Referendumi për emrin dhe shqiptarët

Nga Valon Kurtishi/

Referendumi maqedonas per emrin dhe integrimin

1. Shqiptarët të vetmit konsekuentë dhe pa hipokrizi pro NATO e BE

Fillimisht. Shqiptarët në Maqedoni këto tridhjetë vitet e fundit kanë qenë gjithë bashkë e pa dallim jo vetëm në llogoren perëndimore, por edhe vetë avangardë e integrimeve në NATO e BE. Në historinë politike të shtetit të pavarur maqedonas nuk njihet asnjë strukturë e organizuar shqiptare, parti politike ose organizëm tjetër shoqëror qoftë të ketë mohuar, injoruar apo edhe penguar procesin integrues. Edhe në vitin e krizës 2001 ishin shqiptarët ata që insistonin në prezencë të plotë të mekanizmave të sigurisë së NATO dhe atyre të Bashkimit Europian. Kundërshtimet e fshehta apo edhe publike si dhe bllokimet e ndryshme gjatë gjithë kohës kanë ardhur dhe vijnë akoma kryesisht nga forca e interesa joshqiptare këtu, të lidhura me forca të jashtme aspak miqësore ndaj vendit dhe të rezikshme për interesat afatgjata të tij.

2. Statusi kushtetues. Element shtetformues. Gjuha minoritare

Së dyti. Statusi aktual kushtetues i shqiptarëve në Maqedoni nuk është në pajtueshmëri me potencën demografike, shtrirjen territorial, forcën ekonomike, prezencën historike të tyre në këto territore apo edhe zgjidhjet e sotme kushtetuese europiane. Mbeten akoma të hapura një mori cështjesh problematike por me shumë rëndësi për ardhmërinë politike të shqiptarëve këtu. Shqipja nuk është gjuhë zyrtare ose ka një status diskriminues e hibrid të një gjuhe zyrtare minoritare ose rajonale. Me këtë, ajo ka degraduar në nivelin e gjuhëve të pakicave të papërfillshme etnolinguistike këtu apo të të drejtave komunitare të emigrantëve ekonomikë në shtetet e zhvilluara. Simbolet etnike maqedonase imponohen me automatizëm si simbole shtetërore të detyrueshme për shqiptarët dhe tjerët pa vullnetin e tyre të lirë. I famshmi përfaqësim i drejtë e adekuat në Institicuonet publike asesi të arihet kurse disniveli ekonomik mes komuniteteve asesi të zvogëlohet apo edhe eliminohet. Për pasojë. Një shumësi problemesh dhe kufizimesh tjera shoqërore ekonomike burojnë nga një diskriminim i tillë kushtetues i komunitetit shqiptar. Është nevojë dhe urgjencë e kohës reformimi ose amendimi i Kushtetutës maqedonase në mënyrë që dy komunitetet më të mëdha të jenë plotësisht të barabarta në ushtrimin e sovranitetit shtetëror.

3. Referendumi i shtatorit

Në skenën politike vendore duket sikur vërehet një ndryshim cilësor në 12 muajt e fundit. Qeveria e re e qendrës së majtë tenton të japi një imazh tjetër qeverisës si dhe priret të emërtojë veten si reformatore, demokratizuese, progresiste. Prapëseprapë. Nuk shihen ndryshime rënjësore që do zgjidhnin përfundimisht ështjet e hapura etnike në vend. Shembulli i fundit në këtë drejtim ishte e quajtura Marrëveshje e Prespës ku vërehen lëshime të rënda dhe formulime evasive, të papranueshme e të rezikshme për identitetin nacional të shqiptarëve në Maqedoni. Këto si dhe ndryshimet urgjente kushtetuese janë cështje të cilat duhet të zgjidhen me dialog permanent por mbi të gjitha me qëndrime dinjitoze e konsekuente të faktorëve politikë shqiptarë në qeverisje apo edhe në opozitë. Nëse kjo nuk arihet të realizohet, atëherë forca të reja intelektuale, civile, shoqërore duhet të marin përsipër barrën e hapjes së këtyre cështjeve kardinale në opinion e gjerë. Hegjemonia mediale e forcave të vjetra duhet të thyhet kurse disursi publik të influencohet nga kauza nacionale shqiptare. Referendumi i shtatorit nga ana tjetër është interes vital euroamerikan i shprehur mëse njëherë publikisht nga prezenca e tyre në kryeqytet. Si i tillë mendojmë që duhet të përkrahet vendosmërisht nga trupi votues shqiptar. Shqiptarët autoktonë të japin kontributin e tyre modest në drejtim të kapjes së vlerave e institucioneve perëndimore dhe largimit të vendit nga ujërat e turbullta e të pasigurta të politikave lindore.

Për fund. Shpresoj që takimi i sotëm të mos mbetet në kuadër të konstatimeve por të dali me kërkesa e konkluza të qarta në lidhje me hapat e mëtejshëm për aritjen e barazisë së plotë kushtetuese të shqiptarëve këtu.

In : Aktuale

Loading...
loading...