Rrejshëm pretendohet se inflacioni në Gjermani është mbi 45 për qind

Nga Admin On Sep 29, 2022

Postimi përhap gënjeshtra se inflacioni real në Gjermani është mbi 45 për qind dhe si “provë” tregohet një ilustrim që tregon se indeksi ekonomik për muajin prill është 45.8 për qind. Por ky indeks nuk tregon inflacionin, është një tregues krejt tjetër. Siç thuhet në vetë foton, bëhet fjalë për Indeksin e çmimeve të shitjes me shumicë Produce Price Index (PPI), i cili mat shkallën e ndryshimit të çmimeve të produkteve të shitura kur ato largohen nga prodhuesi. Indeksi i përdorur për matjen e inflacionit quhet Indeksi i Çmimeve të Konsumit ose Consumer Price Index (CPI) dhe mat ndryshimin mesatar në çmimet me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga shporta e konsumit të familjeve. Të dhënat zyrtare thonë se norma e inflacionit në Gjermani për muajin gusht 2022 është 7.9 për qind, pra ka pasur rritje prej 0.4 për qind krahasuar me muajin paraardhës kur inflacioni ishte 7.5 për qind.

Një postim në rrjetin social Facebook pretendon se inflacioni në Gjermani ishte 45.8 për qind. Ky është informacion i gabuar dhe keqinterpretim i plotë i të dhënave nga grafikoni i paraqitur.

PERËNDIMI KA LIDERË ……..

Inflacioni në Gjermani vazhdon të rritet!

Parashikimi: 37,1% –> Realisht: 45,8% 

Bashkëngjitur postimit që pretendon se inflacioni real në Gjermani është 45.8 për qind, si dëshmi se numri është i saktë dhe real, është një ilustrim që në fakt tregon indeksin ekonomik për muajin prill që është 45.8 për qind.

Por, nuk është e vërtetë që ky indeks tregon inflacionin. Ky është indeks krejtësisht i ndryshëm që tregon gjendje të ndryshme. Domethënë, siç thuhet në vetë foto, në të vërtetë tregon Indeksin e Çmimeve të Shitjeve me Shumicë ose Producer Price Index (PPI).

Ky indeks mat shkallën e ndryshimit të çmimeve të produkteve të shitura pasi ato largohen nga prodhuesi. Indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet industriale (shitjet e brendshme) mat ndryshimin mesatar të çmimeve të lëndëve të para dhe produkteve industriale të prodhuara dhe të shitura në Gjermani. Shembuj të tyre përfshijnë produktet e naftës, metalet, kimikatet bazë dhe produktet ushqimore. Prodhuesit e këtyre mallrave i përkasin sektorit të prodhimit, sektorit të energjisë dhe furnizimit me ujë dhe sektorit të minierave.

Nga ana tjetër, inflacioni është diçka krejtësisht tjetër. Indeksi i përdorur për të matur inflacionin quhet Indeksi i Çmimeve të Konsumit ose Consumer Price Index (CPI). Ky indeks mat ndryshimin mesatar të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve që familjet blejnë për nevojat e tyre të konsumit. Këto përfshijnë, për shembull, produktet ushqimore, mallrat e tjera të konsumit, qiratë e banesave, energjinë elektrike, karburantet dhe shërbimet.

Në Gjermani, kategoritë më të rëndësishme në indeksin e çmimeve të konsumit janë banesa, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse tjera (32 përqind e peshës totale), transporti (13 përqind), rekreacioni, argëtimi dhe kultura (11 përqind) dhe ushqimi dhe pijet joalkoolike (10 përqind). Indeksi përfshin gjithashtu mallra dhe shërbime të ndryshme (7 përqind), mobilje, pajisje ndriçimi, aparate dhe pajisje të tjera shtëpiake (5 përqind), shërbime të restoranteve dhe akomodimit (5 përqind), shëndetit (5 përqind), dhe veshjeve dhe këpucëve (5 përqind). 7 për qindëshi i mbetur i indeksit përbëhet nga pijet alkoolike dhe duhani, komunikimi dhe arsimi.

Të dhënat zyrtare thonë se norma e inflacionit në Gjermani për muajin gusht 2022 është 7.9 për qind, pra ka pasur rritje prej 0.4 për qind krahasuar me muajin paraardhës kur inflacioni ishte 7.5 për qind.

Ky është krejtësisht i ndryshëm nga indeksi i çmimeve me shumicë të produkteve, i cili në gusht 2022 ishte 45.8 për qind në nivel vjetor, me rritje prej 8.6 për qind në nivel mujor, pra krahasuar me korrikun 2022, kur ky indeks u rrit në nivelin e 37.2 për qind krahasuar me korrikun 2021.

Nuk ka dyshim se indeksi i çmimeve me shumicë ndikon në inflacion. Ekspertët bëjnë të ditur se rritja e këtij indeksi do të thotë se do të rritet edhe inflacioni dhe se në muajt e ardhshëm mund të arrijë deri në 10 për qind.

Rritja e çmimeve të energjisë për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës mbetet shtytësi kryesor i rritjes së çmimeveshkruan Politiko.

Por, assesi nga këto nuk mund të nxirret përfundimi se inflacioni në Gjermani është 45.8 për qind. Postimi në Facebook, të cilin po e shqyrtojmë, manipulon me faktet dhe shifrat dhe me këtë mashtron publikun që të besojë diçka që nuk është e vërtetë. Për më tepër, vetë shprehja “Perëndimi ka liderë” aludon për faktin se inflacioni (i cili në mënyrë të rreme paraqitet si i madh) është rezultat i lidershipit të keq në vendet perëndimore. Por inflacioni, megjithatë, varet dhe lidhet me shumë faktorë të tjerë, dhe mbi të gjitha, është për shkak të krizës energjetike të shkaktuar nga pushtimi ushtarak rus në Ukrainë.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

In : Aktuale

Loading...
loading...