Shqiptarët çdo herë më pak zgjidhje se maqedonasit

Kushtet jo të njëjta të shkollave në të cilat zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe dhe gjuhën maqedonase, cilësia dhe autorët e librave apo edhe mundësitë për aftësimin e kuadrit mësimdhënës janë vetëm disa prej treguesve të pabarazisë në sistemin arsimor në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Pabarazia nis që me mundësinë e zgjedhjes së shkollave, drejtimeve dhe gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi, respektivisht me krijimin e politikave arsimore. Për të parë se sa të padrejta janë ato politika, mjafton të shihen përqindjet e vendeve për regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme në raport me përqindjen e gjysmë-maturantëve sipas gjuhës në të cilën kanë mbaruar arsimin fillor.

Deri në vitin 2006, kur në Maqedoni nuk ishte i detyrueshëm arsimi i mesëm, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ofronte për nxënësit maqedonas 10 -15 për qind më tepër vende se sa ishte realisht përqindja e atyre që mbaronin shkollën fillore në gjuhën maqedonase. E kundërta ndodhte për shqiptarët. MASH ofronte deri 45 për qind më pak vende se sa ishte realisht numri i gjysmë-maturantëve që mbaronin shkollën fillore në gjuhën shqipe. Dallimi në larminë e drejtimeve dhe profileve ishte gjithashtu jashtëzakonisht i madh. Fatkeqësisht, kjo qasje nuk ka ndryshuar në thelb as këto 10 vite që arsimi i mesëm është kthyer në detyrim ligjor për të gjithë dhe që me konkurset për regjistrimin e  nxënësve në shkollat e mesme, MASH lejon mijëra vende më shumë se sa është numri i gjysmë maturanteve të atij viti. Përqindjet e gjysmë-maturanëteve maqedonas me përqindjet e vendeve që jepen për regjistrim në paralelet më mësim në gjuhën maqedonaset, nuk janë asnjëherë të përafërta. Oferta që bëhet për ta në sasi dhe përqindje është çdo herë më e lartë. Pra, për to jepen çdo herë më shumë vende, për dallim prej ofertës që bëhet për nxënësit shqiptarë dhe e cila është çdo herë më e ngushtë. Konkretisht, nëse në nivel të Maqedonisë, numri i gjysmë-maturantëve shqiptarë ishte 33 për qind (vitin e shkuar), numri i vendeve në paralelet më mësim në gjuhën shqipe në Konkursin për regjistrim në shkollat e mesme ishte 29 për qind, pra oferta është për 4 shkallë më pak se sa do të duhej të ishte realisht. Nga ana tjetër, për maqedonasit disproporcioni i numrit të vendeve në paralelet e shkollave të mesme me numrin e gjysmë-maturantëve shkon në kahe të kundërt. Nëse për nga numri i gjysmë-maturantëve ose atyre që kryejnë arsimin fillor në gjuhën maqedonase përqindja e tyre është në nivelin e 64 përqindëshit, numri i vendeve në shkollat e mesme arrin në 68 për qind. Pra, oferta për ta është për katër shkallë më e lartë se sa do të duhej të ishte realisht.

Në këto raporte konsistonte dhe situata me shkollat e mesme të kryeqytetit. Vitin e kaluar, për shembull, numri i vendeve në paralelet shqipe (3238) përbënte 33 për qind të numrit të përgjithshëm të vendeve të lira në shkollat komunale të Shkupit (9766), kurse numri i nxënësve që po atë vit kishin përfunduar arsimin fillor në gjuhën shqipe, ishte 39 për qind (2112). Në qershor të vitit të kaluar, sikurse ka bërë të ditur Qyteti i Shkupit, arsimin fillor e kishin mbaruar 5416 nxënës. Prej tyre, përcjell KOHA, 2112 kishin mësuar në gjuhën shqipe, 3180 në gjuhën maqedonase dhe të tjerët në gjuhën turke, serbe dhe boshnjake. Ndërkaq, për paralelet me mësim në gjuhën maqedonase ishin lejuar 67 për qind e vendeve (6410), ndërkohë që numri i atyre që kishin mbaruar filloren në gjuhën maqedonase ishte 59 për qind (3180). Në shkollat e mesme komunale të Shkupit, për vitin shkollor 2016?2017 ishin planifikuar 9776 vende, ndërsa arsimin fillor e mbaruan 5416 gjysmë-maturantë. Edhe në vitin shkollor 2017/2018 nuk pritet të ketë ndonjë dallim kushedi sa të madh në këtë prizëm.

In : Aktuale

Loading...
loading...