Shilegovi në Saraj dhe Çair mori mbi 21 mijë vota

– Garë e fortë pritet të ndodhë për të parin e Qytetit të Shkupit. Kandidatja e pavarur, e mbështetur nga VMRO-DPMNE, Danella Arsovska vazhdon të kryesojë bindshëm ndaj Petre Shilegovit të LSDM-së. Gjithsej, për Arsovskën kanë votuar 86.159 qytetarë, derisa Shilegovi ka marrë 78.244 vota, shkruan gazeta KOHA. Megjithatë, të dhënat e KSHZ-së tregojnë se Shilegovin e kanë rritur votat e dy komunave shqiptare, Saraji dhe Çairi. Në Saraj, Shilegovi ka marrë 8450 vota, ndërsa Arsovska 2769 vota. Në Çair, kryetari aktual i Shkupit ka marrë 12.631 vota, ndërsa për Arsovskën kanë votuar 5118 qytetarë. Dhe, me 21.081 votat shqiptare për Shielgovin, ky i fundit përsëri mbeti mbrapa Arsovskës në nivel qyteti.

Në ndërkohë, nga të dhënat e përpunuara deri më tani, kryetarë në raundin e parë janë zgjedhur në 34 komuna. Prej tyre, në 22 komuna kryetarë të rinj janë nga VMRO-DPMNE, në nëntë komuna janë të LSDM-së, ndërsa në tri komuna shumicë votash kanë marrë kandidatët e BDI-së.

Në raundin e dytë, në pjesën më të madhe të komunave do të zgjidhet midis kandidatëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, ndërsa në shtatë komuna në raundin e dytë janë kandidatët e Aleancës për Shqiptarët dhe të BDI-së. Në dy komuna në raundin e dytë janë kandidatët e BDI-së dhe të BESËS. Në Qendrën e Zhupës dhe në Mavrovë – Rostushe do të përsëritet procedura zgjedhore për shkak të mospërmbushjes së kushtit ligjor prej një të tretës së votuesve të regjistruar të cilët kanë dalë në votim, kumtoi sonte Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Deri dje vonë, në Komisionin Shtetëror Zgjedhor nuk kanë arritur ankesa. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...