Sa shqiptarë jetojnë në Australi, a doni të dini, ja shifrat?
Librat shqip do të mbërrijnë deri në Australinë e largët, ku sipas statistikave jetojnë rreth 14 000 shqiptarë.
Kjo çështje ishte në fokus të takimeve që zhvilloi ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko me zyrtarë të lartë ne Ministrinë e Jashtme australiane dhe Departamentin e Arsimit dhe Trajnimeve në Canberra.
Në vizitën e parë të një zyrtari të lartë pranë komunitetit shqiptar në Australi, Majko i shprehu mirënjohjen autoriteteve vendase për standardet e larta në trajtimin e emigrantëve, duke thënë se integrimi dhe ruajtja e identitetit nuk janë në konflikt me njëri–tjetrin.
Duke përshëndetur përfshirjen e gjuhës shqipe në sistemin shkollor në vendet ku përqendrohen me së shumti shqiptarët, të tilla si Melbourne, Majko i kërkoi Drejtorit për Evropën dhe Azinë në Departamentin e Arsimit, Craig Johnson, bashkëpunim në projektin e shpërndarjes së librave shqip në Australi dhe atë të mundësimit të librave online. Zyrtari i lartë Australian vlerësoi iniciativën e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me atë të Kosovës, duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në realizimin e këtij projekti, transmeton tch.
“Në Australi gjuha është shumë e rëndësishme dhe ne jemi fokusuar në ruajtjen e gjuhëve të komuniteteve që jetojnë këtu prej 25 vitesh. E kuptoj rëndësinë e projektit për t’u ofruar fëmijëve qasje ndaj materialeve të caktuara që lidhen me trashëgiminë dhe gjuhën e origjinës, kështu do të vlerësojmë mënyrën më të mirë për t’iu ndihmuar”, u shpreh Johnson.