Shqiptarët rezultat katastrofal në zgjedhjet lokale në Mal të Zi
Në Mal të Zi të dielen u mbajtën zgjedhjet lokale në 11 komuna në mesin e të cilave edhe në disa ku banojnë shqiptarët.
Nga rezultatet e para paraprake rezulton se subjektet shqiptare nuk do të kenë asnjë këshilltarë në kuvendet e ardhshme të Tivarit dhe Rozhajës, dhe do të përfaqësohen me nga një këshilltar në ata të Podgoricës dhe Plavës, shkruan Ulqini Online.
Në Podgoricë, fitoren absolute e ka marrë DPS i Millo Gjukakoviqit me 32 këshiltarë nga 61 sa ka kuvendi duke e deklasuar në numra partitë opozitare dhe në këtë mënyrë do të jetë në gjendje si e vetme të formojë qeverinë vendore. Në këtë komunë nga subjektet shqiptare në kuvend do të jetë e përfaqësuar Alternativa shqiptare e cila ka marrë 1,8% të votave dhe ka mundur të marrë një këshilltar.
Edhe në Plavë subjektet që qeverisin në nivel qendror kanë korrur sukses por me një renditje tjetër. Kështu, sipas të Qendres për monitoring CEMI, partitë SD e Ivan Brajoviqit me 9 mandate, Partia Boshnjake me 7 dhe DPS me 6 kanë shumicën absolute prej 22 vendeve nga 31 sa ka gjithsej kuvendi i kësaj komune. Edhe në këtë komunë Alternativa shqiptare ka mundur të siguroj një vend në kuvendin e ardhshëm me 4,9% të votave.
Edhe më i keq rezultati në Tivar ku graviton zona e Krajës por edhe një numër i madh i shqiptarëve që jetojnë në këtë qytet. Koalicioni ”Shiptarët për Tivarin” ka arritur të marrë vetëm 0,8% të votave që nuk kanë qenë të mjaftueshme për të hyrë në kuvendin e këtij qyteti. Në Tivar sukses absolut kanë korrur subjektet që qeverisin në nivel qendror dhe në këtë mënyrë DPS me 15 këshilltarë dhe SD me 7 kanë shumicën absolute për të udhëhequr me këtë qytet.
Në Rozhajë subjektet shqiptare as që kanë konkuruar fare dhe në këtë mënyrë shqiptaret e pakët të atjeshëm as që kanë pas ofertë për të votuar subjektet shqiptare. Në këtë qytet fitore ka arritur Partia Boshnjake me mbi 50% të votave që nëse përkthehen në numra i bien 19 vende nga 34 sa ka kuvendi i këtij qyteti.