BLENDI PETROL
Aktuale

Ramazani, oazë e mëshirës

Muaji i Ramazanit është muaj i lutjes. Muaj në të cilin besimtari e pastron zemrën dhe shpirtin nga papastërtitë dhe me respekt dhe afrim tek Krijuesi e shkatërron murin e mendjemadhësisë. Mjafton që njeriu të ulet në tryezën e mirësive shpirtërore të këtij muaji dhe të përfitojë nga ajo

Nga Hasan BAFTIJARI

Abdullah ibni Abbasi thotë: dëgjova nga i Dërguari i Zotit se Xhenneti nga viti në vit zbukurohet për shkak të ardhjes së muajit të Ramazanit. Po ashtu, i Dërguari [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Muaji i Ramazanit është muaji i All-llahut në të cilin punët e mira shpërblehen dyfish dhe falen mëkatet. Muaji i Ramazanit është muaji i bereqetit dhe shtimit, muaji i pendimit dhe faljes së mëkateve. Ramazani është muaji i çlirimit nga zjarri i Xhehennemit dhe arritje në Xhennet. Pra, o njerëz, në muajin e Ramazanit largohuni nga çdo vepër e keqe dhe haram, në këtë muaj lexoni shumë Kur’an dhe gjithë kohën kaloni duke kujtuar Krijuesin tuaj. Mos muaji i Ramazanit tek ju të jetë sikur muajt tjerë, sepse ky muaj dallon nga muajt tjerë”.

S’do mend se agjërimi në aspektin juridik i ka rregullat e veta të cilave duhet t’u përmbahen agjëruesit, por kjo përmbajtje duhet të jetë domethënëse për ata, përndryshe, humbja e këtij kuptimi të agjërimit, më shumë do të ishte uri dhe etje. Të agjërosh, në Islam është të heqësh dorë nga disa gjëra që në jetën e rëndomtë janë të lejuara dhe jo vetëm kaq, por ato janë të domosdoshme për të jetuar. Ushqimi dhe pijet janë elemente të rëndësisë vendimtare për të vazhduar jeta fizike e individit, ndërsa marrëdhëniet intime bashkëshortore janë të domosdoshme për të vazhduar të jetojë lloji njerëzor. Pra, prej këtyre gjërave të domosdoshme duhet të abstenojë agjëruesi për të fituar kënaqësinë e All-llahut.

Mu këtu qëndron porosia e agjërimit. Abstenimi (për një kohë të caktuar) nga e lejuara, që nganjëherë është e domosdoshme, duhet të na mësojë që përgjithmonë të heqim dorë nga e keqja dhe e ndaluara. Kjo kohë e Ramazanit është rast që njeriu të ndryshojë në aspektin pozitiv, të fitojë vetëbesim në procesin e largimit nga veset dhe veprat e këqija, të kuptojë edhe praktikisht se nëse ka mundësi që të durojë pa ushqim dhe pije dhe gjëra të lejuara për një kohë të caktuar, ai ka mundësi të qëndrojë pa ato gjëra të cilat jo vetëm që nuk i ka të domosdoshme, por janë edhe të dëmshme për të, edhe atë në kohë të pacaktuar. Agjërimi i jep muslimanit një vullnet dhe vendosmëri të këtillë. Ai e bën atë që në mënyrën më të lehtë dhe efikase t’i nënshtrohet Krijuesit të qiejve dhe tokës, All-llahut Fuqiplotë.

Jeta në Ramazan është aq e thellë dhe kuptimplotë, saqë çdo fjalë e folur, çdo zë që dëgjohet, njeriut i duket si një vjershë që buron nga zemra e tij; për më tepër, ndjenjat tona fillojnë e shkrihen si vargjet më të ëmbla. Ramazani e bën shpirtin tonë të rihapet porsi gonxhe, të zgjohen ndjenjat e fjetura në thellësi të vetes, na shëtit në botën e ëndrrave më magjepse e më të ëmbla. Ai na brumos me nevojën e takimit dhe me dashuri të zjarrtë; ai na bën të ndjejmë zhvillimin e jetës së vërtetë në zemrat tona.

Era e këndshme e jetës shpirtëdhënëse të Ramazanit është një çastet që i falë sërish shpirtit të njeriut aftësi. Ramazani është muaj i zbulesës, i qëndresës, i shpresës. Është muaj i mirësive, i begative i fshehtësive. Ramazani është muaji i barazisë, i afërsisë, i pjekurisë, i gjallërisë. Është muaj i vështirësive, i lehtësive, i befasive. Ramazani është muaj i vlerave superiore, muaj që sjellë fitore, muaj i Mëshirës Hyjnore, muaji kur bleron pranvera shpirtërore… Ramazani është oaza e mëshirës.

Muaji i bekuar i Ramazanit i ngjan një universiteti i cili punon vetëm një muaj gjatë vitit dhe sjell mësime shumë të dobishme. Një universitet i llojit të cilin njeriu, me gjithë mjetet materiale dhe shpenzimet e mëdha, nuk ka mundësi të ndërtojë. Fjala e Zotit ka ndikuar aq thellë në zemrat e muslimanëve, sa që edhe pas kalimit të 14 shekujve nga shpallja e ajetit kur’anor të agjërimit Pejgamberit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], në muajin e mëshirës ky universitet rihapet, me ç’rast me miliona “studentë fillojnë studimin” në vende të ndryshme të botës.

Agjërimi në pamje të jashtme është largim nga ngrënia, pija dhe largim nga disa kënaqësi të kësaj bote. Por, në të vërtetë, agjërimi bëhet shkak i lulëzimit dhe ngritjes shpirtërore te njeriu, është afrim te Zoti, luftë ndaj epsheve dhe forcim i vullnetit. Pra, personat të cilët nuk e kënaqin shpirtin dhe trupin e tyre me ibadetin e ëmbël, agjërimin, dhe nuk durojnë pak uri dhe etje, i ngjajnë gjelbërimeve të buta dhe të pafuqishme që kultivohen dhe që ndodhen pranë lumenjve. Nëse për disa ditë me radhë këto gjelbërime nuk ujiten ose shteret uji i lumit, do të thahen.

Agjërimi e forcon njeriun përballë vështirësive dhe problemeve, dhe me kufizim të përkohshëm shton aftësinë dhe vullnetin për rezistencë ndaj ngjarjeve të vështira. Profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Agjërimi është mbrojtje për agjëruesin, çdo njëri prej jush që është duke agjëruar të mos thotë fjalë të këqija, të ngrejë zërin nga agresiviteti dhe armiqësia, dhe çdo herë që dikush ta ofendojë atë ose ta ftojë të përleshet, agjëruesi të thotë: Unë agjëroj”.

Gjithashtu, leximi i Kur’anit ka një ndikim të veçantë në këtë muaj të begatshëm. Thotë All-llahu i Lartëmadhëruar në Kur’anin fisnik: “Muaji i Ramazanit në të cilin zbriti Kur’ani”, kurse në një hadith thuhet: “Për çdo muaj ka nga një edukues dhe edukuesi i këtij muaji është Kur’ani”. Një ndër punët më të mira në muajin e bekuar të Ramazanit është leximi i Kur’anit famelartë. Në hadithe dhe thënie të shumta theksohet mbi afrimin me Kur’anin famëlartë gjatë gjithë jetës, e në veçanti gjatë këtij muaji të bekuar. Leximi i Kur’anit në ketë muaj ka shpërblim shumë herë më të madh në krahasim me ditët tjera të vitit.

Në ajetet 190 dhe 191 të sures Ali Imran thuhet:

“Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt. Për ata që All-llahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!”

Thuhet se Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], natën kur zgjohej për t’iu lutur Zotit, drejtohej nga qielli dhe pëshpëriste këto ajete.

Disa nga njerëzit lexojnë disa herë hatme Kur’anin gjatë muajit të Ramazanit, gjë kjo që padyshim është vepër e mirë, mirëpo nuk duhet të jetë qëllimi vetëm që sa ma shpejtë të kalohen faqet pa përfituar asgjë nga ajo që është duke u lexuar. Kur njeriu të lexojë ndonjë ajet, ai duhet të ndalet e të meditojë mbi të, duke i bërë pyetje vetvetes për domethënien e atij ajeti dhe t’i jep mundësinë zemrës për t’u ndikuar e sjelljeve për të ndryshuar. Transmetohet nga i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], se ka thënë: “Këto zemra forcohen ashtu siç forcohet hekuri”. U pyet se çka e zbutë atë, tha: “Leximi i Kur’anit dhe përkujtimi i vdekjes”.

Rëndësi të madhe besimtari gjatë muajit të Ramazanit duhet t’i kushtojë namazit. Selman Farisiu [radijall-llahu anhu] thotë: Një ditë me të Dërguarin e All-llahut ishim ulur nën një dru. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] mori një degë të tharë nga druri, e shkundi derisa i ranë të gjithë gjethet. Atëherë më tha mua: “Selman, a nuk pyet se pse veprova kështu?” I thashë: O i Dërguari i Zotit, mezi po pres të kuptoj se ç’ishte qëllimi juaj? Atëherë i Dërguari i Zotit, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], tha: “Kur muslimani të merr abdes, dhe mirë të merr abdes, dhe të falë 5 kohët e namazit, mëkatet e tij do të bien ashtu si ranë gjethet e kësaj dege”.

Pra, kështu është edhe muaji i Ramazanit, me mëshirën e madhe që e posedon, nëse njeriu është i kujdesshëm me namazet e tij, me përmendjen e All-llahut dhe ruajtjen e gjuhës që mos të flet fjalë me të cilat hidhëron Krijuesin, do te del në fund të këtij muaji, me dëshirën e All-llahut Fuqiplotë, i pastër nga mëkatet, ashtu siç u pastrua druri nga gjethet pasi që e shkundi i Dërguari i Zotit.

Muaji i Ramazanit është muaj i lutjes. Muaj në të cilin besimtari e pastron zemrën dhe shpirtin nga papastërtitë dhe me respekt dhe afrim tek Krijuesi e shkatërron murin e mendjemadhësisë. Mjafton që njeriu të ulet në tryezën e mirësive shpirtërore të këtij muaji dhe të përfitojë nga ajo.

Në muajin e bekuar të Ramazanit shtrohet tryeza e mëshirës Hyjnore dhe Zoti i fton robërit e vet që të marrin pjesë në këtë mikpritje. Rezet e diellit të Ramazanit shndrisin mbi qiellin e zemrave tona, prandaj ejani që t’i shfrytëzojmë këto rreze të kësaj mëshire. Sa kënaqësi ka përkujtimi i Zotit në këto ditë dhe këto net të cilat nuk mund të gjenden në asnjë kohë tjetër. Pra, të shpejtojmë që të pastrojmë zemrën dhe shpirtin tonë nga mëkatet dhe t’i mbushim ato me mirësi.

O Zot, me zemër të mbushur plot shpresë në mirësinë Tënde jemi nisur drejt oazës së mëshirës Tënde, që të përfitojmë nga deti i pafund i mëshirës Tënde. O Zot, mos na kthe bosh duart tona që i kemi zgjatur drejt Teje për nevojë dhe na jep atë që mendon se na takon prej Teje. O Ti që ke fuqi absolute dhe dijeni mbi të gjitha gjërat. O Ti që përpos Teje nuk mund kush t’i falë mëkatet dhe përpos Teje askush nuk mund të largojë të keqen dhe shqetësimin. O më i Mëshirshmi i mëshiruesve dhe më i Madhi i Bujarëve, dërgo mëshirë mbi Muhammedin dhe familjen e tij dhe na prano agjërimin tonë; llogarite atë ndër veprat e mira dhe pranoi përpjekjet tona për të arritur kënaqësinë dhe faljen Tënde. (koha.mk)

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button