Rënie alarmante e numrit të nxënësve të klasës së parë në Manastir: 238 më pak se një vit më parë

Manastiri po përballet me një rënie serioze të numrit të fëmijëve që fillojnë arsimin fillor. Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Sektori për Arsim në Komunën e Manastirit, këtë vit shkollor (2025/2026), në bankat e klasës së parë do të ulen vetëm 529 nxënës, që është 238 më pak krahasuar me vitin e kaluar kur ishin regjistruar 767 nxënës të klasës së parë.
Shifrat flasin qartë për një tendencë shqetësuese të rënies së natalitetit dhe largimit të familjeve nga qyteti, çështje që tashmë po reflektohen drejtpërdrejt në sistemin arsimor lokal.
Në disa shkolla numri i nxënësve është simbolik. Në shkollën fillore “Aleksandar Turundxhev” në Kukureshanë do të fillojnë mësimin vetëm 10 nxënës, ndërsa në “Shën Kirili dhe Metodi” në Manastir janë regjistruar vetëm 24 fëmijë. Ndërkohë, numri më i madh i të regjistruarve – 94 nxënës – është shënuar në shkollën fillore komunale “Shën Klimenti i Ohrit”.
Rënia e numrit të nxënësve është e dukshme edhe në shkollat tjera të qytetit:
- “Gjorgji Sugarev”: 30 nxënës
- “Trifun Panovski”: 37 nxënës
- “Kole Kaninski”: 43 nxënës
- “Goce Dellçev”: 45 nxënës
- “Krste Petkov Misirkov” në fshatin Bistricë: 30 nxënës
Më pak nxënës do të kenë këtë vit edhe shkollat fillore “Todorr Angeleski”, “Stiv Naumov”, “Elpida Karamandi” dhe “Dame Gruev”.
Zyrtarët komunalë theksojnë se rënia e numrit të nxënësve është një pasqyrë e gjendjes së përgjithshme demografike dhe sociale në qytet, duke kërkuar masa serioze për të frenuar këtë trend negativ.