Sherr për drejtoritë, BDI s’pajtohet t’i jap AEK-un BESËS

Zyrtarë të lartë të BDI-së përjashtojnë mundësinë që drejtoritë që u publikuan se i takojnë BESËS të jenë përfundimtare. Veçmas nga BDI cekin udhëheqjen me Hekurudhat e Maqedonisë-Transporti dhe Agjencinë për Komunikime Elektronike, për të cilët në BDI thonë se nuk janë dakorduar ti takojnë Lëvizjes BESA. Murtezani i BESËS ndërkohë thotë se është negociuar me BDI-në, por me LSDM-në dhe se bisedimet vazhdojnë për drejtori të tjera

 

Fatos RUSHITI

Shkup, 23 gusht – Partnerët e rinj qeveritar – Lëvizja BESA krahu i Afrim Gashit dhe Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit vazhdojnë bisedimet me LSDM-në për eshalonin tretë, atë të drejtorive në nivel qendror dhe në nivel rajonal e lokal në kuadër të ministrive, shkruan gazeta KOHA. Por nga informatat që dolën së fundmi në opinion se, krahu i Afrim Gashit nga Lëvizja BESA ka marrë 10 drejtori, zyrtarë të lartë të BDI-së përjashtojnë mundësinë që ato të jenë përfundimtare. Veçmas nga BDI cekin udhëheqjen me “Hekurudhat e Maqedonisë-Transporti” dhe Agjencinë për Komunikime Elektronike (AKE) që nuk janë dakorduar ti takojnë Lëvizjes BESA.

“Vetëm gjysma prej dhjetë drejtorive janë të vërteta, të tjerat jo, sidomos AEK dhe Hekurudhat. Për të tjerat do të shohim si do të rrjedhin bisedimet”, thotë njëri nga zyrtarë të lartë të BDI-së. Por nga BESA, krahu i Gashit shprehen të sigurt se i kanë fituar tashmë 10 drejtori, ndërsa sa i përket qëndrimeve të BDI-së se vetëm gjysma janë të vërteta, Orhan Murtezani nga BESA thotë se nuk kane negociuar me BDI-në, por vetëm me në me LSDM dhe se bisedimet vazhdojnë për drejtori të tjera.

“Po ato janë drejtoritë që do të udhëheqim. Negociatat ende nuk kanë të përfunduar, patjetër që do të kemi edhe drejtori të tjera. Të shohim si do të vijojnë bisedimet, ende nuk dihet. Në nivel të shtetit do të udhëheqim me Avokaturën e Shtetit, Inspektoratin e Urbanizmit, AEK, Hekurudhat-Transporti dhe Këshillin për Radiodifuzion”, tha Murtezani për gazetën KOHA. Ndryshe, përveç këtyre drejtorive, krahu i Afrim Gashit ka marrë edhe Agjencinë për Ilaçe, Qendra për Punë Sociale në Shkup, Enti Shtetëror për fëmijët me aftësi të kufizuara, Klinika e Transfuziologjisë dhe një klinikë tjetër, e cila do të dihet ditëve në vijim. Avokatura Shtetërore më shumë se pesë muaj ka ushtrues detyre, pasi Avokati Shtetëror nga BDI, Naser Hajdai, u emërua gjykatës në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkaq në kohën kur u votuar Qeveria, Avokatura Shtetërore i takoi Aleancës për Shqiptarët, por që u vonua të zë vendin aty Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së, për shkak të kundërshtimit të BDI-së para zgjedhjeve lokale.

Ndarja e drejtorive u vonua që kur BESA dhe PDSH u bënë partner të rinj qeveritar në qershor të këtij viti. E para mori post e ministrit në resorin e Kulturës, ndërsa e dyta ministër pa resor që mbulon Investimet e huaja në vend, dhe postin e zëvendësministrave në Shëndetësi dhe Transport. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...