Qyra zbret te burimet e Shumit: Inspektim në terren për sigurinë e furnizimit në Struga

Në mes të shqetësimeve për furnizimin me ujë, kryetari i Komunës së Struga, Mendi Qyra, ka dalë sot në terren duke vizituar burimin në fshatin Shum, për t’u informuar drejtpërdrejt mbi gjendjen aktuale të ujësjellësit.
Gjatë inspektimit në vendngjarje është konstatuar se uji, në aspektin vizual, duket i pastër. Megjithatë, nga Komuna theksohet qartë se nuk do të nxirren përfundime bazuar vetëm në vlerësimin me sy. Autoritetet lokale presin analizat dhe konfirmimin zyrtar nga institucionet kompetente dhe shërbimet profesionale për të përcaktuar nëse uji është i sigurt për pije.
Komuna e Strugës bën të ditur se po vepron me kujdes maksimal dhe përgjegjësi të plotë, duke mos lejuar rikthimin e plotë të sistemit në përdorim derisa të ketë një konfirmim të qartë dhe të padiskutueshëm për sigurinë e ujit.
“Shëndeti i qytetarëve mbetet prioritet absolut”, theksohet në qëndrimin zyrtar të Komunës.





























