,,RREZE DRITE – mbi qiellin e Ohrit ,,

Arka prej druri

Ndër vjershat e para që m’i pati mësuar im atë ende pa shkuar në shkollë ishte edhe një që në fakt ai e këndonte me shumë kënaqësi me zërin e tij melodioz:
Po, por nesër, me ndihmë t’Zotit,
Do ta bajmë prap Shqipnin t’lirë
Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,
…………………………………………..
……………………………………………
Kjo këngë, tha ai, është vjershë e Gjergj Fishtës, emrin e të cilit unë atëherë për herë të parë e dëgjova nga im atë. Ai mbante mend dhe shpesh recitonte e këndonte edhe vjersha dhe këngë të tjera që i kishte mësuar në shkollë nga Enver Palluqi, mësuesi i Livadhisë gjatë viteve 1941/44, por vargjet e Fishtës i këndonte më shpesh dhe më me emocione. Pas recitimit apo këndimit të poezive e këngëve të tjera ai domosdoshmërisht e vazhdonte bisedën duke evokuar kujtime nga ajo kohë, nga shkolla, dhe duke ndarë me ne emocionet e atyre viteve që për
Në fakt, me sa duket, kjo periudhë dhe këto vjersha të recituara nga im atë si dhe kujtimet e tij të shpeshta për jetën shkollore krijuan tek unë, në atë moshë fëmijërore, bazën e vizionit tim që po ngjizej ngadalë por sigurtë. Lindi pra në këtë mënyrë dëshira dhe dashuria e zjarrtë për shkollim e arsimim.
Me të filluar klasën e parë, diku nga vjeshta e vonë, një mbrëmje im atë zbriti nga tavani i shtëpisë një arkë prej druri të mbyllur me kapak e cila sipas nevojës mbase kishte shërbyer edhe si valixhe. Më ftoi afër vetes dhe pasi e hapi kapakun filloi t’i nxjerrë gjësendet që me sa duket ishin mbyllur aty qëmoti. Pasi e fshiu pluhurin dhe hoqi disa pëlhura, nga arka nxori disa libra. Të gjithë librat dhe bashkë me ta edhe disa fletore dukej që ishin të vjetra. Ishin kryesisht me kopertina të dëmtuara ose pa to, me fletë të zverdhura dhe me disa faqe që u mungonin.
Libri i parë ishte me kopertinë të trashë me ngjyrë kafe, i ruajtur aq sa të mund ta lexoje titullin. Në kopertinë shkruante “Lahuta e Malcis” dhe lart autori Gjergj Fishta. Më pastaj një libër tjetër me fotografi të shumta, por pa kopertinëapakë, vende-vende i nënvizuar. Im atë tha se kjo ishte Abetarja jonë e asaj kohe. Pastaj nxori një tjetër me kapakë të gjelbër, të dëmtuar më shumë, ku lexova: “Mevludi”. Ishte ky një libër fetar i botuar në Tiranë. Pastaj vinin me radhë edhe disa fletore që i kishte dëmtuar koha që ishin fletoret e tim eti dhe në to shkrimi i tij aq i rregullt, thjesht një bukurshkrim.
Nga fundi i arkës nxori një kuti metalike të vogël dhe pasi e hapi pak me vështirësi nga ajo fluturuan disa kartmonedha me ngjyrë të kuqe që nuk i kisha parë ndonjëherë. Im atë qeshi. Unë e mora njërën dhe ngadalë i lexova fjalët me shkronja më të mëdha: “Njëzet e pesë napolona ari”, kurse në njërin kënd ishte një portret i uniformuar.
– Po këto ç’janë? – e pyeta babanë.
– Këto janë parae Italie që në atë kohë kishin vlerë të madhe. Ja, ky në fotografi ka qenë mbreti i Italisë, Viktor Emanueli. Këto parae na mbetën gjoja si kursim dhe më vonë, kur iku Italia, nuk kishin asnjë vlerë.
Dhe kështu im atë, duke qeshur, i mblodhi ato e i futi përsëri në kutinë metalike. Por unë, rishtas kureshtar, e pyeta:
– Po pasi nuk kanë vlerë, ç’i ruan?
– Le të jenë aty bashkë me këto gjësende të asaj kohe. Edhe ato janë pjesë e historisë sonë. Mirë a keq, Zoti e di! Kurse te unë sikur mu shtua edhe një pyetje: “ Vallë, ne që jemi në zonat kufitare mes popujve, edhe sa herë do të duhet ti ndërrojmë monedhat?! “
Në këtë arkë prej druri kishte edhe disa gjërasende të tjera të vogla si për shembull disa pjesë të një makine për të qepur të markës gjermane Singer që gjyshi im ia kishte blerë gjyshes në Tiranë meqë ajo ishte e aftë të qepte me të në atë kohë së paku për katër bijat e eveta .
Kështu im atë për secilin send që u gjend në arkë kishte ndante me mua të tregonte nga një histori duke e lidhur me ndonjë ngjarje të kohës përkatëse. Në fund, pasi i radhiti dhe i rregulloi gjërat brenda arkës, e mbylli me dry duke kënduar njëkohësisht këngën “Për mëmëdhenë” që poashtu e donte shumë.
Edhe sot e kësaj dite, kur e analizoj rrugëtimin tim jetësor, mund të them se ajo arkë e pluhurosur, e ruajtur vite me radhë, dhe recitimet e këngët e tim eti, ishin burim frymëzimi dhe udhërrëfyesit e mi në rrugën e gjatë që kalova dhe po kaloj.
Kuptohet që kjo farë e mbjellë që nga ambineti shtëpiak për të dhënë fruta duhej kultivuar ndër vite. Natyrisht që ambienti ku pema do të rritej ishte shkolla, ishin mësuesit e mi ata që do t’i jepnin vrull asaj, ishte arsimi. Mendimtari libanez Gibran do të thonte: “Arsimi nuk i hedh farat, por i bën ato të mbijnë.”
Ky udhëtim nëpër këtë rrugë të ndritur, siç e quante Naimi, ditë pas dite, vit pas viti, jepte rezultatet e veta. Por kjo rrugë me dritë për shkollat dhe mësuesit tanë nuk ishte gjithmonë me diell. Atë shpesh e sfidonin mjegulla t e retë, shirat e rrebeshet që gjithmonë vinin nga veriu. Ato ngulmonin që të arrinin qëllimin ogurzi, por, njëkohësisht, i trembeshin dritës që vinte andej nga perëndon.
Vështirësitë që hasi përhapja e dijes në Ohër dhe sakrificat që bënë dhe përjetuan arsimtarët në shkollën time në Ohër nuk dallojnë nga ato që përjetuan kolegët e tyre në vende të tjera ku zhvillohej arsimi në gjuhën shqipe. Përkundrazi, fati i tyre ishte i njëjtë me fatin e të gjithë arsimtarëve, shkollave dhe arsimdashësve të tjerë shqiptarë kudo që punonin dhe jetonin. Ky fat ishte më i dhimbshëm dhe më kontradiktor sidomos në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo, për faktin që premtimet e deklaruara për barazi, pas asaj “lirie” që u fitua me gjakun e të gjithve në shtetin e atëhershëm, fatkeqësisht, po shkeleshin me dy këmbë. Hap pas hapi pushteti “popullor” i hante fjalët e dhëna.
Pasoi një periudhë e gjatë sfidash e mohimesh, presionesh e politikash institucionale që të p¬amundësonin përhapjen e dritës te shqiptarët. Mision ky i pamundur, sepse drita e diellit nuk mund të ndalet, ajo u takon të gjithëve.StrugaLajmStrugaLajmStrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...