Si duhet të jenë sot mësuesit, gjegjësisht profesorët!

Asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim se mësuesit duhet të jenë të motivuar dhe ata motivohen me paga më të mira për të patur mundësi hulumtimi e për t`u pajisur me mjetet e nevojshme ndihmëse në procesin arsimorë. Mësuesit duhet të jenë të motivuar!
Nga Rizvan BELA
Gjithmonë duhet të jenë ura që do të lidhin nxënësit, mësuesit, prindërit, trekëndësh ky i pashmangshëm. Duhet të përpiqen të jenë ata që do të lidhin të gjitha palët dhe do të bashkojnë këtë enigmë komplekse në mënyrë që të arrijmë deri te një proces edukativo – arsimorë më i mirë. E tërë kjo kërkon vullnet, kushte, mjete të ndryshme arsimore, ekip, ekspertë dhe para së gjithash përgjegjësi.
Roli i mësuesit apo profesorit ka qenë gjithmonë i rëndësishëm në shoqëri. Përveç familjes, mësuesi është ai që transmeton, jo vetëm njohuritë, por edhe vlerat e jetës, shoqërisë. nxënësve u jep udhëzime se si t’i përfshijnë ato vlera në jetën e tyre të përditshme. Mësuesi jo vetëm që duhet t’i mësojë, por edhe t’i mësojë se si të mësojnë. Kjo kërkon përpjekje të mëdha. Puna dhe programi arsimor duhet të përshtaten që të përmbushin nevojat dhe interesat e nxënësve të këtij mileniumi.
Gjithnjë e më shumë do të duhet të respektohet stili individual i të mësuarit, personaliteti i nxënësit, fëmijët sot marrin shpejt informacion dhe mësuesi duhet të reagojë shpejt në të gjitha pyetjet. Ai do të duhet të pranojë iniciativën dhe pavarësinë e brezave të rinj të nxënësve e të studentëve, t’u ofrojë atyre burime të ndryshme të të mësuarit (jo vetëm librin shkollor), t’i përfshijë nxënësit gjithnjë e më shumë në procesin e mësimdhënies, në aktivitetet kërkimore, në diskutime, në vlerësime.
Një sfidë e madhe për mësuesit është dhe do të jetë mënyra se si të tërheqin dhe të mbajnë vëmendjen e brezave të rinj, duke planifikuar përmbajtje interesante, duke punuar së bashku, duke respektuar përvojën e nxënësve, qasjen vizuale dhe strategji të ndryshme të tjera për përfshirjen aktive të nxënësve në mësimdhënie dhe të mësuarit, duke përdorur edhe teknologjitë më moderne të ditës së sotme, pa të cilat në këto ditë pandemie as që do të kishim mundur të zhvillonim procesin edukativo-arsimorë, mirëpo fatkeqësisht vërej se mjaft kuadrove u mungojnë cilësitë e njohjes së këtyre teknologjive. Asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim se mësuesit duhet të jenë të motivuar dhe ata motivohen me paga më të mira për të patur mundësi hulumtimi e për t`u pajisur me mjetet e nevojshme ndihmëse në procesin arsimorë. Mësuesit duhet të jenë të motivuar! (koha.mk)