Rihapet aksi në Librazhd, normalizohet qarkullimi drejt Tiranës dhe Qafë Thanës

Rikthehet lëvizja e automjeteve në Librazhd, pas hapjes së rrugës provizore në segmentin e prekur në zonën e Dragostunjës.
Në orën 11:38 autoritetet konfirmuan rihapjen zyrtare të qarkullimit, duke i dhënë fund bllokimit të përkohshëm që për disa orë kishte krijuar vështirësi për qindra drejtues mjetesh që lëviznin në këtë aks të rëndësishëm kombëtar.
Segmenti problematik, pjesë e aksit Librazhd–Prrenjas, ishte bërë i pakalueshëm pas dëmtimeve të regjistruara në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”. Pas ndërhyrjeve intensive në terren dhe verifikimeve të kushteve të sigurisë, u dha drita jeshile për rifillimin e trafikut.
Rihapja e këtij aksi rikthen funksionalitetin e plotë të një prej arterieve kryesore rrugore që lidh Tiranan me juglindjen e vendit, përfshirë Korçan, si dhe me pikat kufitare me vendet fqinje, duke lehtësuar qarkullimin e udhëtarëve dhe transportin e mallrave.





























