri në 600 zyrtarë do të kenë rritje page, edhe pse as Komisioni Kundër Korrupsionit nuk ka mundur të llogarisë se sa të zgjedhur dhe të emëruar ka në vend, përcjell FLAKA.
Sipas burimeve nga Ministria, shfuqizimi i dy neneve të ligjit është përputhshmëri praktike me ligjin, pasi baza ishte ngrirë për 11 vjet. Qëndrimi është se nëse nuk do të miratoheshin dy nenet që u shfuqizuan nga Gjykata Kushtetuese, natyrisht që pagat e zyrtarëve do të ishin tashmë në nivelin e rritjes së re.
E përderisa zyrtarët tashmë presin pagat e tyre gati 80% më të larta, partia në pushtet është ende në pritje të analizës së Qeverisë se a duhet të ulet koeficienti përllogaritës.
“Ne si grup parlamentar do të bisedojmë me grupet e tjera parlamentare brenda Kuvendit. Natyrisht që do të presim edhe vendimin e qeverisë, e cila siç e dini po mendon për koeficientin e përllogaritjes së pagave të zyrtarëve. Mendoj se ka pak spekulime për përqindjen prej 78%, se është përqindje shumë e madhe dhe se rritja e zyrtarëve nuk do të jetë në atë masë”, thotë deputetja nga LSDM-ja, Lidija Taseva.
Opozita po reagon edhe sot. Thonë, LSDM solli shkallën më të lartë të inflacionit në rajon dhe Evropë, më shumë krim, por nuk harruan t’i rrisë pagat.
“Kovaçevski, duke i ngrirë çmimet e makaronave, dhe duke mashtruar me kuazi masa në një derë të vogël, do t’ia rrisë pagën për 78%, si për të, ashtu edhe për ministrat dhe zyrtarët e tij”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Më 21 muajin e kaluar, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim me të cilin i ka shfuqizuar dy nenet e Ligjit që e kanë mbajtur bazën për llogaritjen e pagave të zyrtarëve në rreth 26.000 denarë. Me bazën aktuale, nga mbi 46.000 denarë, presidenti i shtetit do ta ketë rritjen më të madhe të pagave, nga 72.500 denarë. Pagat e kryeministrit dhe ministrave do të rriten për 50.000 denarë, ndërsa rritje do të kenë edhe deputetët, të cilët do të marrin pagë neto mbi 100.000 denarë nga 60.000 denarë që janë tani.