Qytetarët e Maqedonisë preferojnë të kursejnë në denarë!

Qytetarët e Maqedonisë preferojnë të kursejnë në denarë, ndërsa gjysma e depozitave të qytetarëve nëpër banka ruhen në një periudhë afatshkurta. Shkallët e kamatave të depozitave në denarë për një afat më të gjatë se dy vite janë 3.2 për qind, ndërsa deri në një vit janë 1.1 për qind

 33

Fisnik PASHOLLIStrugaLajm

Shkup, 21 korrik – Qytetarët e Maqedonisë preferojnë të kursejnë në denarë, ndërsa gjysma e depozitave të qytetarëve nëpër banka ruhen në një periudhë afatshkurta, gjysma e mbetur të hollave mund të tërhiqen në çdo moment që kanë nevojë kursimtarët, ndërsa vetëm një e katërta e të hollave janë të lidhura në banka me afate më të gjata. Gjithashtu, kursimet e qytetarëve në bankat vendore në fund të vitit 2016 ishin afër 3.7 miliardë euro, gjegjësisht 227,6 miliardë denarë tregojnë të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë. Kjo paraqet rritje për 2.85 për qind të depozitave të qytetarëve në raport me muajin dhjetor të vitit 2015, kur shuma e përgjithshme e depozitave të qytetarëve ishte 221.247 miliardë denarë. Ekonomistët thonë se qytetarët i ruajnë të holla, jo për të realizuar fitim, por para së gjithash që t’i kenë të hollat në të sigurt, për ditët kur më së shumti do t’ju nevojiten. Vlerësohet se kursimi rritet përkundër zvogëlimit të fitimit në emër të kamatave dhe krizës ekonomike, si rrjedhojë edhe e transferimit të të hollave të qytetarëve nga jastëku në kasafortat e bankave. Ky veprim i qytetarëve vjen nga frika e vjedhjes së të hollave si dhe rritjes së besimit në sektorin bankar të Maqedonisë, që sjell fitime më të ulëta, por më të sigurta në raport me ndonjë investim potencial. Analizat e Fondit për sigurimin e depozitave tregojnë se qytetarët në vitet e kaluara në vazhdimësi kanë pasur besim të lartë në denarin si valutë për të kursyer. Qytetarët edhe më tej tregojnë besim të lartë ndaj denarit që e dëshmon edhe fakti se në fund të 2016, në denarë ka pasur 50.7 për qind të kursimeve në raport me 48.1 për qind të kursimeve në denarë në fund të vitit 2015, tregon raporti vjetor i punës për aktivitetin e bankave i Fondit për sigurimin e depozitave. Analizat më tej tregon se në tre vitet e fundit nuk kanë të ndalur vendosja e të hollave të qytetarëve në bankë, përkundër ndryshimit të shumave të derdhura nëpër banka përgjatë periudhës 2014-2016. Në tre vitet e fundit, rritja më e madhe e depozitave me 8.97 për qind ka qenë në vitin 2104, që është ulur në 4 për qind në vitin 2015 dhe në 2.85 për qind në vitin 2016. Nga ana tjetër, në vitin 2016, në periudha afatshkurtra janë investuar 47,9 për qind e totalit të depozitave, depozitat afatgjate marrin pjesë me 26,6 për qind, ndërsa depozitat që klienti i ka në çdo kohë në dispozicion marrin pjesë me 25.6 për qind. Ekonomistët thonë se qytetarëve më shumë ju shpaguhet të kursejnë në denarë në suaza afatgjate, për shkak se këto depozita ofrojnë shkallë më të larta të kamatës. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat krahasuese të Bankës Popullore të Maqedonisë për të ardhurat në kamata për të hollat që kursehen nëpër banka për një vit apo për periudhë më të gjatë kohore. “Në muajin maj të këtij viti, shkallët e kamatave të depozitave në denarë për një afat më të gjatë se dy vite janë 3.2 për qind, ndërsa deri në një vit janë 1.1 për qind. Nga ana tjetër, shkallët e kamatave në denarë me klauzolë devizore me afat kursimi deri një vjet janë 2 për qind, ndërsa në një afat më të gjatë se dy vite janë 3.4 për qind. Më të ulëta janë kamatat e kursimeve në deviza në raport me denarin. Për kursimet në euro për një afat deri në një vjet ofrohen kamatë prej 0.4 për qind, ndërsa për një afat më të gjatë ofrohet kamatë prej 1.7 për qind.”, tregon krahasimi i kamatave për llojet e ndryshme të kursimeve në denarë dhe për afat deri në një vit dhe më të gjatë se një vit bazuar në të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë. Gjithashtu krahasimi zbardh më tej se normat e interesit apo kamata më të ulëta ofrohen për kursime në dollarë. Kamatat për ruajtjen e valutës amerikane në bankat e Maqedonisë deri në një vit janë 0.1 për qind, ndërsa për më shumë se dy vite ofrohen kamatë prej 0.8 për qind. Ekonomistët vlerësojnë se për shkak të sigurisë që ofron sistemi bankar edhe përkundër të ardhurave jo edhe aq të larta nga kursimet, akoma depozitimi i parave në bankë për qytetarët paraqet mënyrën që ata më shumë e preferojnë si mjet i investimi i të hollave. Edhe pse ulja e shkallës së kamatës ka sjellë deri tek ulja e të ardhurave nga kamatat, megjithatë depozitat mbeten mënyra kryesore e investimit të hollave në mungesë të zhvillimit të formave të tjera të investimeve, por edhe besimit të mjaftueshëm që të investohet për shembull në biznese të reja, në polisat e sigurimeve e kështu me radhë. Ndryshe vlerësohet se niveli i kursimeve në një ekonomi është i kushtëzuar prej më shumë faktorë siç janë shkalla e të ardhurave, numri i madh i mërgimtarëve në shtetet e huaja, faktorët demografik, niveli i konsumit, vendosja e sistemit tatimor, shëndetësor dhe pensional, e kështu me radhë.StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...