Qytetarët dhe Organizatat Qytetare kundërshtojnë planin e Qeverisë për 22 hidrocentralet e vogla
Disa organizata qytetare dhe një grup i madh qytetarësh kanë kundërshtuar planin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut me të cilën shpallet konkurs publik për dhënie në koncesion të ujit për prodhimin e energjisë elektrike. Konkursi ka qënë i hapur nga ana e Ministrisë për Ambient Jetësor (Ekologjisë) në Janar të këtij viti, ndërsa ka të bëjë me dhënien në koncesion të ujërave të rrjedhshme në disa pozicione në gjithë territorin e shtetit.
Sipas këtij plani, pritet të ndërtohen 22 mini hidrocentrale, por që sipas letrës së dërguar qeverisë nga ana e disa organizatave, vendet se ku janë të parapara të ndërtohen të njëjtat, nuk janë të pështatshme dhe janë në kundërshtim me normat nga Ligji për Mbrojtje të Natyrës.
Sipas grupit të organizatave të shqetësuara për këtë çështje, në 11 nga 22 lokacionet e caktuara për ndërtim të këtyre hidrocentraleve, ndodhen pasuri të vlefshme dhe të ruajtura me ligj apo edhe sipërfaqe të tëra që janë nën mbrojtje, gjegjësisht në disa nga parqet nacionale shtetërore.
“Vlerësojmë se ky lloj i përcaktimit të lokacioneve për hidrocentrale të vogla është në kundërshtim me dispozitat nga Ligji për mbrojtjen e natyrës, nuk i merr parasysh parimet për administrim me pasuritë natyrore sipas Planit Hapësinor të RMV 2002 -2020” – thuhet në letrën e dorëzuar qeverisë nga ana e Qendrës për Hulumtim dhe Informim për Mjedisin Jetësor “Eko-Svest”, Shoqatës Ekologjike “Front 21/42” dhe Shoqatës ekologjike maqedonase.
Ndarja e këtillë sipas tyre është në kundërshtim edhe me Konventën e Bernit për konzervim të botës së egër dhe habitateve natyrore si dhe në kundërshtim me Rezolutën e Parlamentit Evropian me të cilin shteti ynë obligohej që të respektojë Konventën e Bernit.
“Vlerësojmë se realizimi i kësaj Shpalljeje publike do të sjellë shkatërrim të ekosistemeve në hapësirat e mbrojtura dhe degradim të mëtejshëm të mjedisit jetësor, por edhe prishje të imazhit të Maqedonisë së Veriut në institucionet dhe konventat ndërkombëtare ku është anëtare apo përgatitet të anëtarësohet”- vazhdon më tej letra me të cilën kundërshtohet plani i qeverisë për 22 mini hidrocentralet.
Për shkak se në Maqedoninë e Veriut momentalisht po përpunohet Strategjia për zhvillim energjetik, shpallja e tillë publike për ndërtimin e hidrocentraleve para përfundimit të Strategjisë dhe Programit për zbatimin e saj, do ta dëmtonte procesin dhe do të pamundësonte që ndikimi i tyre në mjedisin jetësor të shikohet sipas vlerësimeve strategjike të këtyre dokumenteve të rëndësishme.
Prandaj në letrën drejtuar Qeverisë dhe ministrive përkatëse, organizatat e lartëpërmendura kërkojnë që Shpallja Publike të prishet, të bëhet rievaluimi i lokacioneve të përzgjedhura në pajtim me legjislacionin vendor si dhe të shtyhet thirrja konkrete deri në sjelljen e Strategjisë për Zhvillimin e Energjetikës dhe Programit për realizimin e saj.