Gani MEHMETAJ
Gjergjin, nipin e mjekut të njohur, Mazllum Belegu, familja e pagëzoi me emrin e Gjergj Kastriotit për ta rikujtuar e ripërtërirë emrin e heroit më të madh të shqiptarëve. Familja e Belegëve të Pejës krenohet me emrin e nipit të tyre.
Mehmeti, po ashtu e pagëzoi të birin me emrin Gjergj, të ripërtërinte emrin e të parit të arbërorëve, me tregonte para shumë vjetësh në një kafene të Prishtinës. Me emrin e Gjergjit të Madh janë pagëzuar mijëra arbërorë- shqiptarë që nga koha e Gjergj Kastriotit deri në ditët e sotme. Janë pagëzuar edhe mijëra shqiptarë me emrin Kastriot, mbiemrin e familjes më të famshme arbërore. Dy emrat e kumbueshëm, Gjergj e Kastriot, janë simbole të një trashëgimie kombëtare, janë emrat më të veçantë e më të bukur shqiptarë.
Por do të ishte shumë e veçantë, madje e jashtëzakonshme, sikur të organizohej një shtegtim i të gjithë burrave, djelmoshave e çunave me emrin Gjergj e Kastriot ditën e lindjes së Gjergj Kastriotit, për ta rikujtuar lavdinë e tij, por njëkohësisht duke shënuar emrin e tyre.
Gjergj Kastrioti ka lindur më 6 maj 1405, ndërsa ka vdekur më 17 janar 1468, thuhet në librat shkollorë dhe në vikipedia. Në Lezhë, ku u varros, është Mauzoleu, në kujtim të mbretit të shqiptarëve. Në Krujë është Kështjella nga ku e organizoi dhe e bëri qëndresën më të madhe në Evropë ndaj pushtuesve turq. Dy vendkujtimet më të famshme historike: Kruja e Lezha janë vendet më të vizituara nga shqiptarët e territoreve etnike e të diasporës. Dy institucionet do të duhej të nisnin që nga viti i ardhshëm ditën përkujtimore të lindjes e të vdekjes me shtegtarët- trashëgimtarë të emrit e të mbiemrit të Gjergj Kastriotit.
Pse të mos bëhen nismëtarë Memoriali i Lezhës e Bashkia e Qytetit, në bashkëpunim me Qytetin e Krujës dhe Kështjellën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Çdo vit do të vinin në shtegtim të gjithë ata që e mbajnë emrin Gjergj e Kastriot. Shtegtimi do të niste në Lezhë, në mjediset e Memorialit, ku do të mbahej takim i veçantë përkujtimor; shtegtarët do të vizitonin Kështjellën e Krujës, ndërsa do të vazhdonin në të gjitha fushëbetejat historike që i zhvilloi Gjergj Kastrioti me ushtrinë e komandantët e vet të pathyeshëm.
Takimi mbase mund të mbahej edhe me mbështetjen e Lidhjes Shqiptare në Botë, ndërsa do të shfrytëzohej rasti për tryeza shkencore, ma sugjeroi miku im, i cili ishte i mendimit që aty të merrnin pjesë jo vetëm Gjergj-at por të gjithë shqiptarët që kanë lind më 6 maj. “Edhe unë që kam lindur me 6 maj”, me thotë miku im, “në rrethana normale do të duhej ta kisha emrin Gjergj”, ndërsa nuk e ka, prandaj propozon që të gjithë ata që kanë lindur me 6 maj, të ripagëzoheshin dhe ata që lindin me 6 maj të pagëzoheshin me emrin Gjergj.
Dhe, në fund të shtegtimit, në kërkim të rrënjëve të emrit e mbiemrit dhe në rikujtim të historisë do ta përmbyllnin me një takim në Tiranë, ku presidenti shqiptar do t’i priste burrat e djelmoshat me emrat Gjergj e Kastriot, duke ua rikujtuar edhe një herë kush ishte dhe çfarë peshe ka për historinë tonë kombëtare figura e Gjergj Kastriotit.