“Rruga e Shpejtë” dhe 12 kilometrat e shqiptarëve

Nga Vedat MEMEDALIU

Jo më larg se një muaj do të fillohet me ndërtimin e një rruge të re, rrugë të cilën ministri i Transportit, Goran Sugravski ka zgjedhur të quajë “Rruga e shpejtë” nga Shtipi në Radovish, apo 23.5 kilometra e gjatë. Investimi në total do të jetë gjithsej 28 milionë euro, mjete këto të siguruara tashmë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo “Rrugë e Shpejtë”, ku vozitja maksimale do të jetë 110 km/h, do të ketë trase komplet të re – nga vendi i quajtur Sofilarë, do të vazhdojë nëpërmjet qytetit të Shtipit dhe do të përfundojë në Buçim, fshati i fundit i Radovishit. Tashmë, siç ka thënë ministri Sugarevski, marrëveshja për ndërtim është firmosur, ndërsa po ashtu 3 milionë euro do të investohen edhe për rrugën aktuale Shtip-Radovish, e që ministri e quan “Rruga e Vjetër”. Deri këtu është në rregull, po të mos kemi parasysh talljen që bëhet prej 10 vitesh me 12.5 kilometrat e rrugës Shkup-Bllacë e për të cilën, assesi të përfundojnë “procedurat” e tenderëve fiktiv ndërkombëtar.

Ka qenë viti 2006 kur për herë të parë u përmend shndërrimi në autostradë i rrugës Shkup-Bllacë, për t’u përsëritur vit pas viti premtimi se, në Buxhetin e ardhshëm, kjo rrugë do të realizohet me financim të plotë nëse nuk paraqitet asnjë i interesuar në thirrjen për partneritet privato-publik. Me pesë ministra të Ekonomisë, katër-pesë zëvendësministra të Transportit, me tre-katër zëvendëskryeministra… forca e shqiptarëve shihet pikërisht në këto 12.5 kilometra. Tani, në fund të këtij viti,zyrtarisht thonë se Qeveria po kërkon mjete që të përfundojnë “hulumtimet e nevojshme gjeodezike dhe mekanike, si dhe për projektin bazë, studim me vlerësim të ndikimit të mjedisit jetësor dhe për dokumentacion të tenderit”.StrugaLajm

Dhe, dhjetë vjet kanë kaluar nga 2006-a kur patën nisë procedurat e tenderimit për ndërtimin e kësaj rruge. Qeveria aktuale- reformatorja, tashmë e ka ndarë mendjen për 3 milionë euro për rikonstruimin e kësaj rruge. Për rikonstruim dhe jo shndërrimin e saj në autostradë. Kjo, me fjalë tjera tregon se, edhe në dy-tre vitet e ardhshme, pas “rikonstruimit”, nuk do të ketë nevojë të vazhdojnë procedurat ndërkombëtare dhe aq më pak nuk do ketë nevojë për buxhet për këtë rrugë. Sepse 3 milionë mjaftojnë. Ani se me buxhet shteti, në mot do të investohen 5 milionë euro në rrugën Katllanovë-Petrovec, 6 milionë euro për ripërtëritje të 18 kilometrave nga rruga Probishtip – Krupishtë, 4 milionë euro për aksin rrugor Hanet e Mavrovës-Zhirovnicë, 3 milionë euro për rrugën Krivogashtan-Krushevë, 3 milionë euro për rindërtimin e rrugës Kriva Pallankë-Rankovce, 3.5 milionë euro për rindërtimin e rrugës Kumanovë-Sveti Nikollë, po aq edhe për rrugën Krushevë-Demir Hisar dhe Kumanovë-Veles… Ose gjithsej në mot do të rregullohen e ndërtohen 420 kilometra rrugë që, siç ka thënë ministri Sugarevski, Buxhetit të shtetit do t’i kushtojnë 86 milionë euro.StrugaLajm

Dhe, të jeni të sigurt: “Rruga e Shpejtë” e Sugarevskit, do të ketë përfunduar, ndërsa rruga Shkup-Bllacë akoma do të jetë në pritje të partnerit privat, sepse ai publik veçmë është në pritje që 10 vite.


Loading...
loading...