Shkupjani i dehur e rrah gruan me çadër – ajo zvarritet deri në oborr për të kërkuar ndihmë

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka hapur procedurë kundër një personi të dyshuar për lëndim trupor, sipas nenit 130, paragrafi 2 të Kodit Penal.
Ngjarja ka ndodhur më 20 qershor, në shtëpinë familjare në rrugën “Butelska”. I dyshuari 54-vjeçar, në gjendje të dehur, fillimisht e ka ofenduar verbalisht bashkëshorten, e më pas e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me çadër në trup dhe në kokë.
Nga goditjet e shumta, gruaja ka filluar të gjakoset dhe të humbasë vetëdijen. Duke u zvarritur, ka arritur të dalë deri në oborr dhe prej andej ka kërkuar ndihmë.
Duke vlerësuar të gjitha rrethanat, prokurori publik i është drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.