Si mërgimtarët e Ohrit në Çikago ndanë bukën e gojës me vëllezërit në Kosovë

Avni Sulejmani, Çikago
Për njëqind vjet të veprimtarisë kombëtare të diasporës shqiptare në Amerikë, fryma kryesore ishte qëndrimi afër tokës, diellit dhe njerëzve të gjakut — shqiptarëve në hapësirën etnike të ndarë në shumë vende prej fqinjëve tanë, si grabitqarë të tokave tona në Ballkan.
Në këtë frymë, në Çikago pati shumë veprimtari kombëtare: demonstrata, protesta, takime me kongresmenë e senatorë, si dhe me administratën në Uashington, duke kërkuar shpëtimin e shqiptarëve nga shfarosja në substancë dhe për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Në dritën e këtyre ngjarjeve, me rastin e Ditës së Pavarësisë së shkurtit historik të Kosovës, po hedhim dritë mbi shoqatën “Ohri” në Çikago. Për të ndihmuar shqiptarët e anatemuar dhe të larguar nga puna, pa asnjë të drejtë për jetë normale, burra e gra shqiptare nga Ohri me rrethinë u bënë bashkë për të ofruar ndihmë në dollarë çdo muaj për ata në nevojë në Prishtinë.
“Kemi dëgjuar nga pleqtë tanë,” nis rrëfimin veprimtari në Çikago, Avni Sulejmani nga Ohri, “se mungesa e bukës të çon në derë të hasmit. Ne u organizuam, mërgimtarët e këtij qyteti, që të ofrojmë ndihmë me thirrjen: Nuk i lëmë pa bukë vëllezërit në Kosovë! Për identitetin e bukës, shqiptarët e kanë traditën dhe historinë; sa herë e shtrojmë tryezën ne e puthim bukën, sepse për shqiptarët buka nuk është vetëm bukë. Buka për ne është hyjni, një Zot të cilit i lutemi që çdokush ta ketë në sofër,” thotë veprimtari Avni Sulejmani.
Përditë e përcillnim gjendjen e rëndë në Kosovë. Përditë regjimi serb ushtronte dhunë dhe të gjithë vëllezërit tanë bredhnin rrugëve nën hijen e vrasjeve, denigrimit, pa punë, pa të ardhura, pa dinjitet e pa liri, të shtypur deri në shkallë varfërie para vdekjes. “Kjo për ne ishte trishtim,” thotë Avni Sulejmani, “dhe merrnim frymë me një milion hallet e vëllezërve në Kosovë.” Përditë na vinin lajme të liga se regjimi i Serbisë kishte nisur planin ushtarako-policor për shfarosjen e shqiptarëve dhe për tokën e djegur të Kosovës.
Një mbrëmje, në lajmet që vinin nga Kosova, dëgjuam se si renegati dhe dora e zgjatur tradhtare kundër popullit shqiptar, Ali Shukriu, i jepte këshilla “kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq, se për shtrirjen për toke të shqiptarëve në Kosovë dhe për të harruar “Republikën e Kosovës”, duhej t’i linin pa bukën e gojës. “Këto lajme trishtimi nga një shqipfolës i shitur para regjimit serb na dhanë edhe më shumë forcë në Çikago. Morëm nismën që çdo muaj të siguronim një rrogë modeste mujore për prishtinasit,” thotë me dhimbje Avni Sulejmani, duke kujtuar kohën e luftës së djemve të UÇK-së për liri dhe pavarësi.
Shoqata “Ohri” në Çikago nisi “rrogat” modeste për vëllezërit në Prishtinë, ndërsa për luftën e djemve të pushkëve të lirisë (UÇK), gratë shqiptaro-amerikane hoqën stolitë prej ari, madje edhe unazat e martesës, duke kërkuar që ato të ktheheshin në deviza (dollarë) për të ndihmuar luftën e Kosovës kundër regjimit vrasës. Kjo bëri që edhe bota demokratike ta merrte me shqetësim dhe të mobilizonte faktorin ushtarako-diplomatik, të prirë nga Uashingtoni dhe BE-ja, për të ndalur planet shfarosëse të Serbisë fashiste.
Në familjen e Avni Sulejmanit, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe pabarazisë kombëtare në kohën e komunizmit në Maqedoninë e Veriut, mijëra shqiptarë morën udhët e mërgimit nëpër botë, deri në Amerikë e Australinë e largët. “Ata shkuan dhe i lanë vendet shqiptare,” thotë Avni Sulejmani, “për të siguruar kafshatën e bukës për fëmijët dhe familjet në hapësirën etnike të këtij shteti të krijuar me një bazë të brishtë, si shenjë balancimi për popullin shqiptar në tokën e vet.”
Rrëfimet për Kosovën, për mërgimin dhe “bukën e kurbetit me shtatë korre”, Avni Sulejmani i shkëput nga “romani i jetës në mërgim”. Babai i tij, Rasim Sulejmani, në vitin 1972 shkoi me anije në Australinë e largët. Pas shumë hallesh e mërzie, mezi i bëri tre vjet punë në atë tokë të rrethuar nga deti. Një ditë, babai, Rasimi, bëri gati valixhen për t’u kthyer pranë familjes në rrethinën e Ohrit. Posa hyri në anije dhe ajo mori drejtimin drejt vendlindjes, Rasim Sulejmani e grisi pasaportën e Jugosllavisë (me shenjën zyrtare të Maqedonisë së asaj kohe) dhe e hodhi në valët e detit, duke thënë: “Më nuk kthehem në Australinë e largët, më mirë se në tokën tonë nuk ka; këtu do të vdes!”
Me rastin e Ditës së Pavarësisë, veprimtari Avni Sulejmani në Çikago me familjen e tij uron nga zemra lirinë dhe pavarësinë: “Qoftë e përjetshme Republika e Kosovës!”/Skender Karaçica-Çikago





























