Drita Maxhari, 41 vjeçe e cila jeton në Pogradec dhe është nënë e tetë fëmijëve, u martua për herë të parë me mblesëri kur ishte 18 vjeçe. Kjo martesë zgjati 10 vite. Kishin probleme të vazhdueshme, grindje, sherre. Ish-bashkëshorti nuk pranonte të punonte, ishte dembel, konsumonte alkool dhe shpesh e dhunonte Dritën.
Nga kjo martesë erdhën në jetë tre fëmijë, të cilët sot janë përkatësisht të moshave: 18, 16, dhe 12 vjeç.
Drita Maxhari: 3 vitet e para të martesës i kisha të lumtura, por më mbrapa pastaj filloi tmerri. Gjatë këtyre tre viteve erdhi në jetë djali i madh që është 18 vjeç.
Mirela Milori: Pas 3 viteve thua që filloi tmerri, çfarë ndryshoi?
Drita Maxhari: Unë shkoja në punë laja shkallët e pallateve dhe kur kthehesha ai më thoshte nga ishe, nga harboje, më rrihte.
Mirela Milori: Sa vite qëndrove e martuar me të?
Drita Maxhari: 10 vite dhe erdhën në jetë 3 fëmijë, dy djem dhe një vajzë.
Mirela Milori: Dhuna filloi që pas fëmijës së parë, pse durove 10 vite?
Drita Maxhari: Nuk ia prishja dot vjehrrës më thoshte hë biri i nënës mos ndryshojë, por asnjëherë nuk ndryshoi.
Mirela Milori: Pinte apo të dhunonte?
Drita Maxhari: Ai kishte një djalë tezeje dhe i thoshte lere atë se do të të jap një tjetër. Ky i tha e në sytë e mi një herë si ta le me tre fëmijë, po lere i tha se ajo tërë ditën rrugëve rri. Unë iu ktheva djalit të tij të tezes, i them ore pse i thua kështu, unë s’po rri rrugëve, unë po punoj për të ushqyer kushëririn tënd se rri pa punë tërë ditën. Ai futej në punë 1 ditë ose dy ditë rrinte e pastaj ikte, unë vetë e mbaja familjen e fëmijët. Dilja nga puna, mbaroja shkallët e laja tapetat që më jepte pallati ose vija mblidhja kanaçe që mos i lija pa bukë.
Mirela Milori: Pas 10 vitesh ti vendos të divorcohesh, si erdhi momenti që the stop.
Drita Maxhari: Kisha djalin e vogël dhe më tha merre dhe mu zhduk prej shtëpisë, më përzuri. Binte një dëborë, ku të vija unë. Isha vetëm me djalin e vogël se dy të tjetër flinin gjumë. Vajta pastaj tek kunata, më ka mbajtur atë natë. Ka erdhur babai im atë mëngjes i ka thënë pse e le, për çfarë arsye? I tha që nuk e dua dhe që aty i shkëputëm marrëdhëniet.
Ndenja rreth 1 vit e gjysmë në Pogradec në një dhomë me qira sepse kisha fëmijët në shkollë. Unë punoja dhe fëmijët mbi mbante një shoqe. Unë mbaja një plakë e ndërroja, më jepte 150 mijë, laja shkallët dhe mblidhja kanaçe. Vetëm në darkë merresha me fëmijët.
Kur u nda nga jeta e moshuara që kujdesesha qava shumë sepse u lidha shumë me të. Më thoshte biri i nënës mos gabo kurrë, të biesh në rrugë të gabuar, se jeta është e gjatë e vështirë. I thoja pa merak se nuk shkoj në rrugë të gabuar.