Sali Berisha

Fatkeqësia e shoqërive tona është se ne vetë s’jemi pastruar dot nga problematikët e politikës. Përherë sytë i kemi pasur nga SHBA ose BE. Madje edhe vetë integrimet i kemi parë si një moment kur “Amerika s’do lejojë” vjedhje. Apo “anëtarësimi në BE do sjellë ligjin”. Epo ky rast me Berishën, duam apo nuk duam, i dimë apo nuk i dimë faktet deri në fund, është një moment i tillë. Beteja e radhës, misioni i radhës i politikës duhet të jetë sundimi i ligjit dhe anti korrupsioni. Por jo me fjalë boshe më. Prandaj, sytë nga Amerika, dhe kini frikë! (“Kini frikë” është për politikanët)

Nga Nazim RASHIDI

E rëndë është gjithë situata me Sali Berishën dhe ishin po aq të rënda fjalët e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken. Sado cinikët të gëzohen e sado mbështetësit të pikëllohen, për mua e mbase për një brez të tërë ku politika e kohës ishte mision e jo vetëm shërbim është një zhgënjim i madh.

As kam qenë e as do jem mbështetës i ndërtimit të miteve e aq më pak të të mitizuarit të njerëzve, sepse përherë në jetë parim kam pasur sendërtimin. Kjo nënkupton se edhe politika do të duhet të sjellë prurje të reja, me çka do vinë dhe ide të reja e kështu do ndodhte përparimi. E them këtë si sqarim, për të shpjeguar se zhgënjimi nuk vjen për shkak të çmitizimit të Berishës, nëse ka pasur mit për të, por për shkak të rrënimit të idealeve dhe disa vlerave të kohës, ku përsëri do ta them politika, sidomos ajo e pas viteve ’90 ishte mision. Mision i zhvillimit të kombit, mision i njohjes të kombit, mision i shpëtimit të kombit.

Nga ana tjetër situata është dhe një njollosje e historisë.

Fjalët në twitter të Sekretarit Blinken: “Veprimet korruptive të ish Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri. Sot shpall publikisht Berishën dhe familjen e tij të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne qëndrojmë të #BashkuarKundërKorrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, janë tronditëse. Po aq tronditës është edhe varianti i zgjeruar i deklaratës publikuar nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë:

“Sot, unë shpall përcaktimin publik të Sali Berishës, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës. Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.

Ky përcaktim bëhet në bazë të Nenit 7031(c) të Aktit të Departamentit të Shtetit për Buxhetin për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse, 2021. Përveç Berishës, unë përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën e tij, Argita Berisha Malltezi. Këta individë janë të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA-ve për mbështetjen e reformave politike që janë kyçe për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë krah popullit shqiptar. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete të tilla për të nxitur përgjegjësinë për personat e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht”.

Nuk është se shqiptarët s’kanë pasur politikanë në lista të zeza amerikane. Por rasti i Sali Berishës kalon përmasat e të tjerëve. Që nga njeriu që solli demokracinë, pastaj realizoi ëndrrën shqiptare me anëtarësimin në NATO, i deklaruar pro amerikan i përbetuar, i pritur në shtëpinë e bardhë, ka pritur presidentët amerikanë në Shqipëri, e tani nga kjo Amerikë “e tij” turpërohet në këtë mënyrë. Shikoni, për ne qe kemi jetuar veprimin e tij politik, që nga rënia e komunizmit e më tej, nuk mund të mos jemi mirënjohës për hapjen që bëri, për shkollimet që mundësoi, ku bëj pjesë dhe unë vetë, për afrimin me Kosovën, me rrugë dhe sidomos afrimin shpirtëror aq të munguar. Nga ana tjetër në gjykimin politik sigurisht që s’ka qenë i pagabuar. Ka marrë varg kritikash për rolin e tij në zhvillimet e vitit 1997, më pas tensionet politike dhe betejat e ashpra me rivalët. Nuk e çliroi vendin nga tensioni politik.LAJME TË NGJASHMEMaj 20, 2021

Por nëse përshkrimi për të do mbeste me kaq, do ishte i përshkruar si doktori erudit, krijesa politike, figura potente e politikës me gjithë të mirat e të këqijat e tij, që i vuri një gur tejet të dukshëm kalasë Shqipëri. Kështu gjithçka shkon përtej. Dhe tani me fokus argumentimet që lidhen me korrupsion. I pyetur nga “Illyria”, gazeta shqiptaro-amerikane në New York, se pse një vendim i tillë vjen në këtë kohë, një zyrtar i Departamentit të Shtetit ishte shprehur se tani, Sekretari i Shtetit ka në dispozicion “informacion të besueshëm lidhur me përfshirjen e Berishës në korrupsion të ndjeshëm dhe përpjekje për të ndërhyrë në proceset publike si dhe shpërdorim të fondeve publike në Shqipëri”. Interpretimet për këtë do jenë nga më të ndryshmet, nga konspirative e deri tek çështje lobimesh. Por kjo që s’thuhej më parë u tha. Nga SHBA. Nga Sekretari i Shtetit. Kjo do mbesë. Sali Berisha vetë mohoi akuzat dhe kërkoi publikimin e fakteve. Dhe mbasë këtë duan ta dinë të gjithë, se cilat janë ato veprime që e çuan në këto hapa SHBA-në. Sali Berisha me siguri nuk është as më i korruptuari e as më problematiku në Ballkan. Po me gjasë ka diçka që është përtej vijës të kuqe. E bërë tani, apo dikur, sqarimi mbase do vijojë.

Por çfarë na mëson e gjithë kjo ngjarje?

E para fare se politika e miteve dhe të mitizuarve po bie. Me ndryshimin e brezave dhe sidomos me ndyshimin e kërkesave të tyre nuk mjafton më historia.

E dyta që është më e rëndësishmja, është se beteja e re, misioni i ri i politikës përtej shërbimit ndaj qytetarëve, është antikorrupsioni.

Realisht, nuk duhet shpejtuar mbase në gjykime e vlerësime se pse u ndërmor ky hap nga administrata amerikane, por po aq reale është dhe sfida e shoqërive tona, ku pushtetarët me aq lehtësi vënë në rrezik demokracinë dhe me një lehtësi edhe më të madhe zhyten në pangopësi.

Jo më larg se dje, para shpërthimit të lajmit tronidës, me një profesoreshë të nderuar, shtjelluam mu këtë çështje. Është njerëzore dëshira për zhvillim. Është po aq njerëzore edhe dëshira për mirëqënie, për përparim. Për të bërë shtëpi, për të pasur makina, pse jo dhe luks. Por është e pajshpjegueshme pangopësia e çmendur e cila po shtyn politikanët tanë deri në pikën ku edhe humbja e jetëve pranohet për pasurim. Kjo logjikë është gjithandej. Rasti i fundit me ish zëvedëskryeministrin Koço Angjushev dhe vajërat helmues, edhe pse ai i mohon akuzat, tregon, nëse vërtetohet, se pangopësia, pasurimi i pafund mund të çojë në verbëri e deri në dëmtim jetësh.

Por ky ishte qëllimi i politikës? Ky devalvim i rolit të saj dhe sidomos përshfaqja se pushtetin kur e merr veç të pasuron, i devalvoi të gjitha vlerat e tjera. Përtej momentit tronditës që lidhet me historinë, e me Sali Berishën politikan i mirë a politikan i keq, shpallja e tij si person që ka bërë “veprime korruptive” e përfshirja edhe e familjarëve të tij, vetëm sa ishte edhe një alarm, një grusht për llojin e politikës që më s’do pranohet. Por rasti i tij tregon po aq se edhe politikanët e sotëm, sidomos ata të pushtetit, madje edhe rivalët e tij më të ashpër, mund të pësojnë po të njëjtin fat nëse nesër, apo pas disa vitesh do dalin fakte korruptive ose të tjera fakte e që SHBA do i konsiderojë të dënueshme.

Shikoni, Sali Berisha për shumë vetë do mbesë figurë historike e pakompromis, për të tjerët ky është demaskimi i tij. Përtej kësaj përplasjeje, me pak ftohtësi ky duhet të jetë një moment shkundjeje për të gjithë, se nëse duam shtete funksionale, korrupsioni nuk do falet më. Gjithashtu ky mund të jetë një moment kur fillon fundi i pandëshkueshmërisë. Është e vërtetë se ne deri tani kemi deklarimet amerikane, por po aq e dimë se ato akuza nuk bëhen me aq lehtësi. Prandaj nga ky moment frikë duhen të kenë të gjithë. Fatkeqësia e shoqërive tona është se ne vetë s’jemi pastruar dot nga problematikët e politikës. Përherë sytë kemi pasur nga SHBA ose BE. Madje edhe vetë integrimet i kemi parë si një moment kur “Amerika s’do lejojë” vjedhje. Apo “anëtarësimi në BE do sjellë ligjin”. Epo ky rast me Berishën, duam apo nuk duam, i dimë apo nuk i dimë faktet deri në fund, është një moment i tillë. Prandaj akuzat janë të rënda. Se shkojnë përtej politikanit, janë sinjal edhe për votuesin, edhe për popullin.

Për shqiptarët në rajon, e për gjithë klasën politike lidhjet me SHBA-të dhe marrëdhëniet me to janë strategjike. Kjo s’do ndryshojë, edhe pse ca naivë ndonjëherë përpëliten të hidhen në ujëra të tjerë. Nga ana tjetër administratat vinë e shkojnë, por parimet e miqësisë e partneritetit strategjik, do mbesin. Nëse kjo pranohet, atëherë veprimi i Sekretarit Blinken le të jetë mësimi. Beteja e radhës, misioni i radhës i politikës duhet të jetë sundimi i ligjit dhe anti korrupsioni. Madje edhe për figurat kolosale të historisë e politikës. Por jo me fjalë boshe më. Prandaj, sytë nga Amerika, dhe kini frikë! (“Kini frikë” është për politikanët).

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...