Si ia zhvatën 1 mln euro avokatit të njohur shqiptar. SMS dhe telefonatat me personazhe publikë

“Kam qenë ushtar i UÇK-së, gjatë luftës mbeta invalid, i humba të gjithë anëtarët e familjes përveç nënës“.

Me këtë rrëfim për jetën e tij, një shtetas nga Kosova me inicialet L.M., fitoi dhembshurinë  e një avokati në Shqipëri dhe që muaj pas muaji i zhvati atij plot 1 milion e 20 mijë euro.

Por ndërkohë, burrit të arrestuar si mashtrues, i janë gjetur në telefon mesazhe nga policia dhe telefonata me persona publikë, si dhe pretendimi se ndërkohë ai po mbahej peng nga një grup i strukturuar kriminal.

Për këtë fakt, i dyshuari nuk ka pranuar të japë asnjë detaj, ndërkohë që e dashura e tij është shpallur në kërkim policor pas aksionit të policisë që u inicua nga denoncimi i avokatit të njohur në Shqipëri.

Burimet zyrtare të policisë, thanë për Gazetasi.al, se 51-vjeçari nga Kosova dhe rezident në Zvicër, duke luajtur me kartat e atdhedashësit dhe personit që kishte rrezikuar jetën në luftë, e ka joshur njëkohësisht avokatin B.R., shumë i njohur në vend, duke i treguar se kishte në një llogari bankare, pension invalidi prej 5 milionë frangash, por nuk i tërhiqte dot, sepse i kishte lënë me interes të paprekshëm, derisa t’i shkonin 7 milionë franga.

Burime të Gazetasi.al që morën pjesë në hetime, treguan se si gjatë vitit 2018 , avokati i njohur shqiptar, u kontaktua nga 51-vjeçari kosovar dhe se sipas konsulencës, mashtruesi i tregoi se i nevojitej një avokat shumë i aftë për të zhbllokuar llogaritë bankare.

Për këtë veprim, ai firmosi një prokurë të posaçme për avokatin, në të cilën i jepte të drejta për veprime dhe përfaqësim. Kaq ka mjaftuar, që avokati i njohur të paguajë darkën e takimit në mbajtur në një hotel luksoz në kryeqytet dhe fjetjen e 51-vjecarit. Fatura e parë, kushtonte 2.500 euro. Por ajo nuk ishte asgjë, pas asaj që do vinte më pas.

Avokati tregon në polici

“L.M., gjatë takimit, më tregoi se është kosovar nga Gjakova dhe jeton në Zvivër prej 1998-ës, më tha që ishte dëbuar prej andej, pasi kishte qenë i martuar me një shtetase zvricerane , që diktoi lidhjen jashtë martesore me shtetasen R.B., dhe për këtë, ai u akuzua për dhunë në familje. Pasi kishim diskutuar në rrjetet sociale dhe biseduam për zgjidhjen që duhej t’i jepja si avokat, ai udhëtoi drejt Tiranës, ku darkuam në hotelin “E”. Në prani të bashkëjetueses më kërkoi ndihmë për akomodimin, darkuam në një restorant peshku dhe më premtoi se gjithçka do ta dokumentonte dhe se sapo të tërhiqte paratë, do t’i kthente”, – denoncon avokati në polici.

Nën pretendimin se kishte nevojë për ndihmë mjekësore, i duheshin vizita në spital dhe se i duheshin ilaçe për të blerë, ai i ka zhvatur avokatit vlerën e 1 milionë e 20 mijë euro, që të gjitha të pranuara prej tij dhe të firmosura përpara noterëve.

“Në pamje të parë e besova, pasi hiqej si luftëtar i UÇK-së, më tha se me profesion ishte inxhinier elektronik dhe se të tërë njerëzit , xhaxhallarët, babai, kushërinjtë, ishin vrarë nga lufta dhe nga pushtimi serb”, – detajon B.R.

Policia thotë për GazetaSi.al, se mashtruesi 51-vjecar, i cili u arrestua, kurse bashkëjetuesja e tij u shpall në kërkim, ka firmosur disa prokura që janë sekuestruar si prova materiale.

Në disa prej këtyre prokurave, avokati emërohet prej tij si përfaqësues pranë autoriteteve zvicerane, si personi që do të takojë mjekun zviceran, apo që do t’i akomodojë të ëmën.

Avokati kujton më tej, se në një çast, pasi e ka shëtitur në Mal të Zi, duke e vizituar dhe mjekuar, ai i ka kërkuar 10 mijë euro borxh.  “Për këtë borxh, lëshoi deklaratën noteriale dhe i lëshova një prokurë me arsyetimin se kthimi i tyre do të bëhej nga llogaria në Zvicër”.

Duke u gjendur nën të njëjtin kurth në nëntor 2019, avokati i ka dhënë 100 mijë euro, që i duheshin për trajtim mjekësor në Kroaci dhe më tej 41 mijë euro që nevojiteshin  për trajtim mjekësor në Serbi.

Premtimi ka qenë i njëjtë, shumat do të tërhiqeshin sipas prokurës në llogarinë zvicerane gjatë angazhimit të B.R., si avokati që do t’i zgjidhte punë dhe do të merrte nga tërheqja e 5 milionë frangave një shumë të konsiderueshme për punën e kryer.

Por teksa shuma ka shkuar 400 mijë euro, avokati ka filluar të dyshojë, kur në një nga udhëtimet e tij në Zvicër, në tentativë për të njohur prokurën, askush pranë klinikës ku trajtohej klienti i tij nuk ka pranuar asistencë pa qenë i pranishëm L.M.

“Përfaqësuesja e SVA-së, këmbëngulte se pa qenë i pranishëm L.M., nuk mund të kryente asnjë veprim”, – kujton avokati për vizitën e tij në Zyrih, teksa profesori dhe mjeku që e trajtonte i ka konfirmuar për kujdesin ndaj pacientit.

“Në muajin prill , datë 22  të vitit 2019, më kërkoi 200 mijë euro të tjera për hospitalizim, pasi i rrezikohej jeta dhe ia dhashë me kontratë, me idenë si edhe të tjerat, se ai do të bënte të mundur t’i transferonte në llogarinë e tij të hapur enkas me kërkesën time”.

Në një nga rastet e borxhdhënies, e pranishme ka qenë edhe bashkëjetuesja shqiptare e kosovarit, e cila ka nënshkruar si dëshmitare, ndaj dhe është shpallur në kërkim.

“Kjo shtetase, kur bëheshin pagesat, dilte dorëzanë, duke premtuar se nëse nuk i kthente L., do t’i kthente ajo”, – ankohet avokati në polici.

Mes provave që dorëzoi, avokati paraqiti edhe dhjetra mesazhe në aplikacionin whatsapp dhe deklaratat noteriale të borxheve , shifra e të cilave shkon 1 milion e 20 mijë euro.

Policia bën me dije se ka marrë në pyetje shtetasin kosovar, i cili pranon se ka marrë një seri borxhesh nga avokati.

“Me këtë shtetas, jam njohur në qërshor 2018, pasi ma kanë prezantuar si avokat të zotin dhe për një të tillë kam pasur nevojë për të zgjidhur një problem në Zvicër për të tërhequr lekët e sigurimit invalidor”.

Por ky shtetas pohon se shuma e borxhit nuk është aq sa pretendon avokati.

“Nuk kam marrë aq lekë, por e kam fryrë në deklaratë noteriale për të pasur mundësi që të tërheq sa më shumë para nga Zvicra”.

Policia e pyet burrin e  dyshuar si mashtrues – se ku i ka depozituar paratë e siguruara nga avokati?

“Nuk i kam depozituar askund, – përgjigjet ai, – pasi nuk kam marrë aq para, të gjitha i kam harxhuar me trajtim mjekësor dhe medikamente”.

Policia, pas administrimit të disa mesazheve, e pyet 51-vjeçarin edhe për grupet kriminale, thotë një burim shumë i besueshëm i Gazetasi.al

“Në telefonin tuaj, në një prej bisedave, u gjetën mesazhe që ua dërgoni personazheve publikë dhe pas thirrjes sonë telefonike, thuhej se ju mbaheshit peng nga një grup i strukturuar kriminal. A mund të na thoni kush është ky grup dhe për çfarë ndiheni të kërcënuar prej tyre?”, – e kanë pyetur agjentët e policisë.

Por L.M., ka refuzuar të japë deklarim mbi këtë dyshim.

In : Aktuale

Loading...
loading...