Shqiptarja zëdhënëse e Policisë në Zvicër
Lulzana Musliu u lind në Negotinë të Pollogut dhe sot është zëdhënëse e Policisë Federale të Zvicrës.
Gazetarët zviceranë i drejtohen asaj me pyetje delikate mbi rrezikun nga terrorizmi dhe kriminaliteti virtual – dhe nganjëherë e pyesin: Zonja Musliu, ç’domethënie ka emri juaj? – Portret i një vajze shqiptare që i shërben me shumë krenari shtetit zviceran.
Për të takuar Lulzana Musliun duhet kaluar – simbolikisht – shtatë dyer me shtatë dryna. Një derë hapet, pastaj një derë mbyllet, pastaj hapet tjetra. Dhe kështu me radhë, hap pas hapi, derë pas dere, mbërrin në një korridor diku në Bernë, në kryeqytetin e Zvicrës, në selinë e Policisë Federale të Zvicrës (Fedpol). «Ujë apo kafe?», pyet një zyrtare, e cila i hapi dyert. «Ujë»
Pas pak minutash Lulzana Musliu shfaqet me eproren e saj. Që intervista duhet të zhvillohet në gjuhën gjermane, kjo është e vetëkuptueshme. «Unë i jap zë Policisë Federale të Zvicrës», thotë Lulzana Musliu. Dhe vazhdon: «Jam zëdhënëse për Zvicrën gjermane. Domethënë: shpesh japim informata për media. Me gjasë e keni hasur emrin tim në shtyp dhe media të tjera. Kjo është njëra nga detyrat që kam, pra u përgjigjem pyetjeve të gazetarëve», tregon ajo.
Por, kjo nuk është e tëra. Një zëdhënëse e një institucioni aq të rëndësishëm të Zvicrës, siç është Policia Federale, ka edhe detyra të tjera. Për shembull përgatitjen e prezantimeve dhe fjalimeve për drejtoreshën e Policisë Federale, Nicoletta della Valle. Në Raportin Vjetor të Policisë Federale (për vitin 2016) Nicoletta della Valle shkruan: «Çfarë ndodh në kokën e një djali që në një ditë vere hyn në një kishë dhe me gjakftohtësi dhe pa ngurrim ia këput kokën një prifti gjatë meshës? Çfarë të themi për kontrabandistët e njerëzve, të cilët me pafytyrësi shfrytëzojnë pafuqinë e fëmijëve, grave dhe burrave në mjerim për bizneset e tyre fitimprurëse? Dhe ç’të themi për abuzuesin e fëmijëve, i cili e josh një çun që t’i shkojë pas në botën e jashtme?»
Është një realitet i errët me të cilin duhet të ballafaqohen policitë e shumë vendeve të Europës. Për fat të mirë Zvicra deri më tani ka shpëtuar nga sulmet terroriste, por rreziku mbetet i madh. Dhjetëra njerëz me origjinë të huaj ose të konvertuar në fenë islame kanë qëndruar në Siri e Irak, ku kanë luftuar për të ashtuquajturin «Shtet Islamik». Disa prej tyre janë kthyer në Zvicër. Me pyetje mbi këtë skenë të rrezikshme fanatikësh fetarë ballafaqohet shpesh Lulzana Musliu. Policia Federale po ashtu sensibilizon të interesuarit mbi mediat sociale, ligjet për armë, projektet legjislative. Të martën policia zvicerane në bashkëpunim me kolegët francezë arrestoi dhjetë persona të dyshuar për terrorizëm, mes tyre një shtetas zviceran me origjinë boshnjake dhe partneren e tij kolumbiane.
Lulzana Musliu tregon se si vajzë e vogël nuk ka ëndërruar të jetë police. «Por, politika më ka shoqëruar që nga fëmijëria. Si shumë fëmijë të tjerë edhe unë në fillim të viteve ’90 kam ardhur te babai im në Zvicër, i cili këtu punonte si punëtor stinor nga Maqedonia. Më parë ai kishte studiuar në Prishtinë. Në shtëpi në Zvicër dëgjonim lajmet e televizioneve gjermane, lexonim gazetat e diasporës, temë kryesore kanë qenë konfliktet në Ballkan, qoftë në Bosnjë, ku kam pasur një teze, e cila qe e detyruar të emigrojë në Gjermani, më vonë ajo shkoi në Amerikë, pastaj lufta e Kosovës, tensionet në Maqedoni»
Të gjitha këto ngjarje kanë ndikuar që Lulzana Musiu të interesohet për politikën dhe punën e mediave; jo vetëm në Ballkan. Rrjedhimisht, ajo përherë dëshironte të diskutojë për zhvillimet politike. «Kjo më ka shoqëruar përherë, në gjimnaz dhe në marrjen e vendimit se çfarë do të studiojë. Pastaj studiova publicistikën, politikën dhe drejtësinë publike në Zürich, sepse këto fusha më interesonin», tregon ajo. Një kohë Lulzana Musliu mendoi të bëhej gazetare, por pastaj vendosi të kryejë një praktikë ekipin për komunikim në sekretariatin e përgjithshëm të ministrisë së Drejtësisë dhe Policisë në Bernë. Gjatë kësaj periudhe ministrja ushtronte edhe detyrën e presidentes së Zvicrës. Qe një vit e gjysmë Lulzana Musliu është zëdhënëse e Policisë Federale. Çështjet penale, migrimi, siguria, liria, të drejtat e njeriut – këto janë temat për të cilat Musliu është shumë e interesuar.
Ajo u lind në Negotinë të Pollogut, një fshat mes Tetovës dhe Gostivarit. Gjeografikisht fshati i takon Gostivarit, por ne flasimmë shumë si tetovarët», tregon Lulzana Musliu, e cila ishte tre vjeç e gjysmë kur erdhi në Zvicër te babai i saj. Përveç dialektit të Pollogut Musliu – natyrisht – flet shumë bukur edhe shqipen standarde. Në Policinë Federale të Zvicrës gjuha e saj e punës është kryesisht gjermanishtja. Gazetarët zviceranë i drejtohen asaj me pyetje delikate mbi rrezikun nga terrorizmi dhe kriminaliteti virtual – dhe nganjëherë e pyesin: «Zonja Musliu, ç’domethënie ka emri juaj?
Pyetjet e tilla shkaktojnë të qeshura në ekipin bilingual me zëdhënëse frankofone. Eprorja e saj thotë me humor: «Mua nuk më pyet askush as për domethënien e emrit, as të mbiemrit». Por, pyetjet për emrin dhe mbiemrin nuk e hutojnë Lulzana Musliun: «Mendoj se në radhë të parë bëhet fjalë për kureshtje». Kjo është e kuptueshme, fundja Musliu nuk tingëllon si Müller, Meier, Steiner. Por, Zvicra nuk është më ajo e dikurshmja, kur postet me përgjegjësi i mbanin vetëm vendorët, tani funksione të tilla ushtrojnë edhe njerëz me origjinë «të huaj», shqiptarja Lulzana Musliu është njëra prej tyre.
Në pyetjen se si reagojnë familjarët e saj kur ajo u tregon se çfarë pune bën në Zvicër, Musliu përgjigjet me humor: «Prej se punoj për policinë gëzoj respekt të madh». Pastaj sqaron: «Familja ime në Maqedoni dhe në Zvicër është shumë krenare. Janë të lumtur kur shohin se dikush prej tyre ia ka dalë të ketë një sukses të tillë, të ketë një punë me përgjegjësi publike. Siç dihet në Maqedoni dhe në Kosovë për një kohë të gjatë institucionet arsimore kanë qenë të shtypura».
Për prindërit nga Ballkani Musliu ka një porosi: të përkrahin fëmijët e tyre sidomos gjatë vijimit të shkollës, kështu ata «do ta kenë më lehtë të ndjekin ëndrrën e tyre». «Diçka që do të doja të potencoja në lidhje me kulturën tonë është kjo: të jemi pak më shumë të hapur ndaj botës, sepse shpesh jemi të kurthuar me tradita. Nuk është mangësi si quhesh, as prej nga e ke prejardhjen, ne jetojmë në një botë të globalizuar dhe të rritesh në dy kultura, siç jam rritur unë, është përparësi».
Me këtë vetëbesim Lulzana Musliu informon mediat zvicerane mbi luftën kundër terrorizmit, kriminalitetit në botën virtuale («një botë që nuk ka kufi») dhe delikteve ekonomike. Në zyrën e saj arrijnë edhe shumë informata nga Interpoli, Europoli, zona e Schengenit. Policia Federale e Zvicrës – këtë nuk duhet harruar – e prodhon edhe pasaportën zvicerane dhe mban një databazë të huliganëve, për shembull të futbollit. Për Policinë Federale të Zvicrës punojnë 908 zyrtarë (72 për qind flasin gjermanisht, 19,1 frëngjisht, 8,5 italisht, 0,3 retoromanisht). Prej tyre 64,5 për qind janë burra, 35,5 gra. Buxheti i këtij institucioni është 245 milionë franga.
Me urdhër të Prokurorisë Federale, Policia Federale e Zvicrës zhvillon hetime në rastet e kriminalitetit të rëndë, i cili lidhet me botën e jashtme. Për shembull: krimet ekonomike, korrupsioni, veprimet kundër shtetit (siç është terrorizmi), spiunazhi, aktivitetet mafioze, kontrabanda me njerëz. Policia Federale është përgjegjëse edhe për sigurinë e burrështetasve të huaj, të cilët qëndrojnë në territorin e Zvicrës, për sigurinë e përfaqësive diplomatike, të avionëve etj. Raporti Vjetor i Policisë Federale të Zvicrës është një minierë me shumë të dhëna të çmueshme.