Borxh mbi 3 milionë euro në Ndërmarrjen “Ujësjellësi dhe Kanalizime”, Strugë në prag kolapsi financiar

KOMUNIKATË PËR MEDIA
Borxh mbi 3 milionë euro në Ndërmarrjen “Ujësjellësi dhe Kanalizime”, Strugë në prag kolapsi financiar
Shtabi zgjedhor i kandidatit të pavarur për Komunën e Strugës, Mendi Qyra, alarmon opinionin publik për gjendjen alarmante financiare të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizime” Strugë.
Sipas të dhënave të siguruara, kjo ndërmarrje ndodhet në borxh prej mbi 3 milionë euro ndaj EVN-së, si pasojë e viteve të tëra të keqmenaxhimit, mungesës së transparencës dhe përdorimit politik të një institucioni që duhet të jetë në shërbim të qytetarëve.
Ky borxh nuk është krijuar brenda natës është rezultat i papërgjegjësisë, korrupsionit dhe neglizhencës së atyre që për vite me radhë e kanë drejtuar këtë ndërmarrje si pronë private. Këto para mund të ishin përdorur për të përmirësuar cilësinë e ujit që pijmë, për të rinovuar rrjetin e ujësjellësit dhe për të garantuar siguri për qytetarët e Strugës.
Në vend të kësaj, sot kemi ujë të ndotur, borxhe të mëdha dhe një ndërmarrje në prag të kolapsit financiar.
Pyetja që lind natyrshëm është:
Pse gjithë ky borxh?
Ku kanë shkuar paratë e qytetarëve?
Mendi Qyra ka deklaruar qartë se nuk do të lejojë që kjo situatë të vazhdojë.
“Struga ka nevojë për menaxhim të ndershëm dhe njerëz me integritet, jo për pazare politike. Uji i qytetit është jetë dhe nuk do të lejojmë më që të përdoret për interesa të ndotura.”
Shtabi zgjedhor i Mendi Qyrës
Kandidat i pavarur për Komunën e Strugës
*Bashkangjitur gjeni dokumentat!



































