BLENDI PETROL
Aktuale

REPUBLIKA E MAQEDONISË VERIORE

 

Pas përfundimit të bisedës së sotme përmes telefonit mes kryeministrit të Maqedonisë dhe atij të Greqisë, përfundimisht hapet rruga për zgjidhjen e kontestit çerekshekullor mes këtyre dy shteteve për çështjen e emrit të Republikës ish jugosllave të Maqedonisë. Siç njoftojnë mediat e vendit dhe të huaja, marrëveshja parasheh ndryshimin e emrit të shtetit, i cili në gjuhën shqipe do të jetë „Republika e Maqedonisë Veriore“, jo „Republika Veriore e Maqedonisë“, as „Republika e Maqedonisë së Veriut“, siç mund ta përkthejnë personat jokompetentë, ose mediat në gjuhën shqipe. Meqë bëhet fjalë për emër të ri, i cili është shtet edhe i shqiptarëve, sipas marrëveshjes që pritet të nënshkruhet në fund të kësaj jave, ky emër do të jetë në përdorim të përgjithshëm dhe do të jetë i përkthyeshëm.

Se çfarë fitojnë apo humbin shqiptarët e Maqedonisë me këtë emër të ri të shtetit, kjo është çështje tjetër, e cila kërkon analizë më të hollësishme dhe profesionale. Një gjë është e sigurt, që shqiptarët përfundimisht janë faktor në këtë proces, meqë sipas marrëveshjes duhet të bëhet ratifikimi i saj në Parlament, të mbahet referendum dhe të bëhet ndryshimi i Kushtetutës.

Një gjë është e sigurt, se emri i ri i këtij shteti përfundimisht e varros idenë e jogosllavizmit, megalomaninë nacionalshoviniste sllave dhe dominimin e maqedonasve ndaj shqiptarëve, si dhe hap perspektiva të reja evropiane dhe euroatlantike, të synuara dhe shumëpritura nga shqiptarët në Maqedoni dhe jo vetëm.

(12.6.2018)

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button