Stop gjuhës së urrejtjes!
Të nderuar qytetarë të mi,
Jeni mjaft të vetëdishëm për situatën me qentë endacakë në qytetin tonë, sidomos këtyre ditëve të fundit, kur kemi qenë dëshmitarë të sulmeve agresive të këtyre kafshëve ndaj qytetarëve, të rinj e në moshë, pa dallime. Komuna e Strugës është angazhuar në shumë drejtime që ky problem të zgjidhet sa më shpejt.
Megjithatë, i ndjekim me mjaft kujdes edhe mediat e shkruara dhe elektronike, por edhe rrjetet sociale dhe vërejmë një fenomen mjaft të rëndë. Gjithandej po lexojmë e dëgjojmë gjuhë të urrejtjes, me dozë shumë të lartë. Sigurisht që nuk mund ta shuajmë apo ta bllokojmë emocionin e secilit qytetar, i cili në shumë raste kanë mjaft të drejtë dhe ndonjëherë edhe ne dakordohemi.
Por, nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që institucioni komunë apo kryetar komune të jetë shënjestër e shfryrjeve individuale, apo vend ku dikush prej juve dëshiron ta shprehë fjalorin më të ndyrë të mundshëm. Asesi nuk ju lejojmë që të na quani vrasësa e mercenarë, me duar me gjak, vend horror, paqavura, qenë të mëdhenj të komunës, e çka më tju vijë në gojë!
Nuk do të lejojmë asnjë ofendim, poshtërim, nënçmim, gjuhë të urrejtjes, akuza pa bazë, provokime apo shkelje me këmbë të personalitetit të njeriut. Në të njëjtën kohë ju lusim që të mos përdorni gjuhë të tillë, e cila nuk i ka hije një qytetari strugan. Lutjen tonë e shoqërojmë edhe me një forme paralajmërimi që të ndaloni me gjuhën e urrejtjes, sepse në të kundërtën do të detyrohemi që t’i paraqesim këta qytetarë para organeve kompetente, me një qëllim, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.
Padyshim që kjo situatë do të ndryshojë, por përsëri apelojmë te të gjithë qytetarët që edhe ata ta kenë hisen e tyre në zgjidhjen e problemit, duke bërë kallzime në polici kur i shikojnë kamionët mbushur plotë me qenë që zbarkohen nga i gjithë vendi, kur shikojnë se si pronarët i lishojnë qëllimisht qentë e tyre në rrugë, kur janë në dijeni se qentë shtëpiakë të tyre nuk janë të vaksinuar apo të çipuar dhe raste të tjera të ngjashme. Shprehni lirshëm mendimin tuaj, por në drejtim të zgjidhjes së problemit, prandaj Ju lutemi për qetësi dhe maturi!
Me respekt,
Kryetari i komunës
d-r Ramis Merko
