Resul Bekteshi:115 VITE NGA KONGRESI I MANASTIRIT ( 1908-2023)

- Gazeta, KOMBI, BOSTON ,nr.31 më dt.28.03. 1907 do të shkruaj : “ Sido që jemi të varfër e që na ndjek qeveria dhe nuk na lë të çelim mësonjetore , gjuha shqipe edhe në gurët e rrugëve do të shkruhet dhe do të këndohet…..”
Sot është ditë e madhe për kombin shqiptar. Të gjithë urojmë e përgëzojmë njëri tjetrin për fitoren e madhe që u arrit në vitin 1908 në qytetin Manastir.
Kongresi i Alfabetit të shqipes , 1908, paraqet një ngjarje të rëndësishme historike për kombin , njëherit pasqyron lëvizjen mbarshqiptare për zhvillim kulturo-arsimor, për emancipim dhe për formim të vetëdijes dhe identitetit kombëtar. E tërë kjo u arrit falë sakrificave të rilindasve tanë , të cilët kur ishte në pyetje atdheu nuk kursyen as edhe më të shtrenjtën – jetën. Shumica prej tyre do të shpreheshin : “ Sido që jemi të varfër e që na ndjek qeveria dhe nuk na lë të çelim mësonjëtore, gjuha shqipe edhe nga gurët e rrugëve do të shkruhet dhe do të këndohet ….” KOMBI,NR.31, Boston 28.03.1907.
Ndërsa , Mid-hat Frashëri,I biri I Abdylit dhe nipi I Naimit dhe Samiut, në revistën e tij “LIRIJA” do të shkruante : “ Ardhi një ditë e pëlqyerë për historinë tone, që të nisim liruar e pa pengesa të punojmë për mbrodhësinë e lumturinë e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, por me kartë e pendë..”
Kongresi i Alfabetit punimet i filloi më 14 nëntor të vitit 1908 dhe vazhduan deri më 22 të po atij muaji. Punimet Kongresi i zhvilloi në sallën e hotel LIRIJA . Aty merrnjin pjesë 32 delegatë me të drejtë vote dhe 18 të tjerë pa të drejtë vote. Delegatët përfaqësonin 26 klube , shoqëri e qytete. Por në Kongres kishte edhe shumë të tjerë , të cilët me ëndje ndiqnin punimet e Kongresit të ABC-së shqip.
Qëllimi i organizimit të Kongresit ishte që të mënjanohej përdorimi I disa alfabeteve që deri atëherë përdoreshin për të shkruar librat shqip dhe të themelohej një alfabet unik për të gjithë shqiptarët, respektivisht për të gjitha trojet e banuara me shqiptarë. Deri në vitin 1908 ndër trojet tona përdoreshin shkronja dhe alfabete të ndryshme varësisht nga krahina dhe nga të folurat e vendit. Kështu në pjesën veriore përdorej alfabeti latin me disa shtesa të alfabetit grek ose cirilik. Me këtë alfabet u shtypën veprat e Budit, Bogdanit,Kazasit, L.Matrëngës si dhe Meshari I Gjon Buzukut.
Në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, kur filloi lulëzimi I Voskopojës filloi të përdoret alfabeti grek. Këtë alfabet e kanë përdorur në shkrimet e tyre Kavalioti,Haxhiu,A. Kullurioti, M.Boçari,TH.Mitko, J.Vreto etj. Një pjesë e autorëve shqiptarë në veprat e tyre filluan të përdorin edhe alfabetin arabo-turk. Ndër ta u veçuan M. Çami, H.Z Kamberi etj. Pikërisht kjo laramani I përdorimit të alfabeteve të ndryshme ndër shqiptarët I shtyu rilindasit që të organizohen për themelimin e një alfabeti unik , qëllim ky që u arrit në vitin 1908 në Manastir.
Iniciativën për organizimin e Kongresit të Alfabetit nga ana e klubit Bashkimi të Manastirit e mirëpritën dhe përshëndetën shumë klube dhe shoqëri shqiptare në vend dhe në botën e jashtme. Ndër të tjerët Fan S. Noli e përshëndet me fjalët : “Kombi do tua dijë për të mirë këtë që do të bëni dhe Zoti ju faltë shëndet dhe mbarësi për të mirën e vendit tone….. Tani gjithë bota shqiptare e ka syrin, zemrën, shpirtin dhe mendjen në ju dhe nga ju pret të bëni të mburret atdheu. Ne shqiptarët e jashtëm jemi gati të vijmë pas gjurmave të shoqërisë suaj dhe t’ju ndihmojmë me gjithë shpirt në çdo çështje.
Në Kongres u paraqitën tre propozime për alfabet unik të shqiptarëve dhe atë :
- Alfabeti I shoqërisë” Bashkimi “ të Shkodrës, e themeluar ne vitin 1899,
- Alfabeti I shoqërisë “ Agimi “ po ashtu nga Shkodra, e themeluar në vitin 1901,
- Alfabeti I propozuar nga shoqëria e Stambollit e themeluar në vitin 1879.
Pas shumë diskutimeve ku shumë përfaqësues të shoqërive kulturore mundoheshin që si alfabet unik të ngelë ai për të cilin ata kishin propozim, prandaj duke vërejtur këtë laramani të diskutimeve, njëri nga pjesmarrësit e Kongresit, At Gjergj Fishta, I cili ishte Kryetar I Komisionit për alfabetin unik, ndër të tjera në fjalën e tij tha : “ O vellezër, po a mendoni nga pak se çka do t’u thomi shqiptarëve kur të na pyesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir ?. Çka do tu thomi ne njerëzve të pashkollë që nuk dijnë as me shkrue as me kendue? Na jemi që mendojmë me ba Shqypninë e si do ta bajmë ate kur na nuk duem me u marrë vesht ndërmjet vetit se si duhet me u shkrue germa A e ajo I ? Burra, po u flas me zemër në dorë, se asht marre e turp e faqe e zezë me I lane marre vedit para popullit shqiptar e para tanë botës, që prêt diçka prej nesh e na të kthejmë pa kurgja në dorë ? Po ulnju burra, ulnju sheshit, mos ta lamë duarboshë popullin që pret.
Unë s’kam ardhur këtu që të mbroj asnjërin nga alfabetet , por kam ardhur që të bashkohem me ju dhe do ta pranoj atë alfabet të cilin Kongresi do ta caktojë si më të dobishëm për prosperitetin e popullit”.
Fjalët e këtij françeskani të madh lanë përshtypje të madhe te të pranishmit. -Aferim ! .. Aferim të kjoftë-, bërtiti me të madhe një hoxhë me mjekërr. Ishte ai Hafëz Ibrahim Efendiu, I cili u drejtua drejt tribunës dhe me shpejtësi e me lotë në sy përqafoi Gjergj Fishtën. Ishte kjo një pamje e jashtëzakonshme , e cila I impresionoi të pranishmit në Kongres.
Përfaqësuesi musliman ndër të tjera tha : “ Ulnju burra, ulnju këtu në shesh dhe të zgjedhim një komision në krye me Gjergj Fishtën dhe ai komision le të caktojë se çka duhet të bëjmë sot për të mirën e popullit shqiptar”.
Kongresi me vota të fshehta zgjodhi komisionin prej 11 anëtarëve në përbërje nga të tri shoqëritë , nga shoqëria e Stambollit, nga shoqëritë Bashkimi dhe Agimi të Shkodrës. Në përbërje të komisionit merrnjin pjesë personalitete dhe shkrimtarë të dalluar si : Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mid-had Frashëri , Gjergj Qiriazi, Sotir Peci , Bajo Topulli etj. Anëtarët e komisionit duke shoshitur të gjitha çështjet rreth harmonizimit të qëndrimeve të shkronjave latine që duhej të përdoreshin në alfabetin e shqipes erdhën në përfundim se puna nuk ishte e lehtë as edhe e thjeshtë ngase egzistonin dallime ndërmjet anëtarëve të komisionit në përcaktimin e shenjave konkrete të sistemit fonetik të gjuhës shqipe që nuk i ka gjuha latine. Pas shumë peripetive dhe mundimeve për të sjellur një propozim konkret komisioni me pëlqimin e të gjithëve vendosi që Kongresi për një periudhë të caktuar të caktojë për përdorim dy alfabete – atë të Stambollit dhe një alfabet thjesht latin ( i afërt me propozimin e shoqërisë Bashkimi por jo i njëjti).
Kongresi i Manastirit nuk mori një vendim të prerë se cili alfabet do të ishte unik për shqipen e unifikuar , por vendimet e tij ishin shumë të rendësishme për lëvizjen kombëtare shqiptare dhe shënoi një hap të rendësishëm për zhvillimin dhe përparimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Katër vite më vonë , pas Kongresit të Manastirit , alfabeti latin u tregua më praktik , prandaj me vendim të Qeverisë së Vlorës në vitin 1912 , u bë alfabeti i vetëm i gjuhës shqipe. Më vonë Komisioni Letrar i Shkodrës i mbajtur në vitin 1916 realizoi me sukses çështjen e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Ky komision në përbërje Gjergj Pekmezi, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Mati Logoreci, Aleksandër Xhuvani etj. punimet i vazhdoi prej 1.IX.1916-1.IX.1917 dhe me sukses kreu misionin për çështjen e drejtshkrimit të shqipes letrare.
Sot duhet thënë se Kongresi i Alfabetit të Gjuhës shqipe përfaqëson fitoren më të madhe historike dhe kulturore që ka arritur të korrë kombi ynë.
Urime! E gëzofshim dhe e festofshim ndër vite e mote DITËN E ABECESË SHQIP!
RESUL BEKTESHI , STRUGË