RIZA DEHAR DRINI (STRUGA) – (30.XII.1895 – 25 MAJ 1966)

Prof. Dr. Nebi Dervishi

RIZA DEHAR DRINI (STRUGA) – (30.XII.1895 – 25 MAJ 1966)

“NJË JETË NË SHËRBIM TË ATDHEUT DHE KOMBIT SHQIPTAR”

(Me rastin e 126 vjetorit të lindjes dhe 55 vjetorit të vdekjes)

Sot, më 30 dhjetor 2021 mbushen plotë 126 vjetë të lindjes të atdhetarit Strugan Riza Dehar Drinit (Strugës), i cili një jetë ishte në shërbim të popullit shqiptar dhe atdheut. Ka njerëz në këtë botë, jeta e të cilëve fillon dhe mbyllet brenda kufijve fizik të saj, të dhimbshëm apo të paqtë qofshin këto limite. Ka të tjerë që marrin rrugën në botën e përtejme krejt në heshtje, pa zhurmë, edhe pse intuitivisht e kanë përcaktuar fajin e veprës së tyre në kujtesën e kombit. Ka të tjerë të cilët respektohen e shkohet pas gjurmëve ë tyre sepse personaliteti i tyre ndër vite shndërrit, si fanar. I tillë ishte edhe patrioti (atdhetari) dhe intelektuali i shquar struganë, Riza Dehar Drini (Struga), i cili i takon plejadës së intelektualëve shqiptarë të Strugës, të cilët vepruan e krijuan gjatë she. XIX dhe në gjysmën e parë të shek. XX, siç ishin: Dr. Ibrahim Temo, Dervish Hima, Nuri Sojliu, Abdulla Rushiti – Gojëdrinasi, Xhemal Sojliu, Dr. Murteza Ali Struga dhe shumë të tjerë. Sado që ishte figurë e dalluar atdhetare e intelektuale e Lëvizjes Kombëtare e kohës së tij, ashtu si edhe shumë patriotëve të tjerë të kësaj ane, për arsye objektive dhe nga moskujdesi, jeta dhe veprimtaria e tyre nuk është studiuar.

Riza Drini,  i biri i Dehar Strugës, –  Drinit dhe Shadijes, lindi në “kasabanë” (qytetin) e Strugës më 30 dhjetor 1895, në një familje me emër, me traditë të lashtë, me tituj fisnikërie dhe të pasur, me veprimtari të dalluar intelektuale, politike e atdhetare me peshë në rrjedhën e ngjarjeve kombëtare. Në vitin 1907, sllavo-bullgar (komitat anas) e vrasin për motive etniko-politike të atin e tij atdhetarin Dehar në Strugë. E shoqia Shadije Hanëmi mbeti e ve me dy djemtë jetima, Rizai në moshën 11 vjeç dhe Raifin në moshën 9 vjeç. Pra, prindërit e Riza Drinit i takonin familjeve të elitës qytetare të Strugës, të cilët me shtëpi banonin në pjesën jug-lindore të sheshit të qytetit, në fqinjësi me Memet Agën (gjyshin e Beqir Agë Bautës nga linja e nënës), Qenan Aga, Kulin dhe Elmaz Aten. Riza Drini mësimet e para i merr në vendlindje, ndërsa të mesmen në Normalen e Elbasanit në vitin 1914. Në Stamboll e vijon shkollën ushtarake dhe vishet oficer. Pra, shumë shpejt dhe përfundimisht u largua nga ajo karrierë që nuk ishte e vokacionit të tij, sepse e “grishi” (ftoj), çështja kombëtare, misionare dhe veprimtar i betuar i së cilës do të ishte gjithë jetën.

Në Stamboll, gjatë kohës që studioj, u takua u njoftua dhe bashkëpunoi me një numër të madh intelektualë të shquar shqiptarë, të cilët në atë kohë vepronin e krijonin në metropolin e Turqisë. Kontaktet me intelektualët atdhetarë shqiptare në Stamboll, leximi i literaturës përparimtare, liridashëse, etj., ndikuan në ngritjen intelektuale dhe synimet patriotike e demokratike të tij. Riza Drini kthehet në Shqipëri në vitin 1921, dhe pa humbur kohë futet në aktivitete politike, duke hyrë në shoqërinë e asaj kohe “Bashkimi”, në 1923, duke u dalluar ndër veprimtarët më aktivë të saj, si dhe zgjidhet kryetar i degës “Bashkimi” për qytetin e Durrësit.

Në vitin 1924, Riza Drini mori pjesë në Revolucionin e Qershorit. Ishte mik e bashkëpunëtor me Hasan Bej Prishtinën dhe Bajram Currin. Emërohet nënprefekt në Krumë, me pikësynimin veprimtarinë e Kosovës. Pas ngadhënjimit të kundërrevolucionit në fund të dhjetorit të 1924, organizon rezistencën në këto vise.

Martohet me Naxhijen nga Dibra e Madhe, vajza e Xheladin Xhafer Begollit, me gradë ushtarake major drejtues i mbrojtjes së zonave shqiptare në Luftat Ballkanike.

Pas dështimit të Revolucionit demokratik të Qershorit 1924, përmes Shkodrës, Riza Drini së bashku me Luigj Gurakuqin qëndroi shtatë vjet, largë familjes dhe atdheut. Në Vjenë ishte në kontakt të vazhdueshëm me politikanë e intelektualë të ikur nga Shqipëria dhe trevat e tjera lindore shqiptare, si: Hasan bej Prishtina, Fan Noli, Rexhep Mitrovica, Sejfi Vllamasi, Abdulla Rushiti – Gojdrinasi (Struga), o. Nishani, Xhevat Korça, etj., si dhe me disa të tjerë, që vite më vonë gjatë Luftës së Dytë Botërore do të ketë kontakte të shumta.

Shesh herë në këto vite Riza Drini në shkrime të tija me pseudonime do të thoshte: “Përçarja dhe vëllavrasja janë humnera e kombit që nuk mund t’i kapërcejmë me breza. 

“Ishte koha që të përqendroheshin tek idetë themelore të nacionalizmit shqiptar dhe të kundërshtoheshin idetë e huaja antikombëtare komuniste internacionaliste që niseshin nga Kominterna dhe po përqafoheshin nga disa shqiptare. 

Pas shpalljes së amnistisë politike nga Ahmet Zog, në vitin 1931, Riza Drini nga Vjena kthehet në Shqipëri. Me ndihmën e miqve dhe shokëve, ai u emërua kryetar i Bashkisë (Komunës) në Voskopojë, zgjidhje kjo e ekuilibruar politike për momentin dhe i përshtatshëm për shëndetin e tij. Mbetet gjithnjë një demokratë i mirëfilltë, por, e pranon realitetin politik në Shqipëri si një rezultante historike duke mos, qenë për asnjë çast mohues, ai vlerëson sukseset që ishin arritur gjatë qeverisjes dhe sundimit të A. Zogut që ishin suksese për vendin.

Sado që nuk shikohej me sy të mirë nga pushtetmbajtësit, ai i nisur nga pikëpamjet e veta përparimtare, u angazhua që të ngrinte në më shumë fusha atë vend, në aspektin ekonomik, kulturor, arsimor, sociale, etj, me qëllim që Voskopoja me rrethinë të kthehej në një vend të zhvilluar, me rrugë të shtruara, me lulishte, etj.

 I kthyer thuajse në një mit në atë krahinë, për ndryshimet që bëri sot një rrugë në Voskopojë për ndër të tij mban emrin “Riza Drini”.

Në fund të vitit 1938, për shkak të qëndrimit politik ë ngjarjet e Qershorit 1924, u gjet i shmangur nga qendra vendasëse shtetërore. Por, po ashtu me kthimin e argumentuar politikisht prej tij, ai qe shkëputur si politikisht dhe në synime dhe nga qëndrimi i emigracionit antizogist që qëndroi jashtë Shqipërisë. Kështu Riza Drini nuk qe nga ai grup politikanësh që rreth ngjarjeve të vitit 1939 influencuan për fatet e Shqipërisë dhe as prej atyre që vendosën për natyrën e lidhjes së shtetit shqiptar me Italinë pushtuese, dhe së fundi, nuk qe nga ata që në çfarëdo instancash direkt ose indirekt përcaktuan llojin e marrëdhënieve të përditshme me pushtuesin.

Në kohën e okupimit italian të Shqipërisë, 1940 Riza Drini u emërua prefekt i Prefekturës së Shkodrës. Për sa kohë e kreu këtë funksion, Riza Drini, si personalitet e intelektual i ngritur, i shquar e i ndërgjegjshëm, në shumë raste të vështira me shumë sukses mbrojti popullsinë e Shkodrës nga përndjekjet, burgosjet, vrasjet, etj., nga ana e pushtuesve italianë, për të cilat edhe sot, pas kaq vitesh të kaluara, shkodranët e moshuar emrin e tij e evokojnë me respekt. A. Muka më 29 dhjetor 1996, në 30 vjetorin e vdekjes, për figurën e Riza Drinit do të shprehet: “Intelektual me kulturë të gjerë, atdhetar i pastër, i ndershëm, korrekt e burrëror, janë tiparet thelbësore të karakterit të tij që kanë mbetur të ngulitura në ndërgjegjen e njerëzve që e njohën nga afër dhe të të gjithë qytetarëve të Shkodrës. E deshi shumë Shkodrën për fisnikërinë e saj dhe Shkodra e nderoi si pak kënd”. Por më i thuktë do të jetë prof. H. Bekteshi: “Riza Drini ka qenë një monument, nuk ka masë me e përshkru nderimin që ka pasë shodra për të”.

Riza Drini në vitet 1941-1944, shpesh herë vizitonte vendlindjen, Strugën e tij të dashur. Struganët e moshuar që e kanë njohur me pietet flasin në ndeje të rastit, dhe sa herë që lakohet emir i tij, evokojnë kujtime të këtij burri, si Prof. Ali Vishko, Sejdin Lloga, Shaban Tateshi, Pajazit Qyra, Hadi Imami, Surija Imami, Sali Efendiu, Jusuf Skoro, etj. Aty nga mesi i muajit qershor 1941, një delegacion i parisë së Strugës shkoi në Tiranë, ku në mes tjerash, nga Qeveria e Tiranës u kërkua që Struga dhe vise të tjera lindore shqiptare të mos i dorëzohen Bullgarisë si dhe sa më parë të hapen kurset dhe shkollat e para në gjuhën shqipe. Në mesin e pjesëtarëve të delegacionit kanë qenë Riza Drini, Tasim Efendiu (Imani), Esat Doko, Sami Lloga, Arif Qoku, etj.

Në periudhën shkurt-shtator 1942, Riza Drini emërohet prefekt në Prefekturën e Prishtinës. Edhe këto pak muaj të qëndrimit në këtë prefekturë, mjaftoj për të mbetur në ndërgjegjen e shqiptarëve atje si shembull vyrtyti, vizionari dhe atdhetari.

Në janar të vitit 1943, Riza Drini është prefekt i Tiranës, ku dëshmon një qëndrim anti-italian të paparë, ndërkaq në prill e maj 1943 është përsëri prefekt të Shkodrës.

Deri në tetor të vitit 1943 qëndroi prefekt i Tiranës. Gjatë kësaj kohe liron nga burgu shumë persona, në mesin e të cilëve edhe shumë komunist. Po pse komunist? Se ishin shqiptar dhe po jepnin një kontribut rezistence. Si nacionalist përpiqej që të gjithë shqiptarët të bashkoheshin në Luftë të përbashkët kundër pushtuesve. Dhe rezultat i kësaj fryme të urtë politike vëllazërore i të gjithë nacionalistëve që realizimi i marrëveshjes së Mukjes në rang kombëtar po edhe më pas i Marrëveshjes së Dibrës me Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë Etnike në nivel të gjerë rajonal dhe që u pranuan nga Fronti Nacional Çlirimtar. Dy evenimentet në të cilat që pratogonist edhe Riza Drini … shkatërrimi i Marrëveshjes nga të tjerët dhe rrethanat, solli pasoja të dhimbshme për çështjen kombëtare,mjerim të pafund për shqiptarët”.

“Komiteti Shqiptar për Lirinë e Pavarësinë Etnike” u krijua në shtator të 1943, në mbledhjen që u mbajt në Bashkinë e Dibrës për bashkimin e atyre krahinave, për luftë kundër gjermanëve. Ishin krerët e Dibrës dhe drejtuesit e Balit Kombëtar si Hasan Dosti, Mit’hat Frashëri, Jusuf Luzi. Nga krerët e Dibrës ishin Fiqiri Dineja, Myftar Kaloshi, Ali Maliqi, Riza Drini, ejt. 

Mendimet e shumicës ishin për luftë. Me propozimin e Riza Drinit u krijua “Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë Etnike:, kryesuar nga Fiqiri Dine dhe 4 anëtar, në mesin e të cilëve ishte edhe Riza Drini. U arrit dhe një marrëveshje me Nacional Çlirimtaren për luftë të përbashkët kundër gjermanëve dhe me shtab të përbashkët. Pra, një Mukje të dytë në nivel të gjerë rajonal. Motivim e bashkimit e shpreh Riza Drini, në një fjalim para popullit: “Ne do të luftojmë kundër gjermanit. Jemi miq me aleatët e mëdhenj, Amerikë, Angli, dhe Bashkimin Sovjetik, që do t’iu jap liri popujve dhe paqe e drejtësi botës”.

Pas kapitullimit të Italisë fashiste (8 shtator 1943), në qytetin e vogël të Strugës me rreth 4000 banorë, vazhduan të jetojnë edhe dy intelektualë të njohur Qenan beu dhe Qazim bej Vlora. Përveç këtyre, n vitet 1941-1944, këtu erdhën dhe u përqendruan më shumë intelektual dhe personalitete që ishin nga Manastiri e Ohri, si Ibrahim Bej Kolonjari, Azmi Beu, Remzi Beu, Mentor Qoku (i biri I Hamdi Bej Ohrit), etj., si dhe një numër të caktuar intelektualë e bejlerë nga Korça, Elbasani, Tirana e Dibra, të cilët vinin shpesh në qytezën e Strugës në atë kohë për takime, konsultime etj., lidhur me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, siç ishin: Mit’hat Frashëri, Maliq Beu, Fuat Dibra, Fiqiri Dine, Hasan Dosti e të tjerë. Në vjeshtë e dimrin e 1943 dhe më 1944 edhe Riza Drini shpesh vinte e rrinte me jave në vendlindje, ku takohej me krerët e përmendur të Lëvizjes Kombëtare me qëllim konsultimesh dhe mbarëvajtjen e lëvizjes.

Rrethanat e reja të favorshme, vëllavrasja dhe lëshime e dobësi të tjera që u paraqitën në trevat shqiptare me nisjen e luftës qytetare në këto vise, e dobësuan shumë unitetin kombëtar ndër shqiptarët, e bashkë me këtë filluan të veniten edhe idealët e Riza Drinit për një Shqipëri etnike, e cila do të shkonte rrugës së shteteve të civilizuara evropiane. Lidhur me këtë, në një rast ai një mikut të vet në një letër, në mes tjerash, shkruante: “Përçarja dhe vëllavrasja janë humnerat e kombit që nuk do t’i kapërcejnë me breza…”

Me detyrën e eliminimit të vëllavrasjes si dhe ruajtjes së unitetit kombëtar ndër shqiptarët, në vjeshtën e 1943 dhe në vitin 1944, Riza Drini, përveç në Strugë dhe në fshatrat e saj si në Livadhi, Veleshtë, Dollogozhdë, Llabunishtë, etj., bëri më shumë  udhëtime dhe mbajti mbledhje edhe me krerët shqiptarë të Dibrës e të rrethinës. Por, një veprimtari e tillë e Riza Drinit nuk i pëlqeu qarqeve antishqiptare, të cilët me rastin e hapjes (inaugurimit) të Lapidarit me shqiponjë në Strugë kushtuar 30 vjetorit të dëshmorëve të Luftës së Petrinjës te ura e Çarshisë mbi Drinin e Zi, tentuan që ta vrasin atë, pasi në fjalimin që mbajti me atë rast, në mes tjerash, ai deklaroi: “Struga nuk është gjë tjetër veç shqiptare…”. Por, truproja e armatosur e Riza Drinit e shpëtuan atë nga vrasja në atë monument.

Aktivitetin e  Riza Drinit edhe nga Dibra disa shqipfolës shërbëtor të Beogradit që vepronin në trevën e Dibrës direktivave të P.K. të Jugosllavisë dhe ithtarëve të kreut të asaj partie, siç ishin Dr. Mugasha, Tempo, M. Popoviq, etj., gjithashtu, nuk shikoheshin me sy të mirë, ku edhe ato tentuan disa herë që ta eliminonin fizikisht atë. Edhe shkrimtari i asaj ane Haki Stërmilli në veprën e vet “Ditari partizan” e quajti Riza Drinin si njëri nga krerët reaksionar shqiptar të veriut, i cili paska ardhur në Dibër bashkë me krerë të tjerë për të neutralizuar luftën e brigadave partizane”.

Gjatë vitit 1944, Riza Drini së bashku me nacionalistë të tjerë shqiptar përpiqej të organizojë marrëveshje me drejtues vendas të Nacional – Çlirimtares. Por, në nëntor të 1944, arrestohet dhe dënohet me 15 vjet burg të rëndë. Pas pak muajsh, më vendim të Këshillit Ministror dënimi i ulët në 5 vjet. Edhe kjo ulje e menjëhershme e dënimit është edhe një tregues që dënimi i tij, qe politik. Nga burgu lirohet në dhjetor të vitit 1949.

Pas ngjarjeve në Hungari, në 1956 internohet deri 1958. Vitet e fundit të jetës, Riza Drini i kaloi në Shkodër, gjithnjë i bllokuar plotësisht i pamundësuar për të kontribuar dhe influence në fatet e vendit, të cilat për të personalisht do të kthehen në një torturë të madhe të mendjes dhe shpirtit. Gjithë kohën  papunë, në vështirësi shumë të mëdha dhe i survejuar në veprimet e kontaktet e tij, nga sigurimi i shtetit.

Dhe ka të drejtë një pinjoll i Riza Drinit, Genc Drini ku shprehet se: “Po Riza Drini u dogj nga pasioni i tij i dashurisë për atdheun, shkriu rininë e vet, shëndetin dhe pasurinë”. Si autori i këtij portreti modest do të shtoja: “Riza Drini, strugani që një jetë ishte në shërbim të Atdheut”.

Riza Drini ndërroi jetë më 26 maj 1966 dhe varroset me nderime nga shkodranët në varrezat e qytetit të Shkodrës larg vendlindjes, Strugës.

Ky portret modest, me rastin e 126 vjetorit të lindjes së Riza Drinit nuk është i plotë. Hulumtimet e mëtejshme do të hedhin dritë me të dhëna të reja për veprimtarinë atdhetare të birit të Strugës, i cili nuk kurseu asgjë nga vetja në të mirë të çështjes kombëtare shqiptare, në gjysmën e parë të shek. XX, por edhe më pas.

Delegacioni i parisë së Strugës, Maj 1941 në Tiranë, kryesuar nga Riza D. Struga (me kapelën në dorë)

 Strugë, 

30.XII.2021

In : Aktuale

Loading...
loading...