Shtetasit e Maqedonisë, me test negativ në Kosovë

“Prezantimin e vërtetimit për test RT-PCR negativ gjatë hyrjes në Republikën e Kosovës, të bërë më së largu para 72 orësh, janë të obliguar ta bëjnë shtetasit e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovinës që kanë të rregulluar leje qëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm në Republikën e Kosovës dhe ata që kanë të caktuar termine për mjekim në institucione shëndetësore të RKS-së dhe bartësit e dokumenteve personale të lëshuara nga Republika e Kosovës mirëpo me adresë vendbanimi në njërin nga shtetet e cekura në këtë vendim”, kështu thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosoves për media, menjëhere pas mbledhje së qeverisë
Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme për ndërmarrjen e masave, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19 është për obligimin e të gjithë banorëve të Republikës së Kosovës që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre, thuhet në kumtesën qeveritare. Vendimi obligon gjithashtu që të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët, transmeton lajmi.net.
Është miratuar edhe vendimi për ndërmarrjen e masave për qarkullimin e personave fizik jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat në: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë. Ndalesa fillon të zbatohet nga data 13 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizik jashtë shtëpive/banesave të tyre në Komunat: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë. Përjashtim nga ky vendim janë rastet urgjente shëndetësore, nevoja për t’u kujdesur për të sëmurë dhe për persona me nevoja të veçanta, kërkimi i ndihmës nga institucione përkatëse në rastet e dhunës familjare, vdekja e anëtarit të familjes dhe përkujdesja ndaj kafshëve shtëpiake, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia.
Me një vendim të miratuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës është autorizuar Ministri i Shëndetësisë për plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Kushtet për punë sa i përket hapësirës, kuadrit profesional dhe pajisjeve medicinale të institucioneve private dhe plotësimin e Udhëzimin Administrativ për Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta spitalore, duke tejkaluar të gjitha procedurat që përcaktohen me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Rregulloren për Shërbimin Ligjor Qeveritar. Plotësim ndryshimi i këtij akti nënligjor përfshin vetëm përcaktimin e kushteve/kritereve specifike për të kryer testime molekulare dhe serologjike për Covid -19.
Transportuesit që vijnë nga këto vende në Republikën e Kosovës, nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por janë të detyruar të respektojnë protokollet për transport ndërkombëtar. Edhe transporti i organizuar me autobusë ose linja te rregullta ndërkombëtare në transit nga këto vende, nuk duhet të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por ata nënshkruajnë deklaratën me të cilën obligohen të lëshojnë territorin e Republikës së Kosovës brenda 5 orëve. Të liruar nga obligimi për prezantim të testit RT-PCR janë edhe diplomatët e huaj nga shtetet e lartë cekura që janë të akredituar në RKS, si edhe familjarët e tyre. Gjithashtu janë liruar nga prezantimi i testit RT-PCR të gjithë shtetasit e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje e Hercegovinës, të cilët kanë edhe shtetësinë e Republikës së Kosovës, nëse kanë vendbanim në Kosovë.