AddThis Sharing Buttons Respektimi i gjuhës shqipe nga institucionet e vendit duket si një sfidë jashtëzakonisht e madhe në ato institucione që drejtojnë kuadro jo-shqiptarë por edhe tek ato që janë shqiptarë duket se mungon guximi që të ndryshohen gjërat, shkruan Zhurnal.mk
Në një bisedë për Agjencinë e lajmeve Zhurnal, Ylber Sela drejtor i Agjencisë për zbatimin e gjuhës shqipe thotë së tashmë institucionet janë të obligueshme respektimin e gjuhës shqipe edhe atë në dy faza.
“Nëse e shikojmë ligjin me kujdes, do të shohim se obligimet e institucioneve ndahen në dy faza: në fazën e parë duhet që të ndërrohen tabelat, vulat dhe emërtimet e institucioneve të shkruhen në gjuhën shqipe, ndërsa në fazën e dytë duhet që të bëhet harmonizimi i ligjeve të tjera me dispozitat e Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve, që nënkupton edhe komunikimin e institucioneve në dy gjuhë”, sqaron kështu për Zhurnal.mk drejtori Sela.
Drejtori Sela sqaron se tashmë institucionet shtetërore po zbatojnë gjuhën shqipe dhe përmbushin detyrimet sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Institucionet shtetërore tashmë kanë filluar me zbatimin e gjuhës shqipe. Një pjesë e mirë e institucioneve kanë filluar që t’i përmbushin detyrimet e tyre nga Ligji mbi Përdorimin e Gjuhëve, megjithatë duhet të theksohet se ende ka një numër të institucioneve që duhet në të ardhmen të veprojnë në bazë të Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve. Në komunikimin e përditshëm të Agjencisë ne përballemi me një numër të madh të parashtresave dhe ankesave nga qytetarë, të cilët na njoftojnë se institucione të caktuara nuk i kanë ndërruar formularët e tyre apo nuk i japin përgjigjet në dy gjuhë, si dhe raste të ngjashme. Për këtë arsye Agjencia i ka kontaktuar këto institucione, me qëllim që nëpërmjet bashkëpunimit të gjejmë zgjidhje dhe t’u dalim ballë kërkesave të qytetarëve”, kështu sqaron Sela për Zhurnal.mk
Po a ka ngritur institucioni që drejton ndonjë iniciativë për sanksionim të ndonjë institucioni që nuk ka respektuar gjuhën shqipe, ai sqaron se këtë kompetencë institucioni që drejton nuk e ka pasiqë si rol ka zbatimin e gjuhës dhe jo atë ndërshkues.
“Sa i përket iniciativave për sanksionim të një institucioni, këtë kompetencë Agjencia për Zbatimin e Gjuhës nuk e ka, sepse neni 19 i Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve, Agjencisë i ka dhënë rolin e organit udhëheqës në procesin e zbatimit të gjuhës, por jo edhe atë ndëshkues. Ndërkaq neni 20 i Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve, thekson se për procedurën ndëshkuese, kompetent është Inspektorati, i cili ende pritet të themelohet dhe se puna e inspektoratit më saktësisht do të rregullohet me Ligjin për Inspektoratin e Gjuhës”, vlerëson për fund në lidhje me këtë problematikë për Zhurnal.mk drejtori i Agjencisë për zbatimi e gjuhës Ylber Sela.